Ish-shefi i Prokurimit nuk cakton mbrojtës, shtyhet gjykimi se dëmtoi 300 mijë euro Gjilanin

Author

Raporton: Adelina Ajeti

Shtator 14, 2021

Gjilan- Për shkak se i akuzuari Salih Kqiku, ish-shef i Prokurimit në Gjilan, nuk ka caktuar mbrojtës, ka dështuar seanca e shqyrtimit fillestar ndaj tij.

Kqiku po akuzohet nga Prokuroria se i shkaktoi dëm në vlerë mbi 300 mijë euro Komunës së Gjilanit, duke i sjellë përfitim të kundërligjshëm pasuror operatorëve ekonomik “Elektring” dhe “Engrup – Edona”.

Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Aziz Shaqiri, ka njoftuar se për shkak të mungësë së angazhimit të mbrojtësit nga ana e të akuzuarit, nuk janë plotësuar kushtet për vazhdimin e seancës gjyqësore, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këto rrethana, seanca e radhës është caktuar më 23 tetor 2021.

Aktakuza e Prokurorisë Themelore në Gjilan, e ngritur më 5 gusht 2021, ngarkon Salih Kqikun se ka dëmtuar buxhetin e Komunës së Gjilanit në dy raste, duke i sjellë përfitim të kundërligjshëm pasuror operatorëve ekonomik, kompanive nga Ferizaji.

Sipas aktakuzës, i akuzuari në cilësinë e personit zyrtar, drejtor i Departamentit të Prokurimit – menaxher i Zyrës së Prokurimit në Komunën e Gjilanit, nga 22 tetori 2014 deri më 21 mars 2017, ka vepruar në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, lidhur me kontratën kornizë “Mirëmbajtja e ndriçimit publik në fshatrat e komunës së Gjilanit”, e lidhur në mes të Komunës së Gjilanit dhe kompanisë “Elektring” nga Ferizaji, e cila kontratë ka qenë trevjeçare.

Sipas aktakuzës, kontrata në fjalë ka zgjatë deri më 14 tetor 2016, përkundër që është dashur ta përmbyll të njëjtën gjatë kohës sa ka qenë menaxher, ka vazhduar me pagesa, nënshkrimin e urdhër-blerjeve duke tejkaluar vlerën e kontratës në shumë prej 79 mijë e 999 euro e 70 centë.

Thuhet se derisa me këtë i solli përfitim të kundërligjshëm pasuror operatorit ekonomik “Elektring” nga Ferizaj, ka sjellë rrezikun e rritjes së obligimeve jashtë kontraktuale dhe në këtë mënyrë ka dëmtuar buxhetin e komunës së Gjilanit.

Gjithashtu Salih Kqiku akuzohet edhe për kontratën “Hartimi i projekteve kryesore në Komunën e Gjilanit Lot II”, e lidhur mes Komunës së Gjilanit dhe kompanisë “Engrup – Edona” e cila kontratë ka qenë trevjeçare, e që ka tejkaluar vlerën në shumë prej 278 mijë e 438 euro e 21 centë, duke dëmtuar Komunën e Gjilanit e duke i diskriminuar operatorët e tjerë potencial.

Për këto veprime, sipas dispozitivit të parë dhe të dytë të aktakuzës, Kqiku akuzohet se ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422, paragrafi 1 të Kodit Penal, kryesi i së cilës dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.