Shkon në ndërmjetësim lënda ndaj të akuzuarit për mashtrim me viza, Rrahim Hashimi

unnamed
Author

Raporton: Shqiponjë GASHI

Qershor 29, 2020

Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dërguar në procedurën e ndërmjetësimit, lëndën ndaj të akuzuarit për mashtrim me viza, Rrahim Hashimi.

Një gjë e tillë është vendosur në seancën e së hënës, me kërkesën e të dëmtuarve Shaq Ismajli dhe Skender Syla, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Të njëjtit kanë deklaruar se nuk i bashkangjitem ndjekjes penale dhe se nuk paraqesin kërkesë pasurore juridike.

“Para se të shkohet në stadet tjera me tutje, unë deklaroj se nuk i bashkangjitem ndjekjes penale ndaj Rrahim Hashimit dhe nuk paraqes kërkesë pasurore juridike”, ka thënë i dëmtuari Ismajli.

Kurse i dëmtuari tjetër Syla tha se qysh nga fazat fillestare të ndjekjes penale ndaj të akuzuarit Hashimi, ai kishte deklaruar se nuk ndihej i mashtruar nga i akuzuari.

“Unë prej fillimit kam than se nuk jam kan asnjëherë i mashtrum, as nuk e kam ndie veten se do të mashtrohna prej tij, gjithçka ka shku në rregull. Unë edhe në polici edhe në  prokurori kur i kam dhanë deklaratat kam than që nuk jam i dëmtum. Prandaj, edhe unë i bashkangjitem propozimit të Shaqës që kjo lëndë të shkoj në ndërmjetësim”, ka thënë i dëmtuari Syla.

I akuzuari Hashimi ka thënë se pajtohet me dërgimin e lëndës në ndërmjetësim, duke shtuar se ndihet plotësisht i pafajshëm për veprën penale që i vihet në barrë.

Lidhur më këtë nuk është pajtuar prokuroja Merita Shala-Muhaxhiri, e cila tha nuk janë plotësuar kushtet që lënda të dërgohet në ndërmjetësim, sipas saj, duke marrë parasysh personalitetin e kryerësit të veprës penale, rrethanat dhe se sipas saj Hashimi akuzohet edhe për vepra të tjera penale të natyrës së ngjashme.

“Në konsultim me prokuroren e rastit Jehona Makolli-Grantolli i kemi shqyrtuar rrethanat në të cilat është kryer vepra penale, natyrën e veprës penale, po ashtu edhe personalitetin e kryerësit të veprës penale dhe me qenë se ndaj të pandehurit janë të evidentuara edhe vepra tjera të natyrës së ngjashme, mendojmë se nuk janë plotësuar kushtet që lënda të referohet në procedurë të ndërmjetësimit. Për këtë arsye edhe nuk pajtohemi që kjo lëndë të shkoj në procedurë të ndërmjetësimit”, tha prokurorja Shala-Muhaxhiri.

Pas dëgjimit të palëve, gjykatësja Fatime Dërmaku e ka aprovuar propozimin e të dëmtuarve dhe të akuzuarit, që lënda të dërgohet tek organi i ndërmjetësimit, pasi që sipas saj janë plotësuar kushtet ligjore për zhvillimin e kësaj procedure.

Sa i përket faktit që prokurorja Shala-Muhaxhiri e ka kundërshtuar këtë propozim, gjykatësja Dërmaku deklaroi se Ligji i procedurës për ndërmjetësim nuk e parasheh pëlqimin e prokurorit, por pëlqimin e  palëve.

“Pavarësisht faktit që prokuroria nuk e jep pëlqimin, sepse me Ligjin për procedurë të ndërmjetësimit nuk kërkohet pëlqimi i prokurorit, por pëlqimi i palëve në këtë rast të pandehurit dhe të dëmtuarit”, ka thënë gjykatësja Dërmaku.

Kjo prokurori këtë aktakuzë e kishte ngritur në lëndën penale të shenjëstruar si rasti “Sekseri”.

Fillimisht, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 25 qershor 2018, me aktvendim e kishte konfirmuar aktakuzën ndaj të akuzuarve Rrahim Hashimi dhe Emin Beqiri.

Mirëpo, ndaj këtij vendimi palët kishin ushtruar ankesë, ashtu që Gjykata e Apelit kishte vendosur që procedura penale ndaj të akuzuarit Rrahim Hashimi të pushohej për veprën penale “ushtrimi i ndikimit”, ndërsa të vazhdohej vetëm për veprën penale “mashtrimi”.

Po ashtu, Gjykata e Apelit në shtator të vitit 2018 kishte  liruar përfundimisht nga akuza për korrupsion ish-drejtorin e Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës, Emin Beqiri.

Gjykata e Apelit në vendimin e saj theksonte se ka shqyrtuar me kujdes aktakuzën e PSRK-së, aktvendimin e shkallës së parë, ankesën e mbrojtësit të pandehurit Beqiri, si dhe shkresat e lëndës, ashtu që përkitazi me këtë të pandehur, kjo gjykatë vlerëson se nuk ka prova se i njëjti ka kryer veprat penale të cilat i vihen në barrë.

Mirëpo, në prill të vitit 2019, Kolegji Penal i Gjykatës Supreme ka konstatuar se ka pasur shkelje në favor të ish-drejtorit të Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës, Emin Beqiri, me rastin e lirimit të tij nga akuza për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe vepra tjera penale.

Nëpërmjet një komunikate për media, Supremja ka thënë se pas kërkesës për mbrojte të ligjshmërisë të ushtruar nga Prokurori i Shtetit ndaj dy vendimeve të shkallës së parë dhe të dytë që kishin liruar ish-drejtorin e Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës, Emin Beqiri, ishin konstatuar shkelje në favor të të pandehurit.

“Pas shkrimeve në media, të publikuara sot, sa i përket vendimit të Gjykatës Supreme për ish-drejtorin e Krimeve Ekonomike, në Policinë e Kosovës, E.B., i akuzuar për; keqpërdorim të pozitës zyrtare; pengim i të provuarit dhe moslajmërim i veprave penale apo kryerësve të tyre, njoftojmë opinionin publik, se bazuar në Kërkesën për Mbrojtje të Ligjshmërisë, të ushtruar nga Prokurori i Shtetit, kundër aktvendimeve të Gjykatës Themelore në Prishtinë, dhe të Gjykatës së Apelit, Kolegji Penal i Gjykatës Supreme, ka konstatuar shkeljen në favor të të pandehurit. Vendimi për këtë rast është duke u punuar, dhe në momentin që iu dërgohet palëve në procedurë, bazuar në Ligjin për Qasje në Dokumente Publike, mediat mund të kenë qasje në të”, thuhet në komunikatë.

Sipas aktakuzës, Emin Beqiri në cilësinë e drejtorit të Drejtorisë për Krime Ekonomike në Prishtinë, gjatë muajit dhjetor 2016, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për vete dhe personin tjetër, përmes drejtorit të “City Group”, të akuzuarit Rrahim Hashimi, kishte kërkuar 100.000 euro nga të dëmtuarit Valmir Hajrullahu dhe Freskim Buqaj, për të cilët drejtoria kishte filluar një hetim në drejtim të veprës penale të mashtrimit.

Beqiri të akuzuarit Hashimi, sipas aktakuzës, i kishte dhënë informata që konsiderohen si fshehtësi zyrtare, ku ky i fundit iu kishte treguar të dëmtuarve se kontrolli-bastisja e lokaleve dhe shtëpive të tyre nuk do të bëhet sipas urdhëresës së gjykatës dhe i njëjti ishte përpjekur që t’i bind të dëmtuarit që t’i jepnin paratë e kërkuara me qëllim që procedura kundër tyre të mbyllet.

Mirëpo, gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Hashimi nuk kishte arritur t’i marrë paratë e kërkuara dhe ndaj të dëmtuarve Hajrullahu dhe Buqaj kishte filluar procedura, ndërsa pas kësaj prindërit e të dëmtuarve Rexhet Hajrullahu dhe Qazim Buqaj ia kishin dhënë të akuzuarit Hashimi 50.000 euro me qëllim që përmes të akuzuarit Beqiri t’ua mundësoi hapjen e lokaleve e pastaj t’i jepnin edhe 50.000 tjera që të përmbyllej kjo procedurë.

Kështu, në dhjetor 2016, Rexhep Hajrullahu ia kishte dhënë të akuzuarit Hashimi 16.000 euro, pastaj edhe 9.000 euro tjera, ndërsa i dëmtuari Qazim Buqaj 25.000 euro.

Prokuroria Beqirin e ngarkonte edhe me veprën penale “pengimi i të provuarit”, pasi i njëjti gjatë muajve janar-mars 2017, përkundër urdhëresës së gjykatës për ekzaminimin e aparatit telefonik “Iphone6”, të të dëmtuarit Valmir Hajrullahu, nuk e kishte dërguar në laborator, ndërsa i dëmtuari e kishte vërejtur se bisedat dhe fotot e incizuara i ishin fshirë nga telefoni.

Po ashtu, Beqiri akuzohej edhe për veprën penale “moslajmërimi i veprave penale apo kryesve të tyre”, pasi i njëjti edhe pse kishte pasur njohuri se i akuzuari Hashimi kishte marrë para në emër të tij, nuk e kishte lajmëruar veprën penale.

Ndërkaq, Rrahim Hashimi, akuzohet se gjatë muajit dhjetor 2016 nga familjarët e të dëmtuarve Hajrullahu dhe Buqaj kishte marrë shumën prej 50.000 euro dhe kishte kërkuar edhe 50.000 tjera, me qëllim që procedura ndaj tyre të përshpejtohet, dhe pastaj edhe kishte ushtruar ndikim mbi vendimmarrjen e personit zyrtar, duke bërë që i akuzuari Beqiri të veprojë në kundërshtim me ligjin.

I njëjti akuzohet se gjatë viteve 2009-2017, kishte mashtruar shumë qytetarë, në atë mënyrë që përmes fakteve të rreme, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror kishte shfrytëzuar miqësinë me atasheun e Ambasadës së Hungarisë, Tamas Gergely, duke aplikuar për viza në emër të personave të ndryshëm, duke i paraqitur si punëtor të “City Group”. /BetimipërDrejtësi