Sërish mungon ish-asamblisti i Komunës së Drenasit, dështon gjykimi për konflikt interesi

Rasti i Ajet Demirit 10.06.2019
Author

Raporton: Kaltrina AJVAZI

Qershor 10, 2019

Prishtinë – Mungesa e serishme e ish-asamblistit të Komunës së Drenasit, Ajet Demiri, i akuzuar për konflikt interesi, ka bërë që të dështojë gjykimi ndaj tij, i paraparë për të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Ndryshe, nga seanca e kaluar kur i akuzuari kishte arsyetuar mungesën, për këtë seancë, sipas gjykatëses Violeta Namani nuk ka provë se Demiri ka pranuar ftesën me rregull.

Gjykatësja Namani tha se nëse gjykata vërteton se Demiri ka pranuar ftesën, por nuk i është përgjigjur asaj, ndaj tij do të lëshohet urdhër për sjellje me detyrim.

Në këto rrethana, pas mos përmbushjes së kushteve të nevojshme për vazhdim të këtij procesi gjyqësor, seanca është shtyrë për 7 korrik 2019, në orën 09:30.

Ky rast kishte kaluar nga gjykatësi Vehbi Kashatnjeva, i cili ka dal në pension, tek gjykatësja Violeta Namani, por që dy seanca po dështojnë në mungesë të të akuzuarit.

Demiri edhe në seancën e 31 majit nuk ishe paraqitur në gjykim me arsyetimin se kishte një seancë tjetër në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega në Drenas.

Në këtë seancë ishte planifikuar të dëgjohej dëshmitarja Florje Smajli, e cila ishte ftuar me ftesë të rregullt. Prezent ishte edhe prokurorja Merrushe Llugiqi.

Ndryshe, ky rast është duke u zhvilluar sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 29 mars 2017 e cila Ajet Demirin e ngarkon me veprën penale “konflikt i Interesit” nga neni 424 paragrafi 1 I KPRK-së.

Sipas aktakuzës, Demiri, në cilësinë e këshilltarit në Kuvendin Komunal në Drenas, ka rënë ndesh me ligjin pasi që për interesa private të drejtpërdrejta, personale pasurore, ka shfrytëzuar funksionin publik për të përfituar për vete.

Kjo, pasi siç pretendon prokuroria, Demiri duke qenë si pronar i biznesit privat N.N.P “Pro-Ing”, gjatë vitit 2013-2015, në Komunën e Drenasit, firma e tij “Pro-Ing”, ka fituar disa tenderë dhe ka lidhur shtatë kontrata.

Sipas aktakuzës, ndër kontratat ishin, renovimi i kulmit në SHFMU “Rexhep Xheli” në Likoshan, renovimi i dyshemesë në SHFMU “Mehmet Gradica” në Gradicë, renovimi i objektit të Kryqit të Kuq-faza e dytë, etj.

Për këto kontrata, Demiri sipas aktakuzës, ka autorizuar që me firmën e tij, NNP “Pro-ing”, të administrojë dhe menaxhojë Florije Smajli, me të cilën edhe bashkëjeton dhe e njëjta ka nënshkruar këto kontrata, kurse në njoftimin për dhënien e kontratës nga Autoriteti Kontraktues i Komunës së Drenasit, është shkruar emri i të pandehurit si person kontaktues për aktivitetet e prokurimit. /Betimipërdrejtësi