SHEF I INSPEKTORËVE MUHAMET GASHI DËSHMON NË RASTIN E “INSPEKTORËVE TË KOMUNËS SË PRISHTINËS”

Raporton: Erlina TAFA

Prishtinë – Të enjten, ka vazhduar shqyrtimi kryesor në rastin e njohur si “Rasti i Inspektorëve të Komunës së Prishtinës” përkatësisht rasti ndaj të akuzuarëve Ismet Haliti, Skender Canolli, Blerina Syla, Vehbi Abdullahu, Blerim Ibishi, Ardian Muhadri, Arbenita Ajeti, Mërgim Shala, Granit Cenaj, Drita Rukiqi dhe Qemajl Pozhegu, të cilët ngarkohen me veprat penale “pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal” lidhur me veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “falsifikimi i dokumenteve në bazë të aktakuzës të ushtruar”.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Drita Hajdari, prokurore në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, Haliti akuzohet se së bashku me Canollin, Abdullahun, Rukiqin, Sylën, Ibishin, Muhadrin, Ajetin, Shalës dhe Cenajnë në cilësinë e personave zyrtarë në Drejtorinë e Inspeksionit të Ndërtimit në Komunën e Prishtinës nuk kishin përmbushur detyrimet e tyre zyrtare duke mos i parandaluar dhe ndërprerë ndërtimet kundërligjore përgjatë periudhës 2010-2014. Për më tepër, pretendohet se të njëjtit nuk i kishin ekzekutuar vendimet për rrënimin e objekteve të ndërtuara në mënyrë kundërligjore.

Ndërkaq, Qemajl Pozhegu akuzohet për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve meqë pretendohet të ketë ndryshuar dokumentin origjinal publik gjatë shtatorit të 2013 duke pretenduar se posedon leje ndërtimi.

Edhe pse ishin ftuar 7 dëshmitarë për të dëshmuar, palët arritën të ekzaminojnë vetëm njërin prej tyre – Muhamet Gashin,  i propozuar nga Ramiz Krasniqi avokat i Ismet Halitit.

Gashi që nga viti 2012 kishte ushtruar detyrën e Drejtorit të Drejtoratit për Inspeksion dhe ishte marrë disa herë në pyetje nga prokuroria përgjatë procedurës së hetimeve. Ai tha se akoma qëndron pranë deklaratave të dhëna se në gjithë sektorët e Inspeksionit janë realizuar mbi 5000 intervenime prej të cilave 30-40% kanë qenë të drejtuara në Sektorin e Departamentit të Inspeksionit. Ai theksoi se ky sektor shquhet si ndër më të ndjeshmit në Kosovë, duke marrë parasysh numrin e vogël të punëtorëve dhe hapësirën e gjerë që të njëjtit kanë pasur detyrim të kontrollojnë, kapacitetin jo të plotë të kompanisë së rrënimit si dhe pohoi që punëtorët e këtij sektori janë kërcënuar në mënyrë konstante.

Pyetjet e avokatëve mbrojtës përgjatë seancës u drejtuan në përcaktimin e kompetencave të Inspektorëve si dhe në ç’mënyrë ishte zhvilluar puna në këtë sektor duke u bazuar në Ligjin për Sistemimin e vendeve të punës. Dëshmitari Gashi, tha se inspektorët e ndërtimit radhiten menjëherë pas shefave të sektorëve. Sipas tij, në rastet kur ekziston vendim për rrënim, leja e ndërtimit mund të lëshohet nga Drejtoria e Urbanizmit vetëm nëse e njejta e revokon vendimin për rrënim. Për më tepër, sipas dëshmitarit organizimi i procesit për rrënim bëhej në koordinim me Shefin e Sektorit, Inspektorin dhe Përmbaruesin, kurse procedura e rrënimit zhvillohej nga Inspektori i ndërtimit. Njashtu, Inspektorët e ndërtimit kanë pasur kompetencë lidhur me pezullimin apo ndërprerjen e punimeve. Një detaj tjetër në të cilin u koncentrua mbrojtja ishte fakti se Inspektorët kishin qenë të privuar nga përdorimi i vulës zyrtare të sektorit. Dëshmitari tha se një gjë e tillë ishte vendosur meqë ka ekzistuar vetëm një vulë për sektor të cilën e ka mbajtur Shefi i Sektorit përkatës.

Gashi në pyetjen e prokurorisë se a kishte pranuar ndonjë ankesë nga inspektorët e ndërtimit lidhur me atë se a ishte penguar ndonjë vendim për rrënim u përgjigj se një gjë e tillë nuk kishte ndodhur asnjëherë.

Ai disa herë u pyet të bëjë sqarimin e “Vendimit për Rrënim dhe Aktit për Rrënim”, megjithatë tha se një gjë të tillë nuk dinte ta shpjegojë. Dëshmitari në disa pyetje përgjigjej duke thënë se këto gjëra ishin përcaktuar me ligje dhe rregullore dhe ai ishte në pamundësi të ketë njohuri për to, ngase menaxhonte me pesë sektorë. Seanca e radhës u caktua për datën 5 prill 2016.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë