Shkon në ndërmjetësim rasti ndaj të akuzuarit që kishe kaluar me ekskavator nëpër livadhin e pakositur

Raporton: Arbenita RRAHMANI

Lipjan- Me dhënien e pëlqimit nga ana e të dëmtuarit A.Th. pasi paraprakisht i pandehuri Sh.B. shprehu gatishmëri të nënshkruaj marrëveshjen për dëmshpërblimin, lënda ku ky i fundit po akuzohet për asgjësim apo dëmtim të pasurisë, është referuar në procedurë të ndërmjetësmit.

I pandehuri B, me lejën e gjyqtarit tha se nëse i dëmtuari jep pëlqimin që lënda të shkojë në procedurë të ndërmjetsimit, ai është i gatshëm të nënshkruaj çfardo marrëveshje për t’ia kompensuar dëmshpërblim.

Kurse, i dëmtuari A. pasi dëgjoi të pandehurin dha pëlqimin që lënda të shkojë në procedurë të ndërmjetësimit, pasi ai do ta nënshkruaj marrëveshjen duke parë gatishmërinë̈ e të pandehurit.

Më pas, prokurori Bekim Kodraliu u pajtua me dërgimin e rastit në procedurë të ndërmjetësimit, pasi siç tha ai janë plotësuar edhe kushtet ligjore.

Ndërsa, gjykatësi Selman Salihi duke u bazuar në deklaratat e dhëna në këtë seancë të shqyrtimit gjyqësor të pandehurit, të dëmtuarit dhe prokurorit, përmes aktvendimit e aprovoi dhënjen e pëlqimit që lënda të shkojë në procedurë të ndërmjetësimit.

Andaj, seanca e sotshme u ndërpre ndërsa, lënda me shkresat e nevojshme do të referohet në procedurë të ndërmjetësimit, kurse, pasi marrëveshja të nënshkruhet dhe të jetë valide, gjykatësi Salihi do të marrë aktvendim të veqantë.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, 13 gusht 2019, më datën 17 gusht 2018 rreth orës 16:00, në fshatin Rubovcë, Lipjan, i pandehuri pronari kompanisë NTP “Ardi”, pasi që ka fituar tenderin për hapjen e lumit në fshatin Rubovcë, ka dëmtuar pasurin e personit tjetër.

Në aktakuzës thuhet se,  në atë mënyrë që, derisa të dëmtuarin A.Th. nuk e kanë pyetur për të hyrë në pronën e tij livadhin, për ta hapur lumin dhe për të zgjeruar, punëtorin e tij bageri ka kaluar nëpër livadhin të pakositur prej 40-50 ari të të dëmtuarit, dhe si pasojë e këtij veprimi ka shkelur barin dhe ka nxjerr trungjet e drunjëve shelgjet me rrënjë, me ç’rast të dëmtuarit i ka shkaktuar dëm material në vlerë prej 300-400 euro.

Me këtë ka kryer veprën penale “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë” nga neni 333 paragrafi 1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë./BetimipërDrejtësi

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë