Sërish shtyhet gjykimi për korrupsion ndaj ish-gjykatësit Puka dhe pesë avokatëve

IMG_1180
Author

Raporton: Leotrim GASHI

Shkurt 18, 2020

Prishtinë – Ka dështuar të mbahet shqyrtimi i dytë në rastin ndaj ish-gjykatësit Kolë Puka dhe pesë avokatëve Zef Marleku, Lon Palushaj, Isa Salihi, Fatbardh Makolli dhe Besnik Nikqi, të cilët po akuzohen për vepra të korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Shkak i dështimit të kësaj seance ka qenë mosgatishmëria e mbrojtësit të të akuzuarit Kolë Puka, avokatit Kadri Bicaj që të mbaj gjykimin në mungesë të shkresave të lëndës.

Bicaj tha se para disa ditësh është caktuar nga Oda e Avokatëve të Kosovës, si avokat sipas detyrës zyrtare i Pukës, por ai tha se akoma nuk është pajisur me shkresat e lëndës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokurorja Fikrije Fejzullahu, tha se është shqetësuese që për arsye të ndërrimit të avokatëve kanë dështuar disa seanca të këtij rasti, por ajo tha se avokatin Bicaj, brenda dy ditësh do ta pajisë me të gjitha shkresat e lëndës.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Musa Konxheli vendosi që seanca e radhës të caktohet për 10 mars 2020, në ora 10:00.

Ndryshe, kjo është hera e katërt me radhë që shqyrtimi i dytë është duke dështuar që të përfundohet.

Seanca e 25 nëntorit 2019, kishte dështuar pas kërkesës së ish-mbrojtësit të Pukës, avokatit Nexhat Xharrës, që të sqarohet rrethana nëse Puka, është duke u gjykuar për një çështje penale, për të cilën më parë është vendosur me vendim të formës së prerë.

Ndërsa, për shkak të mungesës së të akuzuarit Besnik Nikqi, që kishte munguar për arsye shëndetësore, kishin dështuar edhe seancat e 13 dhjetorit 2019 dhe 24 janarit 2020.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), për këtë rast. përmban veprat penale: “krim i organizuar”, “nxjerrja e kundërligjshme e vendimeve gjyqësore” “keqpërdorim i pozitës apo autorizimit zyrtar”, “mashtrimi” dhe vepra tjera penale.

Ndryshe, në seancën fillestare të mbajtur më 26 shtator 2019, ish-gjykatësi Kolë Puka dhe pesë avokatët Zef Marleku, Lon Palushaj, Isa Salihi, Fatbardh Makolli dhe Besnik Nikqi ishin deklaruar të pafajshëm për vepra penale që lidhen me korrupsion dhe krim të organizuar.

Ndryshe, ky rast fillimisht kishte qenë në Departamentin e Krimeve të Rënda, mirëpo me funksionalizimin e Departamentin Special, në seancën e 17 prillit 2019, kishte kaluar në këtë departament.

Aktakuza e parë për këtë rast ishte ngritur më 12 dhjetor 2013, ndërsa ishte precizuar me 14 nëntor 2014, 30 qershor 2017 dhe 14 gusht 2017.

Sipas aktakuzës, të gjithë të pandehurit kishin marrë pjesë në grupin e strukturuar kriminal, i cili ka vepruar në kohë dhe hapësirë të caktuar e që objekt sulmi kanë qenë kompanitë e sigurimeve që kanë qenë duke vepruar në Republikën e Kosovës.

Këtë grup, aktakuza thotë se e ka krijuar, udhëhequr, mbikëqyrur e kontrolluar ish-gjykatësi i Klinës, Kolë Puka.

Sipas aktakuzës, Puka arriti të krijojë marrëveshje me anëtarët e grupit kriminal që të imagjinojnë raste gjyqësore, të nxjerrin vendime të kundërligjshme, të falsifikojnë dokumente, të paraqesin rrejshëm fakte, të keqpërdoret pozita apo autoriteti zyrtar, si dhe të mos respektohet kompetenca gjyqësore. E krejt kjo, siç thuhet, me qëllim që të ketë përfitim të kundërligjshëm të mjeteve financiare me vlera të mëdha, në dëm të të tjerëve në kohë sa më të shpejtë dhe sa më të lehtë.

Sipas aktit akuzues, Puka kishte lidhur marrëveshje për përfitim të kundërligjshëm me avokatë të cilët ishin të parët në zinxhirin e aktivitetit kriminal pas Kolë Pukës, si Zef Marleku dhe Lon Palushaj.

Në aktakuzë thuhet se Zef Marleku, i ka dhënë autorizim Pukës që të ketë qasje në xhirollogarinë e tij bankare, përmes të cilës ka operuar me vlera të mëdha në mënyrë të kundërligjshme. Pastaj, është lidhur marrëveshje me përfaqësuesit e Kompanive të Sigurimeve në mënyrë që gjatë shqyrtimit gjyqësor të pajtohen me propozimet-vendimet e Kolë Pukës nga pozita e gjyqtarit si Isa Salihi, Fatbardh Makolli dhe Besnik Nikqi. E më tutje, aktakuza thotë se u krijua marrëdhënie edhe me mjekët specialistë, kryesisht të ortopedisë si tani të ndjerin Bedri Bakalli.

Ky aktivitet, sipas aktakuzës, ka zgjatur nga viti 2004, deri në vitin 2008. Me këtë aktivitet, sipas aktakuzës, kanë ndarë mes vete në mënyrë të kundërligjshme vlerën prej 1.225.927.93 euro.

Aktakuza thotë se me veprimet e të gjithë të pandehurve, përfshihen elementet e veprës penale të krimit të organizuar.

Kolë Puka akuzohet për nxjerrje të kundërligjshme të vendimeve gjyqësore e keqpërdorim të pozitës apo autorizimit zyrtar.

Zef Marleku dhe Lon Palushaj akuzohen për keqpërdorim të besimit. Fatbardh Makolli dhe Besnik Nikqi akuzohen për mashtrim dhe keqpërdorim detyre, si dhe Isa Salihi akuzohet për keqpërdorim të pozitës apo autorizimit zyrtar.

Ndryshe, Kolë Puka, ka qenë i akuzuar edhe në një rast tjetër penal dhe i cili më 28 qershor të vitit 2017, është dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 48 muaj burgim efektiv, 5.000 euro gjobë dhe ndalim të ushtrimit të funksioneve publike për tre vjet.

Puka ishte shpallur fajtor në tre nga katër pikat e aktakuzës për të cilat akuzohej.

Për pikën e parën të aktakuzës, nxjerrje e vendimeve të kundërligjshme gjyqësore, Puka është shpall fajtor dhe është dënua me 18 muaj burgim.

Për pikën e dytë të aktakuzës, keqpërdorim i pozitës zyrtare, vepër e cila u rikualifikua për shkak se është ligj më i favorshëm, gjykata e  kishte shpallur Kolë Pukën fajtor dhe e ka dënuar me 24 muaj burgim.

Ish-gjyqtari Puka ishte gjetur fajtor edhe për pikën e tretë të aktakuzës, pastrim i parave, dhe ishte dënuar më 18 muaj dhe 5.000 euro dënim me gjobë.

Ndërkohë, për veprën penale të shmangies nga tatimi, gjykata e kishe shpallur Pukën të pafajshëm.

Kurse, më 14 dhjetor të vitit 2017, Gjykata e Apelit ia kishte vërtetuar dënimin me burgim ish-gjykatësit Kolë Puka.

Nga i akuzuari janë konfiskuar paluajtshmëritë e përfituara nga kryerja e veprës penale më vlerë mbi një milion euro (1.000.000.00) dhe atë, një banesë në Klinë, një banesë në Prishtinë, patundshmëria (në të cilën është e ndërtuar një shtëpi) në Ulqin, të Malit të Zi, në sipërfaqe prej 308 m2, patundshmëria (livadh) po në Ulqin, në sipërfaqe prej 171 m2, një lokal afarist në Klinë, një automjeti “Audi A6”, si dhe mjetet financiare nga shtija e dy lokaleve afariste.

Po ashtu, ish-gjykatësi Puka me 4 shkurt 2019, është shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Prishtinë edhe për pastrim të parave dhe është dënuar me një vit burgim dhe me 3.000 euro gjobë.

Ky aktgjykim ishte shpallur nga gjykatësja Nushe Kuka-Mekaj, pasi Puka ishte gjetur fajtor se gjatë viteve 2004 – 2008, duke qenë i vetëdijshëm që paratë ishin produkt i aktivitetit kriminal dhe me qëllim të fshehjes së prejardhjes së parave në vlerë prej 1.200.000 euro, kishte blerë prona të ndryshme.

Në aktakuzë thuhet se Puka në Klinë kishte blerë dy apartamente, një lokal dhe një ndërtesë dy katëshe, në Mal të Zi kishte blerë dy parcela, ndërsa në Prishtinë, në lagjen “Ulpiana”, kishte blerë një apartament. /Betimipërdrejtësi