Sërish dështon rigjykimi ndaj të akuzuarve se të armatosur dhe me maska grabitën bastoren në Prishtinë

viber_image_2020-02-13_13-39-19
Author

Raporton: Gzime HASHANI

Shkurt 13, 2020

Prishtinë – Ka dështuar sërish gjykimi ndaj dy të akuzuarve për grabitje me maska në vitin 2011 në Prishtinë, Agron Gashi dhe Alfred Sinani.

Shkak për dështimin e seancës së paraparë për të enjten ishte përsëri mungesa e të akuzuarit Sinani, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Edhe pse ndaj të njëjtit ishte lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Lutfi Shala, bëri të ditur se ka qenë e pamundur sigurimi i prezencës së tij në seancën e së enjtes.

Shala tha se i akuzuari Sinani është në vuajtje të dënimit për një vepër tjetër penale, sipas aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Gjilan.

“Kemi lëshu urdhëresë për sjellje me dhunë nga stacioni policor, mirëpo rreth orës 11:25 na ka ardh një njoftim, se i akuzuari Sinani është zënë nga Policia, sipas një urdhërese të lëshuar nga një gjykatës në Gjykatën Themelore në Gjilan, për vuajtje të dënimit” tha gjykatësi Shala.

Ai shtoi se meqenëse për këtë është njoftuar shumë vonë, kishte qenë e pamundur sigurimi i prezencës së të akuzuarit Sinani për këtë seancë.

Ndryshe, prezent në sallë të gjykimit ishin mbrojtësit e të akuzuarve, avokatët Agron Gashi dhe Luljeta Jashari, prokurori Ilaz Beqiri dhe dëshmitarët e propozuar në aktakuzë, Albin Makolli, Armend Vitia dhe Vetin Vitia.

Edhe seanca e caktuar të mbahej me 6 shkurt ishte shtyrë pikërisht për shkak mos prezencës së të akuzuarit Sinani, për çka gjykatësi kishte lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim.

Seanca e radhës pritet të mbahet më 21 shkurt 2020, nga ora 13:00,  ku për sjelljen e të akuzuarve do të lëshohen urdhëresa për njësitin e transportit të Shërbimit Korrektues për sjelljen e të akuzuarve.

Ndryshe, lidhur me këtë rast ishte vendosur dy herë, fillimisht ish-Gjykata e Qarkut në Prishtinë më 15 mars 2012, të akuzuarit i kishte shpallur fajtorë për veprën penale të grabitjes duke i dënuar me nga 3 vite burg.

Gashi ishte shpallur fajtorë edhe për dy vepra të tjera të grabitjes dhe dy të armëmbajtjes, për çka gjykata ndaj tij kishte shqiptuar dënim unik në kohëzgjatje prej 6 vjetësh.

Pas ankesave të ushtruar nga mbrojtësit e të akuzuarve, Gjykata e Apelit këtë çështje e kishte kthyer në rigjykim.

Pas rigjykimit, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 26 dhjetor 2013, të akuzuarit i kishte gjetur fajtorë  për veprën penale të grabitjes.

Gjykata ndaj të akuzuarit Gashi kishte shqiptuar dënim unik me burg, në kohëzgjatje prej 4 vjet e 6 muaj, ndërkaq për të akuzuarin Sinanaj 3 vjet burg efektiv.

Por më 19 janar 2015, Gjykata e Apelit e kishte anuluar aktgjykimin e shkallës së parë pas aprovimit të ankesave të mbrojtësve të të akuzuarve, dhe çështjen e kishte kthyer në rigjykim.

Në arsyetimin e Apelit thuhet se aktgjykimi i shkallës së parë është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave ligjore.

Ndryshe sipas aktakuzës së ngritur më 19 maj 2011 nga ish-Prokuroria Publike e Qarkut, kishte ngritur aktakuzë ndaj Agron Gashi dhe Alfred Sinani.

Në pikën një të këtij dispozitivi, ata akuzoheshin se në bashkëkryerje, më 23 janar 2011, me qëllim që vetës ti sillnin dobi pasurore të kundërligjshme, të armatosur, me maska dhe nën përdorimin e forcës kishin grabitur bastoren “Lumi” në Hajvali.

Ata akuzohen se natën kritike ishin futur në lokal, dhe të dëmtuarve Hasan Borovci, Bashkim Baftia,dhe Blind Vrajolli, u kishin shkaktuar lëndime trupore dhe nga ta kishin arritur ti marrin fillimisht 500 euro, e pastaj edhe 2100 euro.

Pika dy e  aktakuzës, Gashin e ngarkon edhe me një vepër tjtër të grabitjes, pasi që i njeti më 16 nëntor 2010 në Hajvali, afër lokalit “Fini” me qëllim të përvetësimit të sendeve të huaja të dëmtuarit Albin Makolli dhe Veton Vitia, u nxerr thikën dhe nën kërcënimin nga ta merr telefonat e tyre.

Në pikën tre të kësaj aktakuze, Gashi akuzohet se më 1 dhjetor 2012, në Hajvali, me qëllim të përvetësimit të sendeve të huaja të dëmtuarit Kastriot Fazliu, Besart Vitia dhe Fitim Fetahu, në oborrin e shkollës “Shkëndija” nxjerr thikën dhe  revolen e tipit të panjohur duke arritur që nga të dëmtuarit të marr telefona. /Betimipërdrejtësi