Sërish deklarohen të pafajshëm për keqpërdorim detyre ish-zyrtarët e Komunës së Prishtinës

20200313_094035
Author

Raporton: Medina KADRIU

Mars 13, 2020

Prishtinë – Ish-zyrtarët e Komunës së Prishtinës, Shiqeri Spahiu, Ramush Thaqi dhe Doruntina Peqani, në seancën e së premtes, në rigjykimin që po zhvillohet ndaj tyre, sërish janë deklaruar të pafajshëm për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Bashkë me ta për mashtrim akuzohet edhe Naim Dushku, i cili poashtu ka mohuar fajësinë për veprën që i vihet në barrë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Më 22 shkurt 2019, Gjykata Themelore kishte liruar nga akuza zyrtarët e Komunës së Prishtinës, Shiqeri Spahiu, Ramush Thaqi dhe Doruntina Peqani. Ndërkaq, kjo gjykatë të akuzuarin për mashtrim, Naim Dushku, e kishte dënuar me dy vjet burgim efektiv dhe tre mijë euro gjobë.

Pasi mbrojtja e të akuzuarve kanë deklaruar se nuk ka nevojë të lexohet akti akuzues, klientët e tyre kanë mohuar fajësinë.

Prokurorja Dulina Hamiti si dhe i dëmtuari Pajazit Dushku kanë deklaruar se mbeten pranë fjalës hyrëse të dhënë në gjykimin e kaluar.

Edhe avokatët Visar Vehapi, Daut Rudi, e Blerim Halili kanë deklaruar se mbeten pranë fjalëve hyrëse të paraqitura në gjykimin e kaluar, përderisa të akuzuarit Thaqi, Spahiu e Peqani kanë përkrahur mbrojtësit e tyre.

Kurse, avokati Ramiz Krasniqi, i cili mbron të akuzuarin Naim Dushku, deklaroi se administrimi si provë i kërkesës së mbrojturit të tij lidhur me regjistrimin e pronës, duke i bashkangjitur kontratën, flet qartë se te i njëjti nuk ka ekzistuar dashja për ta mashtruar as institucionin përkatës as vëllain e tij.

Kryetarja e trupit gjykues, Naime Krasniqi–Jashanica deklaroi se shqyrtimi duhet të ndërpritet, me arsyetimin se kanë të planifikuar një shqyrtim tjetër për vrasje, ku i pandehuri është në paraburgim.

Seanca e ardhshme pritet të mbahet me 27 maj, me fillim nga ora  9:00, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykata e Apelit këtë rast me 6 nëntor 2019 e kishte kthyer në rigjykim këtë rast.

Në aktvendimin e Gjykatës së Apelit, thuhet se janë të bazuara pretendimet ankimore të Prokurorisë Themelore në Prishtinë lidhur me vërtetimin e gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, nga arsyeja se përkundër se gjykata e shkallës së parë ka administruar të gjitha provat, të njëjtat nuk i ka vlerësuar në mënyrë të drejtë dhe të plotë.

“Sipas Gjykatës së Apelit të Kosovës gjykata e shkallës së parë përkundër administrimit të këtyre provave si dhe deklaratave të akuzuarve Shiqeri Spahiu, Ramush Thaqi, Doruntina Peçani të dhëna në prokurori, ku kanë pranuar se kanë ndërmarrë veprime për regjistrimin e paluajtshmërisë në emër të Naim Dushkut, e në bazë të kontratës mbi mbajtjen e përjetshme, mirëpo gjykata e shkallës së parë nuk e ka vërtetuar faktin se këta të akuzuar, si zyrtarë kompetent, a e kanë ditur saktë përmbajtjen e kontratës,  sepse nga kjo kontratë qartë rezulton se Mehmet Dushku një pjesë të pronës së tij ia ka lënë edhe djalit tjetër, tani të dëmtuarit Pajazit Dushku, fakte këto që drejtpërsëdrejti ndikojnë edhe në vërtetimin e përgjegjësisë penale të të akuzuarve të përmendur.” thuhet në aktvendimin e Apelit.

Aty thuhet se nga aktgjykimi i atakuar nuk dihet se cila është gjendja faktike dhe se gjykata e shkallës së parë vetëm ka numëruar provat materiale një nga një, mirëpo nuk ka bërë analizimin e tyre, e që sipas Apelit, aktgjykimin e tillë e bën jo të plotë.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, së ngritur më 14 dhjetor 2017, të akuzuarit Shiqeri Spahiu, Ramadan Thaqi dhe Doruntina Peqani duke qenë në cilësinë e zyrtarëve të Drejtorisë së Kadastrës në Komunën e Prishtinës, kanë shfrytëzuar pozitën apo autoritetin zyrtar me qëllim që t’i sjellin përfitim pasuror të pandehurit Naim Dushku.

Në bazë të kontratës mbi mbajtjen e përjetshme, tani i ndjeri Mehmet Dushku, i kishte lënë trashëgimi djemve të tij, të pandehurit Naim Dushku, tani të dëmtuarit Pajazit Dushku, një pronë të paluajtshme në ngastrën kadastrale prej 612 metra katrorë.

Të akuzuarit Spahiu, Thaqi dhe Peqani duke u thirrur në kontratën mbi mbajtjen e përjetshme të lidhur në mes të ndjerit Mehmet Dushkut dhe të pandehurit Naim Dushku kanë regjistruar dhe evidentuar këtë pronë në regjistrin kadastral të Komunës së Prishtinës, në emër të të pandehurit Naim Dushku.

Në këtë mënyrë, sipas aktakuzës Spahiu, Thaqi dhe Peqani, kanë nxjerrë aktvendim, më 05 nëntor 2013, për aprovimin e kërkesës së Naim Dushkut për bartjen e pronës së paluajtshme prej 612 metra katrorë

Të akuzuarit, e lartpërmendur sipas prokurorisë i kanë shkaktuar dëm të dëmtuarit Pajazit Dushku në vlerë prej 500.000 euro.

Kurse, i pandehuri Naim Dushku, sipas aktakuzës, me qëllim që vetit t’i sjellë përfitim të kundërligjshëm ka regjistruar pronën në regjistrat e Drejtorisë Kadastrale në Komunën e Prishtinës, duke u thirrur në kontratën e lartpërmendur dhe duke mos i treguar vëllait të tij, Pajazit Dushku. /BetimipërDrejtësi