Shefi i Drejtorisë së Urbanizmit në Novobërdë mohon fajësinë për korrupsion, prokurori thotë se ka prova

79924207_571479230371268_7296405199675981824_n
Author

Raporton: Blerim JAKUPI

Dhjetor 13, 2019

Gjilan – Shefi i Drejtorisë së Urbanizmit, Kadastrës dhe Mbrojtjes së Mjedisit në Komunën e Novobërdës, Selatin Beqiri, ka mohuar fajësinë për keqpërdorim pozite.

Në këtë rast, po akuzohet edhe Osman Ramadani, i cili në seancën e së premtes, në Gjykatën Themelore në Gjilan, po ashtu është deklaruar i pafajshëm për heqje apo dëmtim të vulave zyrtare ose i shenjave,  raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mbrojtësi i të akuzuarit Selatin Beqiri, avokati Artan Ibrahimi, në fjalën e tij, hyrëse deklaroi se akti akuzues nga prokuroria është i paqartë, nuk përmban fakte dhe prova të cilat vërtetojnë fajësinë e të mbrojturit të tij.

“Nuk është dhënë në mënyrë konkrete përshkrimi faktik i veprimeve inkriminuese të të mbrojturit tim, dhe se nuk është bërë e qartë se me cilat veprime është konsumuar kjo vepër, e konkretisht nuk është e qartë se cili nen apo dispozitë e ligjit për ndërtim është shkelur, por vetëm është bërë emërtimi ligjor i veprës penale dhe asgjë më shumë”, ka thënë avokati Ibrahimi.

Edhe mbrojtësi i të akuzuarit Osman Ramadani, avokati Sevdail Robelli, në fjalën e tij hyrëse, deklaroi se e kundërshtojnë në tërësi aktakuzën e prokurorisë, sipas të cilës i mbrojturi i tij, ngarkohet me veprën penale përkatëse.

“Kjo aktakuzë është kontradiktore, ku dispozitivi një dhe dy janë tërësisht në kundërshtim me njëri tjetrin dhe ne si mbrojtje me provat e propozuara nga prokuroria do ta bindim trupin gjykues se i mbrojturi im nuk e ka kryer veprën penale”, ka thënë avokati Robelli.

Ndërkaq, prokurori Isuf Sadiku, ka deklaruar se prokuroria mbetet pranë aktakuzës, sepse konsiderojnë se ka prova të mjaftueshme për të vërtetuar se të pandehurit i kanë kryer veprat penale, dhe i ka propozuar gjykatës që të vazhdojnë me shqyrtim gjyqësor.

Seanca e së premtes, ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit Hajrush Halili, hetues policor i krimeve ekonomike.

Ai ka deklaruar se ka përpiluar raporte dhe shënime lidhur me këtë rast, dhe se mbetet pranë tyre.

Ai ka thënë se si njësi hetimore kanë punuar lidhur me grumbullimin e dëshmive të rastit konkret, pasi në prokurori ishte paraqitur një kallëzim penal kundër të dyshuarve Xhevat Mehmeti, drejtor i Drejtorisë për Kadastër në Novobërdë, dhe se ata kanë punuar sipas kërkesës së prokurorisë.

“Është intervistuar pronari i objektit Osman Ramadani, dhe i njëjti ka shpjeguar prej ditës së parë për lejen për ndërtimit e objektit dhe kërkesës për mbindërtim të objektit. Pastaj kemi intervistuar edhe Xhevat Mehmetin, sepse ai ka lëshuar një aktvendim mbi ndërprerjen e punimeve, dhe më pas kemi intervistuar Selatin Beqirin”, ka thënë dëshmitari Halili.

Sipas tij, fletëpagesat për leje për mbindërtim të objektit që përmendet në aktakuzë, janë realizuar një muaj më vonë, sesa që është lëshuar leja për ndërtim, që sipas tij, do të thotë edhe pagesa është bërë para nxjerrjes së vendimit për lëshimin e lejes së mbindërtimit.

Ai ka shtuar se fillimisht bëhet kërkesa, pastaj pagesa, dhe më pas nëse ka kushte ligjore lëshohet leja përkatëse për ndërtim, e që sipas tij, nuk është zbatuar procedura, dhe këtë është dashur ta bëjë shefi i Urbanizmit, Selatin Beqiri.

Kryetari i trupit gjykues, Zyhdi Haziri, seancën tjetër për këtë rast e ka caktuar të mbahet më 6 shkurt 2020, në ora 9:00.

Prokuroria Themelore në Gjilan, më 27 maj 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Selatin Beqiri dhe Osman Ramadani, duke i ngarkuar ata me veprat penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, përkatësisht veprën penale “heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare ose i shenjave”.

Sipas aktakuzës, Selatin Beqiri gjatë muajit shtator 2018, në Novobërdë, në cilësinë e shefit të Drejtorisë së Urbanizmit, Kadastrës dhe Mbrojtjes së Mjedisit në Komunën e Novobërdës, me qëllim të shkaktimit të dëmit për personin tjetër ose për organizatën e biznesit, shpërdoron pozitën e tij zyrtare, duke tejkaluar detyrat zyrtare ose nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij.

Bazuar në aktin akuzues, i akuzuari Beqiri ka shkelur legjislacionin, përkatësisht dispozitat e Ligjit për Ndërtim nr.04L-110, në atë mënyrë që derisa i akuzuari tjetër Osman Ramadani shkon disa herë në zyrën e tij për të pranuar përgjigje për kërkesën e bërë për mbindërtim të objektit, i cili ndodhet në fshatin Pasjak të Novobërdës dhe disa qytetarë ankohen në këtë komunë për shkak të këtij mbindërtimi, dhe pas pranimit të këtyre ankesave, drejtori i Inspekcionit në vend të ngjarjes më 1 nëntor 2018, vendos shirita në objektin e mbindërtimit në fjalë dhe i lëshon aktvendim për ndalimin e punëve.

Gjithnjë sipas prokurorisë, i akuzuari Osman Ramadani vazhdon punimet për shkak të kohës e cila ishte me të reshura shiu, ndërsa pas 2 nëntorit, ai merr lejen për mbindërtim me numër të vrojtimit 09-08-2018, pra data e lëshimit të kësaj leje është para se drejtori i Inspekcionit të merr aktvendim për ndalimin e mbindërtimit dhe shiritimin e tij.

Tutje, në dispozitivin e dytë të aktakuzës, i akuzuari Osman Ramadani, më 3 nëntor 2018, në kohë të papërcaktuar, në fshatin Pasjak të Novobërdës, pasi ka pranuar aktvendim për ndërprerjen e punimeve me numër të protokollit 11 – 569, për objektin mbindërtim, në mënyrë të paautorizuar ka hequr shenjën zyrtare dhe ka vazhduar me punimet edhe pse ka qenë në dijeni se një veprim i tillë është i kundërligjshëm. /BetimipërDrejtësi