Sërish dështon gjykimi ndaj ish-deputetit Frashër Krasniqi dhe dy të tjerëve, akuzohen e sulmuan policët për të mos lejuar arrestimin e Albin Kurtit

Foto (1)
Author

Raporton: Sabina PERGEGA

Shkurt 11, 2020

Prishtinë – Përsëri ka dështuar të mbahet shqyrtimi fillestar ndaj ish-deputetit Frashër Krasniqi, si dhe Vlorian Molliqajt, dhe Faton Zekës, të cilët akuzohen për veprën penale “sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare”.

Ata po akuzohen se në qershor të vitit 2010, me bashkëveprim dhe me dashje kishin sulmuar fizikisht zyrtarët policorë, duke përdorur mjetet të forta si shufra, gurë, xhama, pjesë karrige, shishe dhe gjësende tjera dhe duke i penguar në kryerjen e detyrës zyrtare, gjatë operacionit për arrestimin e Albin Kurtit, ndaj të cilit siç thuhet në aktakuzë, kishte urdhër gjykate, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këtë seancë ka munguar i akuzuari Faton Zekaj, ndaj të cilit sipas gjykatësit Alban Ajvazi, gjykata kishe lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim, mirëpo policia kishte njoftuar se nuk e kishin hasur të akuzuarit Zekaj në adresën e tij.

Sipas tij, policia kishte informuar gjykatën se i akuzuari Zekaj nuk banon në adresën të cilën e kishte lënë në polici, prandaj ai kërkoi mendimin e palëve për veçim të procedurës.

Prokurorja Fikrije Sylejmani është pajtuar që të veçohet procedura ndaj të akuzuarit Zekaj, mirëpo dy të akuzuarit Krasniqi dhe Molliqaj e kanë kundërshtuar këtë propozim pasi sipas tyre ata po akuzohen për rastin e njëjtë dhe se duhej të ishin të pranishëm që të tre.

Po ashtu, pasi dy të akuzuarit kanë deklaruar se nuk ishin pajisur me shkresat e lëndës, gjykatësi Ajvazi e ka obliguar prokuroren Sylejmani që në afat prej tre ditësh t’i pajisë të akuzuarit me shkresat e lëndës.

Ndërsa, në lidhur me veçimin e procedurës për të akuzuarin Zekaj, gjykatësi Ajvazi ka njoftuar se do të vendosë me vendim të posaçëm.

Seanca e radhës pritet të mbahet me 19 mars 2020, në ora 09:00.

Ndryshe edhe seanca e paraparë të mbahej me 10 tetor 2019 kishte dështuar për shkak të mungesës së tre të akuzuarve.

Ndryshe, me aktvendimin e 21 korrik 2016, është hedhur pjesërisht kallëzimi penal nga Policia e Kosovës, Drejtoria Rajonale e Policisë, Njësia e Hetimeve Rajonale të 14 qershorit 2010, kundër të dyshuarve Sali Zyba dhe Nderim Matoshit, ndërsa është vazhduar procedura penale sipas kallëzimit penale nga Policia e Kosovës ndaj Frashër Krasniqit, Vlorian Molliqajt dhe Faton Zekës.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 22 korrik 2016, ka ngritur aktakuzë ndaj Frashër Krasniqit, Vlorian Molliqajt dhe Faton Zekës, të cilët i ngarkon me veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare”, nga neni 317, paragrafi 2, lidhur me nenin 23 të KPK-së.

Ata akuzohen se më 12 qershor 2010, në rrugën “Perandori Justinjan” në Prishtinë, afër zyrave të Lëvizjes “Vetëvendosje”, me bashkëveprim dhe me dashje kanë sulmuar fizikisht personat zyrtarë, duke i përdorur mjetet të forta si shufra, gurë, xhama, pjesë karrige, shishe etj dhe duke i penguar në kryerjen e detyrës zyrtare, gjatë operacionit për arrestimin e Albin Kurtit me urdhër të gjykatës.

Në aktakuzë thuhet se gjatë arrestimit të të akuzuarve, lëndime të lehta trupore, sipas ekspertizës mjekoligjore të 22 janarit 2014, i janë shkaktuar policit Gani Obrazhda si dhe të akuzuarve Frashër Krasniqi, Nderim Matoshi dhe Sali Zyba. /BetimipërDrejtësi