Sekuestrohen edhe mbi 1 milionë euro gjatë aksionit të PSRK-së dhe PK-së për mashtrimet me “call center”

PSRK
Author

Raporton: “Betimi për Drejtësi”

Prill 6, 2021

Prishtinë – Pas arrestimit të 18 personave, nën dyshimet për përfshirje në veprën penale të mashtrimit si formë e krimit të organizuar, si dhe pas ngrirjes së 700 mijë eurove, të cilat dyshohet se janë përftuar në mënyrë të kundërligjshme, janë gjetur dhe sekuestruar edhe 1 milionë e 529 mijë e 750 euro.

Lajmi u bë i ditur përmes një komunikate për media të PSRK-së, ku thuhet se aksioni i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, i nisur më 31 mars 2021, në disa “Call center” në 17 lokacione të ndryshme në Prishtinë dhe Ferizaj, ka vazhduar edhe gjatë ditëve në vijim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Prokuroria Speciale njofton se nga aksioni Policisë së Kosovës, i realizuar më datë 5 prill, janë gjetur dhe sekuestruar një milion e pesëqind e njëzetenëntë mijë e shtatëqindepesëdhjetë (1.529.750.00) euro, para këto të cilat dyshohet se janë përfituar nga veprimtaritë e  “Call center” në mënyrë të kundërligjshme, lidhur me veprat penale të “Mashtrimit” dhe “Krimit të organizuar”.”, thuhet në njoftim.

“Vlen të theksohet se nga data 31 mars 2021 e deri më sot nga ky operacion i Prokurorisë Speciale janë gjetur dhe sekuestruar një milionë e gjashtëqind e tetëdhjetë e nëntëmijë e shtatëqind e pesëdhjetë (1.689.750.00) euro, janë ngrirë shtatëqind mijë (700.000) euro, janë sekuestruar nëntë (9) vetura, janë arrestuar tetëmbëdhjetë (18) persona, si dhe një numër i konsiderueshëm i kompjuterëve, serverëve dhe telefonave mobil e të cilët janë shfrytëzuar për kryerjen e veprave penale.”, përfundon komunikata e PSRK-së. /BetimipërDrejtësi