Sërish mungojnë dëshmitarët, për herë të tretë dështon gjykimi për marrje ryshfeti ndaj rojës së pyllit në Viti

8752
Author

Raporton: Genta PAJAZITI

Nëntor 18, 2019

 

Gjilan – Në Gjykatën Themelore në Gjilan, për të tretën herë me radhë, ka dështuar të mbahet seanca e shqyrtimit gjyqësor, ndaj të akuzuarit për marrje ryshfeti, Sabri Miftari.

Si shkak i mos mbajtjes së këtij shqyrtimi gjyqësor, që ishte paraparë për të hënën, ka qenë mungesa e dy dëshmitarëve, Reshat Bajrami dhe Besim Ukaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sabri Miftari akuzohet se duke qenë në pozitën e rojtarit të pyllit në Drejtorinë për Pylltari në Komunën e Vitisë, në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë, ka kërkuar dhe pranuar për vete dhuratë, përkatësisht të holla nga i akuzuari tjetër Reshat Bajrami, në atë mënyrë që duke kërkuar dhe marrë të holla për të mos vepruar në pajtim më detyrën e tij zyrtare, e ka lejuar Reshat Bajramin, që në mënyrë të kundërligjshme të marrë dru në pyllin e pronës shoqërore.

I akuzuari për dhënie ryshfeti, Reshat Bajrami, në seancën e 5 dhjetorit 2018, e ka pranuar fajësinë dhe më 10 dhjetor 2018, ai ishte dënuar me tre muaj burgim me kusht, me afat verifikimi prej dy vjetësh, kurse ndaj Sabri Miftarit, ishte veçuar procedura.

Kryetari i trupit gjykues, Islam Thaçi, bëri të ditur se ndaj dëshmitarëve Bajrami dhe Uka, ishte lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mirëpo, gjykatësit Thaqi, gjykata ishte njoftuar përmes telefonit nga Stacioni Policor, se urdhëresa ndaj dëshmitarëve nuk ka mundur të realizohet, me arsyetimin se ai nuk gjenden në shtëpi.

Gjykatësi Thaçi, seancën e radhës e ka caktuar të mbahet më 31 janar 2020, në ora 9:30, ku prokurori Shaban Spahiu dhe i akuzuari Sabri Miftari, bashkë me mbrojtësin e tij, me autorizim, avokatin Shemsedin Piraj, janë njoftuar gojarisht për mbajtjen e saj.

Ndërkaq, sipas gjykatësit Thaçi, ndaj dëshmitarëve Bajrami dhe Ukaj do të përsëritet urdhëresat për sjellje me dhunë.

Ndryshe, edhe seanca e 24 qershor dhe ajo e 23 shtatorit të këtij viti, kishte dështuar të mbahet për shkak të mungesës së dëshmitarëve të njëjtë.

Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjilan, të ngritur më 28 mars 2017, Sabri Miftari akuzohet për veprën penale “marrje ryshfeti”, kurse Reshat Bajrami  akuzohej për veprën penale “dhënie ryshfeti”.

Sipas aktakuzës, duke qenë në pozitën e zyrtarit-rojtarit të pyllit pranë Drejtorisë për Pylltari në Komunën e Vitisë, në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë ka kërkuar dhe pranuar për vete dhuratë, përkatësisht të holla nga i akuzuari tjetër Reshat Bajrami, në atë mënyrë që duke kërkuar dhe marrë të holla për të mos vepruar në pajtim më detyrën e tij zyrtare, e ka lejuar Reshat Bajramin, që në mënyrë të kundërligjshme të marrë dru në pyllin e pronës shoqërore.

Në aktakuzë thuhet se, në vitin 2013, në kohë dhe datë të papërcaktuar, i akuzuari Sabri Miftari ka pranuar shumën prej 60 euro nga Reshat Bajrami, kurse në vitin 2014 ka pranuar shumën prej 100 euro, kurse gjatë këtij viti ka pranuar shumën prej 50 euro përmes Besim Ukës, në këtë mënyrë i akuzuari Sabri Miftari e kishte lejuar Reshat Bajramin që të marr dru në pyllin e pronës shtetërore në mënyrë të kundërligjshme-pa pagesë.

Ndryshe, i akuzuari Reshat Bajrami, sipas aktakuzës, i ka dhënë para të akuzuarit Sabri Miftari, në mënyrë që mos të veprojë në pajtim më detyrën e tij zyrtare, duke i lejuar Bajramit marrjet e druve në mënyrë të kundërligjshme.

Prokuroria pretendon se, i akuzuari Sabri Miftari ka kryer veprën penale “marrje e ryshfetit” nga neni 428 paragrafi 1, kurse për të akuzuarin Reshat Bajrami, pretendon se ka kryer veprën penale “dhënie e ryshfetit” nga nenin 429 paragrafi 1 i KPRK-ës. /BetimipërDrejtësi