Shkon në ndërmjetësim lënda ndaj të akuzuarit për keqpërdorim të besimit

A- gjykata
Author

Raporton: Anesa HOXHA

Gusht 9, 2019

Prishtinë – Të premten, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dërguar në procedurë të ndërmjetësimit lëndën ndaj të akuzuarit për keqpërdorim të besimit, Veton Berisha.

Pas njoftimit lidhur me të drejtat e tij, nga gjykatësja e rastit, Fatime Dermaku, i akuzuari ka propozuar që kjo çështje të zgjidhet në procedurën alternative.

Me këtë propozim është pajtuar edhe pala e dëmtuar, Sahit Osmani, i cili ishte prezent në seancën e shqyrtimit fillestar, si dhe prokurori i rastit, Rrahim Podvorica.

Andaj, gjykatësja Dermaku, ka marr aktvendim me të cilin e aprovoi propozimin që  kjo çështje të referohet në procedurë të ndërmjetësimit.

Gjykatësja Dermaku e ka obliguar Organin e Ndërmjetësimit, që brenda afatit ligjor ta njoftojë gjykatën lidhur me epilogun e arritur.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 28 qershor 2017, ka ngritur aktakuzë ndaj Veton Berishës, të cilin e akuzon se me qëllim që vetit t’i sjell dobi pasurore të kundërligjshme në Prishtinë, e ka keqpërdorur autorizimin e tij, nuk i ka përmbush detyrimet e tij të ruajtjes dhe përkujdesjes për pasurinë, e cila ka qenë nën përkujdesjen  e tij.

Siç thuhet në aktakuzë, më 8 korrik 2016, derisa Hazir Haziri shoku i të dëmtuarit Sahit Osmani kishte qenë duke vozitur veturën e tipit “Mercedes”, e kishte telefonuar dhe i tregon se veturën po ia kërkon shoku i tyre, Veton Berisha, për dy apo tri ditë në shfrytëzim, mirëpo e kishte keqpërdorur besimin dhe pasi e kishte marr, të njëjtën veturë nuk e kishte kthyer më dhe atë ua kishte shitur personave të panjohur. /BetimipërDrejtësi