Sërish tensione në seancë, prokurorja kërkon përjashtimin e gjykatëses në gjykimin për ngacmim

IMG_20190208_091307_358
Author

Raporton: Gzime HASHANI

Shkurt 8, 2019

Prishtinë – Edhe një seancë tjetër ka kaluar me tensione midis gjykatëses Fatime Dermaku dhe prokurores Jehona Makolli-Grantolli.

Në seancën e së premtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pritej të jepej fjala përfundimtare, në rastin ku Islam Musliu po akuzohet për veprën penale të ngacmimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Por, sikur në seancën e kaluar edhe të premten, gjykimi në këtë rast është përshkuar me tensione ndërmjet prokurores Makolli-Grantolli dhe gjykatëses Dermaku.

Madje, prokurorja ka kërkuar edhe përjashtimin e gjykatëses nga gjykimi i këtij rasti.

“Kërkoj përjashtimin e gjykatëses pasi që konsideroj se çështja është prejudikuar nga gjykatësja në seancën e kaluar”, ka thënë prokurorja Makolli-Grantolli.

Gjithçka ka nisur, kur në seancën e së premtes, prokurorja fillimisht ka thënë se ka vërejtje në procesverbalin e seancës së kaluar, që ishte mbajtur më 15 janar të këtij viti, ajo kishte propozuar dëgjimin dëshmitarëve, por që gjykatësja, siç ka thënë ajo, nuk kishte marr aktvendim lidhur me propozimet e saj.

“Kam vërejtje lidhur me procesverbalin e seancës së kaluar sa i përket dëgjimit të dëshmitarit Bajram Çerkini, në rrethanën e sqarimit të takimit të tij me të pandehurin Islam Musliu dhe hoxhë Fatmir Latifi, gjykatësja e vetme gjykuese nuk ka marr fare aktvendim me të cilin refuzohet ose aprovohet ky propozim”, ka thënë prokurorja Makolli-Grantolli, e cila sërish ka propozuar që të ftohen dëshmitarët e propozuar.

Gjykatësja Fatime Dermaku, ka marr aktvendim me të cilin i ka refuzuar si të pabazuara pretendimet e prokurores lidhur me vërejtjet në procesverbalin e seancës së kaluar, pasi që ajo sipas gjykatëses, e kishte nënshkruar atë pa vërejtje.

Gjykatësja Dermaku, gjithashtu e ka refuzuar edhe propozimin e prokurores lidhur me dëgjimin e dëshmitarëve të lartpërmendur, kjo pasi që sipas saj, këta dëshmitarë kanë qenë të njohur edhe në kohën kur është ngritur aktakuza dhe të njëjtit nuk janë propozuar nga prokuroria.

Sipas gjykatëses Dërmaku, gjykata lejon marrjen e provave vetëm nëse ato nuk kanë qenë të njohura në kohën e kryerjes së veprës penale.

Më pas, kjo seancë është ndërprerë, pasi që sipas gjykatëses Dermaku, nuk mund të procedohet tutje, derisa kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, të vendos lidhur me kërkesën e prokurores për përjashtimin e gjykatëses nga ky rast, duke shtuar se seanca shtyhet për afat të pacaktuar.

Ndryshe, edhe seanca e  kaluar që ishte mbajtur më 15 janar të vitit 2019, ishte zhvilluar me tensione midis gjykatëses Fatime Dermaku dhe prokurores Jehona Makolli-Grantolli.

Në atë seancë, prokurorja Makolli-Grantolli kishte kërkuar nga gjykatësja Dermaku, që seanca të shtyhej me arsyetimin se ajo ishte e angazhuar në një seancë tjetër, e cila po ashtu kërkoi që në seancë të ftohet edhe një dëshmitar tjetër.

Lidhur me këtë kishte reaguar gjykatësja Dermaku, e cila kishte thënë se hetimet duhet të bëhen në prokurori dhe jo në gjykatë, e ku sipas saj, të gjithë këta dëshmitarë është dashur të dëgjohen në prokurori, dhe jo të ngritët aktakuza me një deklaratë të vetme.

“Ju keni të drejtë hetimet me i bo në prokurori dhe jo në gjykatë”, kishte thënë gjykatësja Dermaku.

“Neve dispozita na lejon aktakuzën me urdhër ndëshkimor”, ishte shprehur prokurorja.

“Nuk ka rëndësi prokurore pse thotë dispozita, ju keni pas mundësi që të gjithë këta dëshmitarë me i marr në pyetje, me i marr dëshmitarët, të pandehurin, të dëmtuarin, por s’keni marr mundim me i marr hiq. Keni ngritë aktakuzë me një deklaratë të vetme”, kishte reaguar gjykatësja Dermaku.

Prokurorja Makolli-Grantolli, këtë e kishte konsideruar si ndërhyrje, pasi që sipas saj, prokuroria kishte pasur prova të mjaftueshme për të ngritur një aktakuzë pa zhvillimin e hetimeve.

Prokuroria Themelore në Prishtinë më 13 shtator 2016, kishte ngritur aktakuzë kundër Islam Musilut.

Sipas prokurorisë, më 18 shkurt 2015 në fshatin Bubavec, Komuna e Malishevës, i pandehuri Islam Musliu me një sjellje të vëmendjes së vazhdueshme dhe të padëshirueshme me qëllim të ngacmimit, frikësimit të dëmtuarin Bekim Krasniqi, kishte porositur Xhevat Kryeziun që të shkonte në familjen e tani të dëmtuarit për t’i thënë së i ka borxh 100-200 mijë euro dhe që duhet t’ia jap të pandehurit.

Sipas aktakuzës me këto veprime kishte shkaktuar shqetësim të madh emocional tek i dëmtuari Bekim Krasniqi.

Me këto veprime, i akuzuari Islam Musliu, dyshohet se ka kryer veprën penale të ngacmimit nga neni 186 par. 1 i KPRK-së. /BetimipërDrejtësi