SHABAN TAFXHIU DËNOHET ME DY VJET BURGIM PËR ARMËMBAJTJE PA LEJE

Raporton: Verona KADRIU

Ferizaj – Shaban Tafxhiu i akuzuar për veprën penale “armëmbajtje pa leje” u dënua me burgim në kohëzgjatje prej dy vitesh. Në këtë shqyrtim gjyqësor para shpalljes së aktgjykimit dha dëshminë edhe ish-bashkëshkortja e të akuzuarit Shaban Tafxhiu, Bedrie Tafxhiu. Shpallja e aktgjykimit ndaj Tafxhiut u bë nga kryetari i trupit gjykues Ibrahim Idrizi të premten në Gjykatën Themelore në Ferizaj.

Dëshmitarja Bedrie Tafxhiu, njëherit edhe ish-bashkëshortja e të akuzuarit Shaban Tafxhiu në këtë shqyrtim gjyqësor deklaroi se si i kishte gjetur armët në banesën ku ata jetonin. Ajo tha se një ditë gjatë muajve të verës të vitit 2013, kishte shkuar për t’a pastruar banesën, pasi që e njejta ishte kontrolluar dhe bastisur nga policia disa muaj më herët sepse i akuzuari Tafxhiju në atë kohë gjithashtu kishte kryer një vepër tjetër penale”keqtrajtim apo brakisja e fëmijëve” ndaj djalit të tij Flamurit të cilin e kishte hedhur nga kati i shtatë i banesës, për të cilën vepër edhe ishte dënuar me aktgjykim të formës së prerë. Dëshmitarja deklaroi se gjatë kohës sa po pastronin banesën, në ballkonin e banesës, tek drunjët që  ishin aty, kishte parë një thesë dhe pas shikimit të tij, aty kishte vërejtur që gjenden disa armë – si granata dore, fishekë, kallashnikovë  dhe disa të tjera të cilat nuk i kujtoheshin. Për këtë ajo tha se e kishte lajmëruar policinë e që të njejtit pastaj ishin marrë me rastin dhe kishin konstatuar se ato i takojnë tani të akuzuarit Shaban Tafxhiu. Ndërsa, në pyetjen e kryetarit të trupit gjykues Ibrahim Idrizi sa i përket gjendjes shëndetësore të djalit të tyre Flamurit, ajo tha se tani është përmirësuar dhe se i është kthyer jetës së përditshmë duke vijuar shkollën.

Pas dëshmisë së dëshmitares i akuzuari dha mbrojtjen e tij, ku në pyetjet e palëve në procedurë ai deklaroi se në atë kohë kur ishin gjetur armët në banesën e tij ai ishte duke vuajtur dënimin për veprën penale ndaj djalit të tij, dhe tha se “ato armë unë kurrë nuk i kam, as nuk e kam ditë ku kanë qenë dhe as s’kam njohuri se çfarë lloje të armëve janë gjetur”. Lidhur me këtë deklarim të tij prokurorja e shtetit Florije Shamolli e ballafaqoi me deklaratën e tij të dhënë në polici më 17 korrik 2013 ku kishte thënë “armët që janë gjetur në banesë janë pajisje personale të luftës së fundit të Maqedoni dhe se në banesë i kishte prej përfundimit të luftës”, pastaj kishte thënë “se i ka pasur në terasë në një thes të drunjëve, po nuk e di se ku saktësisht i kishte lën ato”. Gjithashtu prokurorja Shamolli i lexoi edhe një fjali të dhënë gjatë deklaratës së tij në polici në atë kohë ku kishte thënë “veç bombave që më kujtohen tjerat nuk e di çfarë kanë qenë se ka kalu një kohë e gjatë”. Ndërsa për të gjitha këto i akuzuari deklaroi se në atë kohë sa ishte në burg ai ka vuajtur nga epilepsia dhe që nuk e ka ditur se çfarë ka deklaruar dhe tha që as sot nuk më kujtohen këto fjalë, ai shtoi se “ndoshta këto i ka thanë veç sa me i hjek qafe polictë”.

I akuzuari për veprën penale që i ngarkohet nuk e pranoi fajësinë, ai  gjatë gjithë procedurës procedurës e mohonte se ato armë ishin të tij bile i akuzuari deklaroi se “dyshoj që ato armë i kanë vendosur policia në bashkëpunim me ish-gruan e time dhe familjen e saj”, sepse sipas tij policia i kishte çelësat e banesës që nga koha e bastisjes së saj, ndërsa për familjen e ish-gruas së tij ai tha se dyshon tek ta sepse ata kishin pasur një djalë dëshmor në luftën e fundit në Kosovë dhe kanë pasur armë të tilla në shtëpi dhe këtë i’a kanë “kurdisur” vetëm që ai të dënohet më shumë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë