Shikohet vendi i ngjarjes me ekspert të gjeodezisë në gjykimin për pengim në posedim të pronës

Raporton: Berna RRUSTOLLI

Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë, të enjten ka mbajtur seancën në vend të ngjarjes me ekspertin e gjeodezisë Qemajl Hoda, në rastin ku Zh.M. ka paditur biznesmenin B.P. dhe F.B. për pengim në posedim të pronës.

Gjykatësi i rastit Dardan Kadolli me ndihmën e ekspertit Hoda, konstatoi se një pjesë e  parcelës në kontest posedohet nga “Viva”, kurse pjesa tjetër e paluajtëshmërisë ka 1 hektar, 67 ari e 61 metër katror.

Tutje, gjyqtari Kadolli konstatoi se në një pjesë të paluajtëshmërisë janë të vendosura materiale ndërtimore, pronë e të paditurve, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Tutje, gjykatësi kërkoi nga përfaqësuesja e palës paditëse, avokatja Jovana Filipoviq që të specifikojë pjesën e paluajtëshmërisë që të njëjtit pretendojnë se është bërë pengimi.

Sipas avokates Filipoviq, në tërë parcelën është bërë pengim posedimi, ku aty përfshihen 160 ari dhe se të njëjtit janë zhvendosur me detyrim nga kjo pronë.

Në fund, pas ekzaminimit të vendit të ngjarjes gjykata detyroi ekspertin të paraqesë saktësisht pjesët e paluajtëshmërisë që posedohen nga të paditurit si dhe pjesëmarrësit tjerë.

Ndryshe, sipas padisë së 1 nëntorit 2021, Zh.M. ka ushtruar padi ndaj të paditurve B.P. dhe F.B, për shkak të pengimit në posedim.

Sipas padisë, paditësi më 5 janar 2021 kishte vizituar parcelën e tij dhe ka parë se aty të paditurit kishin vendosur blloqe betoni dhe tulla, duke i bllokuar dy hyrjet në këtë parcelë, për çka e kishin lajmëruar edhe policinë.

Andaj, mbi këtë bazë paditësi kërkon të vërtetohet së të paditurit e kanë penguar në posedim të lirë dhe faktik të pronës së tij të paluajtshme në sipërfaqe prej 20000 m2.

Po ashtu, përmes padisë kanë kërkuar edhe që të obligohen të njëjtit që në të ardhmen të përmbahen nga pengimi i paditësit në posedim të lirë dhe të qetë të paluajtshmërisë dhe t’i paguajë shpenzimet e procedurës.

Ndërsa, sipas përgjigjes në padi të 23 gushtit 2021, thuhet se padia e paditësit nuk përmban asnjë fakt apo nuk i është bashkëngjitur asnjë provë se kur paditësi ka qenë në ushtrim të pushtetit faktik të paluajtshmërisë, si është zhveshur nga posedimi, në cilën kohë dhe në çfarë mënyre është bërë pengimi në posedim.

Gjithashtu, thuhet se as paditësi e as paraardhësit e tij nuk kanë qenë në posedim të paluajtshmërisë në asnjë mënyrë, andaj nuk mund të kërkojë as mbrojtje gjyqësore.

Lidhur më këtë, thuhet se të paditurit në posedim të paluajtshmërisë janë në mënyrë të ligjshme në kontratën mbi qeranë, të 8 nëntorit 2000, të lidhur me administratorin komunal të Fushë-Kosovës.

Në përgjigjen në padi thuhet se paditësi është shtetas i Republikës së Serbisë ndërsa Republika e Kosovës dhe ajo e Serbisë nuk kanë marrëveshje mes tyre për lirimin nga kaucioni aktorial për sigurimin e shpenzimeve në procedurë, për çka duke u bazuar në nenin 82 të Ligjit për Zgjidhjen e Konfiskimeve të Ligjeve me Rregullat e Shteteve të tjera, kërkojnë që të deponojë 10 mijë euro.

Tutje në përgjigjen në padi i është propozuar gjykatës që pasi t’i vlerësojë pretendimet e përgjigjes në padi, fillimisht ta detyrojë paditësin për deponimin e kaucionit aktorial, e nëse nuk e bën në afat të caktuar deponimin, ka kërkuar nga gjykata që ta konsiderojë të tërhequr padinë e paditësit. /BetimipërDrejtësi 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë