Shitet kafja në një lokal në Kamenicë, intervenon inspektorati dhe policia

20200323_111314
Author

Raporton: Blerim JAKUPI

Mars 23, 2020

Kamenicë – Një restorant në Komunën e Kamenicës nuk e ka respektuar vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, për mbyllje të lokalit, si masë mbrojtëse nga virusi Covid-19.

Në një prononcim për “Betimi për Drejtësi”, sipas shefit të Inspektoriatit në Komunën e Kamenicës, Liridon Beqiri, i njëjti lokal gjatë së hënës ka shitur kafe, për çka sipas tij në vendin e ngjarjes kanë dalur inspektorët komunal bashkë më zyrtarët e Stacionit Policor në Kamenicë.

“Gjithçka tjetër është duke shkuar qysh duhet, vetëm për këtë lokal pas njoftimit tashmë menjëherë kanë dalur inspektorët dhe policia, dhe po mirren me rastin. Si komunë po bëjmë çdo gjë të mundur për ta respektuar vendimin e qeverisë”, ka thënë Beqiri.

I njëjti ka thënë se kanë pasur edhe një takim me ministren e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari, nga e cila kanë marrë lëvdata si drejtori e Inspektoriatit për menagjimin e kësaj situate.

Ndryshe, në një njoftim nga Komuna e Kamenicës, thuhet se ministrja e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari bashkë me kabinetin e saj ka pritur në takim të gjithë inspektorët komunal të Komunës së Kamenicës, për të biseduar në lidhje me vendimet e Qeverisë dhe urdhëresat e Ministrisë.

Sipas njoftimit, ajo ka kërkuar nga Inspektorati Komunal t’i zbatojnë vendimet e Qeverisë dhe urdhëresat e Ministrisë në përpikmëri.

“Pjesëmarrës në këtë takim ka qenë edhe përgjegjësi i Inspektoratit të Komunës së Kamenicës, Liridon Beqiri i cili mori përgëzime për punën që është duke bërë Inspektorati në Kamenicë”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit të komunës së Kamenicës, ministrja Hajdari ka thënë se “Nuk është qëllimi i Inspektoriatit që të shqiptojmë gjoba, por të marrim masa, ne dëshirojmë të ruajmë jetën e njerëzve, por njëkohësisht t’i ruajmë edhe bizneset, sepse janë të rëndësishme për ekonominë e vendit tonë”. /BetimipërDrejtësi