Shkaku i pandemisë, anulohet seanca ndaj zyrtarëve të Ndërmarrjes Publike Banesore që po akuzohen për korrupsion

Pallati 2
Author

Raporton: Lavdim BAJRAKTARI

Korrik 17, 2020

Prishtinë – Ka dështuar të mbahet seanca gjyqësore ndaj zyrtarëve të Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB), Rahim Osmani, Behxhet Hasani dhe Fatmir Pireva që po akuzohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Seanca e paraparë të mbahej të premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është anuluar pas vendimit të marr nga kjo gjykatë, që të pezullohen seancat gjyqësore për shkak të situatës me pandeminë Covid-19.

Një gjë të tillë e kanë bërë të ditur për “Betimi për Drejtësi”, nga zyra e gjyqtares Nushe Kuka-Mekaj, e cila është e caktuar për gjykimin e këtij rasti.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 14 korrik 2020, kishte marr vendim për pezullimin e seancave gjyqësore me përjashtim të rasteve që kanë të bëjnë me lëndët e shënjestruara për liberalizim të vizave, rastet e dhunës në familje, lëndët me paraburgim, caktimi i masave të sigurisë si dhe lëndët ku rrezikohet procedimi i tyre nga fillimi, për shkak se mund të kalojnë tre muaj nga seanca e fundit e mbajtur.

Ndryshe, të tre të akuzuarit në këtë rast, ishin deklaruar të pafajshëm në seancën fillestare të mbajtur më 15 tetor 2019.

Sipas aktakuzës së ngritur me 26 korrik 2019, të akuzuarit Rahim Osmani, Behxhet Hasani dhe Fatmir Pireva gjatë periudhës kohore 2012-2014, si persona zyrtar të Ndërmarrjes Publike Banesore sh,a në Prishtinë, kishin keqpërdorur detyrën zyrtare.

I akuzuari Osmani i caktuar si kryetar i Komisionit për pranimin e derivateve të naftës për nevoja të NPB-së, përgjegjës për realizimin e kontratës së lidhur me në mes NPB-së me operatorin ekonomik “Petroll Oti Sllovenia”, sh.p.k, në Prishtinë dhe të akuzuarve Hasani dhe Preva si anëtar të komisionit, me rastin e pranimit të derivateve të naftës, kishin nënshkruar raportet shpenzimit të naftës edhe pse nuk kishin qenë të autorizuar.

Kështu, për shkak të menaxhimit të dobët dhe prezantimit të gabuar të naftës për ngrohje, është konstatuar nga Auditorit i Brendshëm në NPB dhe eksperti financiar se kishte pasur mungesë të derivateve të naftës prej 3.950 litra apo 3.738.88 euro, me ç’rast është dëmtuar NPB.

Prokuroria tre të akuzuarit po i ngarkon me veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 paragrafi 1, i KPRK-së. /BetimipërDrejtësi