Shkon në ndërmjetësim lënda ndaj të akuzuarit për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare

Nazim Vuqiterna (1)
Author

Raporton: Avni Berisha

Nëntor 19, 2020

Rahovec –  Gjykata Themelore në Gjakovë, dega në Rahovec, të enjtën, e ka dërguar në procedurë të ndërmjetësimit lëndën ndaj të akuzuarit për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, Nazim Vuqitërna.

Një gjë e tillë ka ndodhur pasi që i akuzuari, në seancën e shqyrtimit fillestar, ka propozuar që kjo lëndë të zgjidhet në procedurë alternative, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I akuzuari Vuqitërna ka deklaruar se është pajtuar me të dëmtuarën Subhije Deliu, se të njëjtës i ka kërkuar falje dhe është në gjendje ta paguaj në tërësi dëmin material, nëse e njëjta konsideron se i është shkaktuar.

Me propozimin e të akuzuarit është pajtuar prokurori Anton Hasanaj dhe e dëmtuara Deliu.

Pas marrjes së mendimit të palëve, gjykatësi Ilir Rashkaj e ka referuar lëndën në procedurë të ndërmjetësimit, me ç’ rast e ka obliguar Organin e Ndërmjetësimit në Gjakovë që ta njoftojë gjykatën për epilogun e kësaj çështje.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjakovë, më 26 shkurt 2018, ka ngritur aktakuzë ndaj Nazmi Vuqitërnës, duke e ngarkuar atë me veprën penale “pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”.

Sipas aktakuzës, i pandehuri me 22 nëntor 2017, në ora 10:30, në shtëpinë e tj në Rahovec, me kanosje serioze ka penguar personin zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare.

Në aktakuzë thuhet se ngjarja kishte ndodhur në atë mënyrë që derisa e dëmtuar Subhije Deliu, në cilësinë e përfaqësueses së kreditorit EKO-Regjioni në Rahovec, ishte me përmbaruesin privat Gjokë Radi nga Gjakova, lidhur me përmbarimin e borxhit dhe pas njoftimit të pandehurit lidhur me borxhin që ia kishte kësaj kompanie, i njëjti fillon ta shaj dhe kanos të dëmtuarën me fjalët “k…, do të ma shohësh sherrin”, e pasi që e dëmtuara del nga vetura i pandehuri tenton t’i afrohet asaj.

Tutje, në aktakuzë thuhet se pas kësaj kanë ndërhyrë zyrtarët policor, duke e dërguar të njëjtin në stacionin policor në Rahovec. /BetimipërDrejtësi