Sërish 5 muaj burgim për komandantin e Shërbimit të Zjarrfikësve, dënimin e zëvendëson me 2 mijë e 800 euro gjobë

zjarrefikesi
Author

Raporton: Teuta GASHI

Prill 23, 2021

Gjilan – Komandanti i zjarrfikësve Riza Bunjaku, është dënuar sërish nga Gjykata Themelore në Gjilan pasi që i njëjti e kishte pranuar fajësinë për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Gjykatësi Agim Ademi, të akuzuarit Riza Bunjaku i shqiptoi dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 5 muajsh, si dhe e obligoi të njëjtin t’i paguajë shpenzimet e procedurës.

Me kërkesën e këtij të fundit, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Agim Ademi i zëvendësoi dënimin me burgim, në dënim me gjobë në shumën prej 2 mijë e 800 euro.

Kujtojmë se Gjykata Themelore në Gjilan në shtator të vitit 2020 e kishte shpallur fajtorë Riza Bunjakun dhe e kishte dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej pesë muajsh mirëpo lënda kishte shkuar në Gjykatën e Apelit, e cila kishte gjetur shkelje në vendimin e dhënë, për çka edhe e kishte kthyer çështjen në rigjykim.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjilan, më 19 gusht 2020 ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit Riza Bunjaku sepse më 18 gusht 2019, në fshatin Berivojcë, Komuna e Kamenicës, në pompën e derivateve “Borovci Oil”, i pandehuri si person zyrtar në pozitën e Komandantit të Shërbimit të Zjarrëfikësve, duke e shfrytëzuar pozitën e tij zyrtare apo autoritetin zyrtar, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete dhe shkaktimit të dëmit të të dëmtuarës Shërbimit të Zjarrëfikësve, ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare, në atë mënyrë që automjetin e tij personal të markës BMË X3, e ka mbushur me derivate në sasi prej 58 litra, në vlerë prej 64.96 euro, duke dhënë të dhëna të automjetit zyrtar të markës Mercedes, duke i shkaktuar dëm material të të dëmtuarës Shërbimit të Zjarrëfikësve në Kamenicë në vlerë prej 64.96 euro.

Me këto veprime, ai ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës./BetimipërDrejtësi