Shaban Halili dëshmon ndaj të akuzuarve në rastin e shpërthimit të pompës me gaz e cila ka përfunduar me fatalitet

Raporton: Adem KRASNIQI

Prishtinë – Në seancën e së hënës, kundër të akuzuarve Muhamet Prapashticës, Besnik Sadikut, Faton Canolli, Ahmet Frangut dhe Nafije Osmanit, të akuzuar për veprën penale shkaktim të rrezikut të përgjithshëm dhe shpërdorim të detyrës zyrtare,  ka dëshmuar Shaban Halili. Në kohën kur kishte ndodhur shpërthimi, ai kishte qenë inspektor për parandalimin e shkaktimit të zjarrit, në Komunën e Prishtinës.

Dëshmitari Halili tregoi se punën që e kishte bërë në atë kohë, ka qenë inspektimi i bizneseve që kanë bërë shitjen e derivateve të naftës dhe benzinës. Ai tregoi se objekti për të cilin bëhet fjalë në aktakuzë, i kishte pasur të gjitha paisjet e nevojshme për operim të biznesit. “Unë nuk kam dhënë pëlqim ose vendim për operim të biznesit, por vetëm kam konstatuar gjendjen ekzistuese. Në procesverbal kam shkruar se në objekt ka matës të tokëzimit dhe rrufepritës, si dhe është bërë trajnimi i punëtorëve që ta kryejnë punën e tyre në mënyrë të sigurt”, tha dëshmitari Halili.

Tutje, pala mbrojtëse, avokati Ramë Gashi tha se kompetente për konstatimin e gjendjes faktike është Ministria e Energjetikës dhe Minierave, prandaj propozoi që të thirrët përfaqësuesi i kësaj ministrie që të jep sqarimin e tij në lidhje me shpërthimin që kishte ndodhur në atë kohë.

Pas konsultimit, trupi gjykues vendosi që propozimi i avokatit Gashi të pranohet dhe këtu e ndërpreu seancën. Seanca e radhës u caktua më 25 tetor në ora 10.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Muhamet Prapashtica në cilësinë e pronarit të firmës “M-Gas petrol” gjatë vitit 2007 ka vepruar kundër ligjit, në atë mënyrë që pa leje ndërtimi ka ndërtuar pompën e derivateve “M-Gas petrol” në rrugën “Rrustem Hyseni” në Prishtinë.  Në këtë rast ndërmarrja ka rrezikuar jetën e njerëzve dhe pasuri të vlerave të mëdha, ashtu që më 15 mars 2008, gjatë furnizimit me gaz nga një autocisternë e firmës “P-Gas” nga Peja, është shkaktuar rrezik i madh për jetën ku ka ardhur deri te ndezja e gazit dhe nga lëndimet e shkaktuara kanë vdekur Bekim Muharremi dhe Ismajl Sadiku.

Tutje aktakuza ngarkon Besnik Sadikun, i cili në cilësinë e pronarit të ndërmarrjes “P-Gas” ka marrë me qira objektin e deponisë së gazit në Fushë Kosovë . I njëjti ka vepruar në kundërshtim me procedurat ligjore si dhe standardet e përgjithshme profesionale kundër kushteve të lejes për ndërtim. Në këtë mënyrë është rrezikuar jeta e njerëzve dhe pasurisë, ashtu që punëtorët nuk kanë qenë të pajisur me ADR, si dhe firma nuk ka qenë e licencuar për transportimin e lëndëve të rrezikshme ku i njëjti nuk ka aplikuar asnjë dokument të nevojshëm për zhvillimin e veprimtarisë.

I pandehuri Faton Canolli në cilësinë e vozitësit në firmën “P-Gas” në pikën e shitjes së derivateve të naftës, i pa trajnuar për transportim dhe bartjen e lëndëve të rrezikshme si dhe pa kontratë pune, gjatë procesit të furnizimit ka ardhur deri te eksplodimi i gazit.

Ndërkaq, Ahmet Frangu dhe Nafije Osmani, akuzohen se në cilësinë e inspektorëve të tregut, duke e shpërdorur detyrën zyrtare i kanë mundësuar ndërmarrjes të përfitojë dobi pasurore në mënyrë të kundërligjshme duke lejuar që të punohet pa leje valide.

 

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë