Shkon në ndërmjetësim lënda ndaj të akuzuarit për furnizim të kundërligjshëm me energji elektrike

1111 (1)
Author

Raporton: Genta PAJAZITI

Nëntor 14, 2019

 

Viti – Gjykata Themelore në Gjilan, dega në Viti, të enjten, e ka dërguar në procedurë të ndërmjetësimit lëndën ndaj të akuzuarit për veprën penale “ndryshimi i njehsorit të shërbimeve”, Servet Mehmeti.

Një gjë e tillë është mundësuar, pas kërkesës së të akuzuarit Mehemti, që lënda ndaj tij të zgjidhet përmes procedurës së ndërmjetësimit, për dëmin që pretendohet t’i jetë shkaktuar KEDS-it në shumë prej 207,49 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kërkesën e të akuzuarit Mehmeti nuk e ka kundërshtuar as prokurori Ismet Ukshini.

Gjykatësja e rastit, Drane Simani, e ka aprovuar kërkesën e të akuzuarit Mehmeti që ky rast të zgjidhet përmes ndërmjetësimit.

Sipas aktakuzës, më 2 tetor 2017, Servet Mehmeti, akuzohet se në shtëpinë e tij në fshatin Remnik të Vitisë, me qëllim që vetit t’i sjellë përfitim të kundërligjshëm pasuror, ka shfrytëzuar në mënyrë të paautorizuar energjinë elektrike.

Në aktin akuzues thuhet se gjatë kontrollimit nga punëtorët e KEDS-it, në vendin e ngjarjes kanë konstatuar se në brendi të njehsorit elektrik pllombat i ka të manipuluara, të hapura dhe të mbyllura, numëruesi i njehsorit është manipuluar, ka gjurmë, të gërvishtjes së numrave në numërator, ku me këto veprime energjia elektrike e shpenzuar nuk është llogaritur.

Sipas aktakuzës, me këtë Kompanisë Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike (KEDS), Distrikti në Gjilan, i ka shkaktuar dëm në vlerë prej 207,49 euro.

Për këtë, prokuroria e ngarkon me veprën penale “ndryshimi i njehsorit të shërbimeve”, nga neni 323, paragrafi 1 dhe 2 i KPRK-së. /BetimipërDrejtësi