Sërish shtyhet shqyrtimi fillestar ndaj të akuzuarve për lëndim të lehtë trupor dhe armëmbajtje pa leje

01.10.
Author

Raporton: Rystem HALIMI

Tetor 1, 2020

Prizren –  Ka dështuar të mbahet shqyrtimi fillestar ndaj Hidajet dhe Sali Kolukaj të akuzuar për shkak të veprës penale armëmbajtje pa leje, si dhe ndaj të pandehurit Visar Kolukaj i cili po akuzohet për veprën penale lëndim i lehtë trupor.

Shkak për shtyrjen e kësaj seance ishte mungesa e të akuzuarve Visar dhe Sali Kolukaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Me arsyetimin e njëjtë, ky rast kishte dështuar të mbahet edhe herën e kaluar e cila ishte e paraparë të mbahet më 28 korrik 2020.

Në fillim të kësaj seance,  kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Ajser Skenderi konstatoi se përveç të akuzuarit Hidajet Kolukaj, mungojnë të akuzuarit tjerë Sali Kolukaj dhe Visar Kolukaj.

Lidhur me këtë, prokurori Genc Nixha theksoi se pas shikimit të shkresave të lëndës, është konstatuar se Hidajet dhe Sali Kolukaj janë të akuzuar për veprën penale armëmbajtje pa leje, ndërsa sa i përket të akuzuarit Visar Kolukaj, ai po akuzohet për veprën penale lëndim i lehtë trupor, theksoi prokurori Nixha.

“Duke u nisur nga fakti se Visar Kolukaj gjendet në botën e jashtme, konkretisht në Gjermani dhe se tash është e pamundur sigurimi i prezencës së tij në këtë kohë të pandemisë, neve si prokurori propozojmë që gjykata të bëjë veçimin e lëndës, pasi që Visar Kolukaj është i akuzuar për veprën penale të lëndimit të lehtë trupor, e që bie në kompetencë të departamentit të përgjithshëm dhe nuk ka kurrfarë ndërlidhje me dy të akuzuarit tjerë të cilit janë për armëmbajtje pa leje” theksoi prokurori Nixha.

Nga ana tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Visar Kolukaj, avokati Fitim Shporta ( sipas detyrës zyrtare ) nuk e kundërshtoi propozimin e prokurorit Nixha, duke shtuar se ka kontaktuar me familjen e të mbrojturit të tij,  por i njëjti nuk ka mundur të jetë prezent shkaku i pandemisë.

Pas këtyre, gjykatësja Ajser Skenderi mori aktvendim për aprovimin e kërkesës së prokurorit Nixha, duke njoftuar se “veçohet procedura penale sa i përket të akuzuarit Visar Kolukaj, për veprën penale lëndimi i lehtë trupor nga neni 188, paragrai 1 të Kodit Penal”, duke shtuar se kjo lëndë bie në kompetencë të departamentit të përgjithshëm.

Shqyrtimi i sotëm u ndërpre, të njëjtin gjykatësja Skenderi e caktoi të mbahet më 23 tetor 2020, në ora 10:00.

Sipas aktakuzës, Hidajet Kolukaj më 14.04.2017, në shtëpinë e tij në fshatin Petrovë, Komuna e Prizrenit, në kundërshtim me ligjin mban në pronësi armën e tipit pushkë automatike me numër 12127923, dy karikator të pushkës automatike, të cilat i ka mbajtur pa leje nga organi kompetent.

Me këto veprime sipas aktit akuzues i akuzuari Hidajet Kolukaj, ka kryer veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Të akuzuarin Visar Kolukaj, prokuroria e akuzon se më 14.04.2017, rreth orës 13:45 minuta, në fshatin Petrovë të Komunës së Prizrenit, me qëllim e përdor forcën ndaj personit tjetër, në atë mënyrë që për shkak të një mosmarrëveshje që kishin lidhur me një qen i cili e kishte kafshuar nënën e të dëmtuarit Debatik Kolukaj, i pandehuri Visar Kolukaj e ka sulmuar me grushte në pjesë të ndryshme të trupit të dëmtuarin Debatik Kolukaj, me ç’rast i shkakton lëndime të lehta trupore.

Me këto veprime i akuzuari Visar Kolukaj, ka kryer veprën penale lëndimi i lehtë trupor./BetimipërDrejtësi