Sërish dështon fillimi i gjykimit ndaj të akuzuarit për detyrim, Asdren Mekaj

FB_IMG_1537522342493
Author

Raporton: Shkelzen SELMANAJ

Dhjetor 6, 2018

Prizren – Për të dytën herë ka dështuar të mbahet seanca fillestare, e paraparë për të enjten në Gjykatën Themelore të Prizrenit, ndaj të akuzuarit për veprën penale të detyrimit, Asdren Mekaj.

Mekaj ka qenë i akuzuar edhe për veprën penale të shantazhit, por Gjykata Themelore në Prizren, më 31 gusht 2018, ka marr aktvendim me të cilin e ka pushuar procedurën penale lidhur me këtë pikë të aktakuzës, me arsyetimin se prokuroria nuk ka prova të mjaftueshme.

Gjykatësi Xheladin Osmani, tha se shkak i mos mbajtjes së kësaj seance, është mungesa e të dëmtuarve Zef dhe Palë Gruda, pasi që të njëjtit me anë të një parashtrese, sipas tij, kanë kërkuar shtyrjen e seancës për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore të njërit nga familjarët e tyre.

Në këtë shqyrtim gjyqësor, po ashtu nuk kanë qenë të pranishëm as përfaqësuesi i të dëmtuarve, avokati Tomë Gashi, për të cilin gjykata ka prova se është thirrur në mënyrë të rregullt.

Gjithashtu, ka munguar edhe i akuzuari Mekaj dhe mbrojtësi i tij, avokati Besnik Berisha, i cili përmes adresës elektronike ka njoftuar gjykatën lidhur me faktin se të dëmtuarit kanë kërkuar shtyrjen e kësaj seance, e një gjë të tillë sipas tij, e kishte kuptuar nga avokati Gashi.

Seancën e radhës për këtë çështje, gjykatësi Xheladin Osmani, e ka caktuar më 29 janar 2019, në orën 10:00.

Në seancën e 23 tetorit 2018, prokurorja Merita Bina Rugova, kishte kërkuar nga gjykata që të bëjë bashkimin e rastit të Asdren Mekajt me rastin e Tunë Kqirës dhe të tjerëve, të akuzuar për fajde, pasi siç kishte thënë ajo, është në interes të dy palëve marrë parasysh fakti se lëndët janë të ndërlidhura, madje edhe të dëmtuarit janë të njëjtë.

Propozimin e prokurores speciale e kishte përkrahur edhe avokati Gashi.

Lidhur me propozimin e prokurores dhe avokatit Gashi për bashkimin e këtij rasti me atë të Tunë Kqirës dhe të tjerëve, gjykatësi Osmani kishte deklaruar se do të vendoset jashtë procesit, për çka palët, sipas tij, do të njoftohen me shkrim, meqenëse duhet analizuar të dy çështjet penale.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur aktakuzë pranë Gjykatës Themelore në Prizren, kundër të pandehurit Asdren Mekaj për shkak të kryerjes së veprës penale “detyrimi” nga neni 267, paragrafi 2 lidhur me veprën penale “shantazhi” nga neni 268, paragrafi 2 të Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës, (KPPK) të kryera në vazhdim, lidhur me nenin 71 të KPPK.

Sipas aktakuzës, vepra penale është kryer në atë mënyrë që i pandehuri gjatë periudhës kohore, nga viti 2010 deri në fund të vitit 2013, ka përdorur shantazh dhe kërcënime të rënda, personalisht si dhe përmes personave të tjerë të armatosur që ta detyrojnë të dëmtuarin Pal Gruda që t’i jep të holla të gatshme dhe t’i blej vetura të shtrenjta, sipas kushteve të cilat i pandehuri vet i ka caktuar.

Në këtë mënyrë, sipas aktakuzës i ka sjellë vetes dobi të kundërligjshme në vlerë prej rreth 200 mijë euro, me të cilat veprime pretendohet se i pandehuri Mekaj ka kryer këto vepra penale.

Sipas njoftimi të PSKR-së, ky rast është i ndërlidhur me rastin e fajdeve kundër të akuzuarve nga familja Kqira.

Rasti ndaj të akuzuarve të familjes Kqira, është duke u zhvilluar në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, të ngritur në maj 2016, e cila i ngarkon ta akuzuarit me veprat penale të krimit të organizuar, fajdesë, detyrimit, shpëlarjes së parave, skemave piramidale dhe armëmbajtjes pa leje.

Të akuzuar në këtë rast janë, Tunë, Kastriot, Gjon, Gjekson, Marjan, Gëzim Kqira dhe Beson Buza, Zyrafete Hukolli, Ragip Fazlija, Ekrem Lezi, Hill Kaqinari, Sejdë Kaqorraj e Zef Oroshi

Sipas aktakuzës, këta persona duke vepruar në grup kanë shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarve, duke u dhënë atyre shuma të mëdha parash e duke kërkuar nga të njëjtit kthimin e borxhit me kamatë disproporcionale.

Aktakuza përshkruan se si Pal Gruda nga Prizreni është detyruar të paguajë kamatë ditore deri në 500 euro dhe mujore deri në 3 mijë euro. Grudës, një borxh prej 20 mijë euro i ishte shndërruar me anë të kamatës jo-proporcionale deri në afro 1 milion euro. I nxënë ngushtë nga presioni i këtij grupi për të paguar “borxhin” familja Gruda ka paraqitur rastin në polici.

Tunë Kqira, sipas aktakuzës, ka qenë në krye të grupit kriminal duke i udhëhequr punët e paligjshme të kryera nga ta.

Në këtë rast penal janë sekuestruar disa prona të familjes Kqira, për të cilat, organi i akuzës, pretendon se janë fituar në mënyrë të kundërligjshme.

Disa prej të akuzuarve, për një periudhë kanë qëndruar në paraburgim, ndërsa momentalisht gjenden nën masën e arrestit shtëpiak. /Betimipërdrejtësi