Sërish dështon gjykimi për keqpërdorim detyre dhe marrje ryshfeti ndaj pylltarit dhe të akuzuarit tjetër

Raporti për web- rasti Ismet Tahiri etj, 14 maj 2019
Author

Raporton: Saranda MEHANA

Maj 14, 2019

Mitrovicë – Të martën, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, ka dështuar ta mbahet seanca e shqyrtimit fillestar ndaj të pylltarit Ismet Tahiri, i cili akuzohet për keqpërdorim detyre dhe marrje të ryshfetit, si dhe të akuzuarit për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, Sylë Fejza.

Shkak për mos mbajtjen e kësaj seance, ka qenë mungesa e përfaqësuesit nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë si dhe e të akuzuarit Sylë Fejza.

Sylë  Fejza, po akuzohet se më 8 qershor 2016, ka kanosur pylltarin Ismet Tahiri duke e penguar atë në kryerjen e detyrës zyrtare, përderisa Ismet Tahiri, po akuzohet se në cilësinë e pylltarit, ka kryer veprat penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe marrjes së ryshfetit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi Radosllav Markoviq, ka njoftuar se në seancën e së martës nuk është prezent asnjë përfaqësues nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë.

Aktakuzën në këtë rast e ka përpiluar prokurori Naim Beka dhe nuk dihet nëse i njëjti edhe e përfaqëson atë.

Ndërsa, për mungesën e të akuzuarit Fejza, sipas gjykatësit Markoviq, fletëkthesën e ka pranuar dikush tjetër në vend të tij, e në këto rrethana, ai ka thënë, se për të njëjtin për seancën e radhës fletëkthesa do t’i dërgohet përmes Stacionit Policor.

Kurse, i pranishëm në këtë seancë ishte i akuzuari Ismet Tahiri, si dhe mbrojtësi i tij, avokati Skender Musa.

Ndryshe, edhe seanca e 5 prill 2019, ishte shtyrë për shkak të mungesës së të akuzuarit Sylë Fejza.

Seanca e së martës është shtyrë më 7 qershor 2019, në ora 09:30, me ç` rast gjykatësi Markoviq ka njoftuar se prokurori i shtetit do të ftohet përmes ftesës së rregullt, ndërkaq, për të akuzuarin prezent Ismet Tahiri dhe avokatin Skender Musa komunikimi në seancë vlen në vend të thirrjes së rregullt.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, të ngritur më 29 nëntor 2018, Ismet Tahiri, po akuzohet se më periudhën kohore Prill-Maj 2016, në fshatin Zabërgj të Komunës së Mitrovicës, në cilësinë e personit zyrtar, në rastin konkret pylltar, ka pranuar përfitim për vete nga Nimon Fejza.

Bazuar në aktakuzë, i akuzuari Tahiri duke mos vepruar në pajtim me detyrën e tij, ka lejuar që personi Nimon Fejza, pa leje përkatëse të presë dru në vendin e quajtur te “Kërshat e këqij” dhe të njëjtat t’i transportojë për t’i shitur në Mitrovicë, ashtu që për çdo transporti nga Fejza, për katër raste ka pranuar shumën prej 50 euro, e që gjithsej shuma e parave të kërkuara dhe të pranuara arrijnë vlerën 200 euro.

Ndërkaq, në  pikën e dytë të aktakuzës, Ismet Tahiri po akuzohet se në kohën dhe vendin e njëjtë si në pikën e parë të dispozitivit të aktakuzës, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare ka tejkaluar kompetencat e tij, pavarësisht se në cilësinë e pylltarit ka pasur për obligim që të mbrojë pyllin shtetëror  nën mbikëqyrjen e Agjencisë Pyjore të Kosovës.

Në vazhdim të aktakuzës, thuhet se i akuzuari Tahiri nga veprimet e tij, i ka sjellë dobi Nimon Fejzës, ashtu që në katër raste drurët e prera i ka bartur me kamion dhe i ka shitur më pas në Mitrovicë, në shumë prej 500 euro për secilin, duke i shkaktuar dëm Agjencisë Pyjore të Kosovës.

Me këtë, Ismet Tahiri, po ngarkohet për kryerjen e veprave penale “marrja e ryshfetit” nga neni 428 paragrafi 1 dhe veprën penale “keqpërdorim i i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422  paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Pika e tretë e dispozitivit të aktakuzës, e cila i referohet të akuzuarit tjetër në këtë rast, Sylë Fjeza, këtë të fundit e ngarkon me veprën penale të pengimit të personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Fejza, më 8 qershor 2016, u ka bllokuar rrugën  personave zyrtarë dhe atë pylltarëve Ismet Tahiri dhe Ramadan Salihu, të cilët thuhet se ishin duke kryer detyrat e tyre zyrtare ashtu që përderisa ishin duke lëvizur me automjetin zyrtar, i akuzuari Fejza, e kanos  pylltarin Ismet Tahiri, duke e sharë dhe duke iu vërsulur, e që siç thuhet në aktakuzë, të njëjtit detyrohen që me automjetin zyrtar të futen në një rrugë anësore dhe të rikthehen përsëri në rrugën kryesore.

Me këtë,  Sylë Fejza ngarkohet me veprën penale “pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare” nga neni 409 paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi