Sërish dështon gjykimi ndaj të akuzuarve për falsifikim, lënda edhe më afër parashkrimit

47438212_264812697537412_7456840756670496768_n
Author

Raporton: Gzime HASHANI

Dhjetor 6, 2018

Prishtinë – Mungesa e të akuzuarit Fetah Ahmetaj, është bërë shkak i shtyrjes së seancës në rastin gjyqësor kundër tij dhe Ardian Balajt, Gëzim Abazit dhe Bakim Bajramit, të cilët akuzohen se me anë të falsifikimit të kontratave, kishin shitur veturat pronë e të dëmtuarit Kadri Sjarina.

Kurse, Balaj akuzohet edhe për veprën penale të legalizimit të përmbajtjes së rremë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi i rastit, Rrustem Begolli, ka bërë të ditur se i akuzuari Ahmetaj, nuk e ka arsyetuar mungesën e tij.

Për këtë arsye, gjykatësi Begolli ka lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim për të akuzuarin që ka munguar në seancën e së enjtes.

Seanca e radhës për këtë rast është caktuar të mbahet për nesër, më 7 dhjetor 2018, me fillim nga ora 13:15.

Ndryshe, emisioni “Betimi për Drejtësi”, një ditë më parë, saktësisht më 5 dhjetor 2018, ka shfaqur hulumtimin rreth këtij rasti, i cili rrezikon të parashkruhet në janar të vitit të ardhshëm.

Hulumtimi ka zbuluar se arsyeja kryesore pse ky rast rrezikon parashkrimin është neglizhenca e Gjykatës dhe Prokurorisë Themelore në Prishtinë sa i përket sigurimit të të pandehurve në këtë rast, për mungesën e të cilëve janë shtyrë vazhdimisht seancat.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 19 shkurt 2015, të pandehurit Ardian Balaj dhe Fetah Ahmetaj me 18 janar 2013, në kompaninë “Amar”, pronë e të pandehurit Fetah Ahmetaj, kishin falsifikuar dokumentet në atë mënyrë që kishin përpiluar kontratën e shitblerjes në mes Sedat Ramadanit dhe të pandehurin Ardian Balaj, për veturën e cila ishte pronë e të dëmtuarit Kadri Sjarina.

Për shkak se i pandehuri Ardian Balaj, me po këtë kontratë kishte regjistruar automjetin e tij në Qendrën e Regjistrimit në Ferizaj, Prokuroria Themelore e Prishtinës atë e ngarkon edhe për kryerjen e veprën penale të legalizimit të përmbajtjes së rremë.

Për falsifikim të kontratave për shitjen e automjeteve, pronë e të dëmtuarit Kadri Sjarina, akuzohen edhe Gëzim Abazi dhe Bekim Bajrami.

Në aktin akuzues thuhet se me 15 janar 2013 në Kompaninë e Sigurimeve “Kroacia” në Ferizaj, i pandehuri Gëzim Abazi kishte falsifikuar dokumentin dhe kishte lidhur kontratën në mes Rama Mengjiqit si shitës dhe Munish Janozit si blerës, ku objekt i kontratës ishte vetura e të dëmtuarit Kadri Sjarina.

Ndërsa, sipas aktakuzës, Bekim Bajrami për shitjen e veturës së të dëmtuarit Kadri Sijarina, kontratën e kishte falsifikuar me 9 nëntor 2012 në kompaninë e sigurimeve “Grave Elsing” në Prishtinë.

Ky është linku i emisionit “Betimi për Drejtësi” lidhur me këtë rast.

Vjetërsimi i lëndëve në Gjykatë? (Emisioni i plotë)