SËRISH SHTYHET SEANCA NDAJ ZYRTARËVE TË KOMUNËS SË KAÇANIKUT PËR SHPËRDORIM TË DETYRËS ZYRTARE

Raporton: Verona KADRIU

Ferizaj – Shqyrtimi gjyqësor  i caktuar të mbahej më 13 korrik 2016 në ora 11:00, ndaj pesë të akuzuarve Fatos Koxha, Zekirja Koxha, Vedat Dema, Bujar Dullovi dhe Betim Shala për veprën penale “shpërdorimi i detyrës zyrtare apo autorizimit” në bashkëkryerje, nuk u mbajt për shkak të mungesës së anëtarit të trupit gjykues Imri Sejda dhe prokurori i çështjes, Rasim Maloku.

Kryetari i trupit gjykues Musa Koxheli konstatoi se anëtari i trupit gjykues, gjykatësi Imri Sejda e kishte lajmëruar se në ora 11:00 nuk mund të jetë prezent në gjykim, mirëpo i kishte thënë se do të vie prej orës 13:00, por në ora 13:00 prokurori i çështjes Rasim Maloku e kishte njoftuar kryetarin e trupit gjykues se  ai nuk mund të jetë prezent, andaj për shkak të mosplotësimit të kushteve ligjore për zhvillimin me rregull të shqyrtimit gjyqësor, Konxheli njoftoi se seanca do të shtyhet për 19 korrik 2016 në ora 09:00.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Ferizaj Fatos Koxha, Zekirja Koxha, Vedat Dema,Betim Shala dhe Bujar Dullovi në bashkëkryerje akuzohen për veprën penale “falsifikimi i dokumenteve zyrtare” nga neni 348 paragrafi 1 lidhur me nenin 23 të Kodit Penal të Kosovës, sepse me datë 14 korrik 2011, në Kaçanik, si persona zyrtarë dhe atë i pandehuri i parë si Kryetar i komisionit për vlerësim të ofertave kurse të pandehurit e tjerë si anëtarë të komisionit i themeluar në bazë të vendimi 01 numër 16-35510/11 të datës 14.07.2011 për tenderin me numër të prokurimit KA652 11 02 7521 i shpallur nga Komuna e Kaçanikut me destinim”rehabilitimi i gjelbërimit në rrugën “Ismajl Raka” në Kaçanik”, në raportin e vlerësimit të ofertave të operatorëve ekonomik NNP “ATC-Com”, NNP “Area”, SHPK “Alfa”, SHPK “Megi Bau GMBH”, kanë paraqitur të dhëna të pavërteta për kushtet teknike dhe profesionale dhe përgjegjshmërinë për operatorin NNP “Area”, se i mungojnë referencat për punët e kryera dhe vërtetimi për qarkullimin financiar edhe pse operatori ekonomik i kishte plotësuar këto kritere, kështu që i kanë rekomanduar Zyrës së Prokurimit miratimin e ofertës të operatorit ekonomik NNP “ATC-Com”,- në vlerë prej 66,573,40 euro në kundërshtim me nenin 32.4 të Ligjit të Prokurimit Publik të Republikës së Kosovës numër 03/L-241, të cilit operator i kanë munguar referencat për punët e kryera dhe çmimi i ofertuar ka qenë më i lartë se i operatorit ekonomik NTP “Area” e cila kishte ofertuar me çmimin prej 45,149,35 euro.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë