Shkon drejt fundit rigjykimi për marrje ryshfeti ndaj drejtorit të shkollës në Malishevë

Izet Hoti foto (1)
Author

Raporton: Senad LOKAJ

Tetor 15, 2020

Gjakovë – Të enjten, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, ka vazhduar rigjykimi ndaj drejtorit të shkollës së mesme në Malishevë “Hamdi Berisha”, Izet Hoti, për akuzën se kishte marrë ryshfet për organizimin e mbrëmjes së maturës.

Hoti akuzohet se kishte kërkuar ryshfet në shumë prej 1 mijë e 500 euro nga menaxheri i restorant “BIMI-2”, për organizimin e mbrëmjes së maturës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me këtë akuzë, Gjykata Themelore në Gjakovë, më 26 prill 2019, të akuzuarin Hoti, e kishte shpallur fajtor, duke e dënuar me tetë muaj burg efektiv dhe 1 mijë euro gjobë, për marrje të ryshfetit, dënim të cilin e kishte vërtetuar edhe Apeli më 9 korrik 2019.

Mirëpo, Gjykata Supreme e ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës së Apelit me të cilin, kjo e fundit Hotit ia kishte vërtetuar dënimin me burg dhe gjobë dhe lëndën e kishte kthyer në rivendosje në Apel, ndërsa Apeli e ka kthyer lëndën në rigjykim në shkallën e parë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në fillim të kësaj seancës është lëshuar një video incizim me audio, ku ishte bërë incizimi i bisedës rreth organizimit të mbrëmjes së maturës në mes të akuzuarit Hoti dhe të dëmtuarit Gëzim Kastrati.

Pas kësaj, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Emrush Kastrati tha se i mbrojturi i tij as nuk ka kërkuar dhe as nuk ka pranuar korrupsion.

“Qartë nënkuptohet se i akuzuari nuk ka kërkuar korrupsion sepse po të kishte kërkuar, ai do t’i kishte pranuar ato 400 euro që i ofronte i dëmtuari Gëzim.”, tha avokati Kastrati.

Ndërsa, i akuzuari e pyeti të dëmtuarin se çka kishte dashur të thoshte me atë që dëgjohet ne CD “boll u mundova se ky është kopil nuk e dashti”, i dëmtuari tha se kjo ka qenë në lidhje me planin operativ lidhur me takimin që të bëhej brenda në restorant.

E anëtari i trupit gjykues, gjykatësi Nikollë Komani e pyeti të dëmtuarin se nëse i akuzuari ka kërkuar para huazim, atëherë pse kanë bërë simulim të veprës penale, i dëmtuari tha se i akuzuari kishte kërkuar huazim, mirëpo se ai kishte menduar se po i kërkonte për mbrëmjen e maturës.

Pas administrimit të provave materiale, avokati Kastrati tha se i akuzuari në tërësi mbetet prapa mbrojtjes së dhënë më herët dhe se nuk dëshiron të përgjigjet më tani e tutje, duke i propozuar gjykatës që ai procesverbal ku është dhënë mbrojtja më herët të lexohet.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Shaqir Zika ka caktuar 16 nëntorin për dhënien e fjalëve përfundimtare në lidhje me këtë rast.

Ndryshe, në fillim të këtij viti, pasi që mbrojtja kishte ushtruar kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme, kjo e fundit e kishte anuluar aktgjykimin e Apelit me të cilin ishte vërtetuar dënimi i shqiptuar nga shkalla e parë.

Sipas vlerësimit të Gjykatës Supreme, konkludimi i gjykatës së shkallës së dytë është në kundërshtim jo vetëm me arsyetimin e aktgjykimit të gjykatës së shkallës së parë, por edhe me shkresat e lëndës sepse dëshmitari Gëzim Kastrati,  sipas Supremes, në kohën kur ngarkohet i akuzuari ta ketë kryer veprën penale përveç që ishte menaxher i restorantit “BIMI-2” ishte edhe zyrtar policor dhe se ketë rast e kishte paraqitur në njësinë e hetimeve në Stacionin Policor të Gjakovë duke përpiluar raport zyrtar.

Gjithashtu sipas Supremes, dëshmitari Kastrati në hetime dhe në shqyrtimin gjyqësor e ndryshon dëshminë duke deklaruar se i dënuari ia ka kërkuar hua 1 mijë e 500 € dhe se ka pasur dyshim se nuk po ia kërkon hua por po i kërkon ryshfet. Por, sipas Supremes, edhe në hetime edhe në shqyrtimin gjyqësor, dëshmitari ka theksuar se oferta për karrige për mbrëmje të maturës ka qenë 11 €, 12 € dhe 13 € dhe i akuzuari i kishte thënë se nëse pranon ofertën 13€ e dua një bakshish, dhe se diferencën prej dy euro e ka kërkuar bakshish.

Sipas aktakuzës së ngritur më 24 shtator 2018, nga Prokuroria Themelore në Gjakovë, Izet Hoti, akuzohet se më 2 maj 2018, si drejtor i shkollës së mesme të lartë “Hamdi Berisha” në Malishevë, ka kërkuar ryshfet në shumë prej 1 mijë e 500 euro nga menaxheri i restorant “BIMI-2”, Gëzim Kastrati, për organizimin e mbrëmjes së maturës në po këtë restorant.

Në aktakuzë thuhet se oferta reale për karrige ka qenë 11 euro, mirëpo i pandehuri ka kërkuar nga menaxheri që ta ngritë shumën në 13 euro, ashtu që shumën e mbetur ta merr për vete, e që një gjë e tillë është provuar në bazë të dëgjimeve telefonike të kryera nga ana e policisë, në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Gjakovë. /BetimipërDrejtësi