Sekretari i MKRS-së dëgjohet në cilësinë e dëshmitarit në gjykimin për korrupsion ndaj drejtorit dhe ish-zyrtarit të Ansamblit “Shota”

Raporton: Gzime HASHANI

Prishtinë – Ushtruesi i detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sportit (MKRS), Bislim Bislimi është dëgjuar në cilësinë e dëshmitarit të premten gjatë vazhdimit të dhënies së dëshmisë së tij në gjykimit për korrupsion ndaj drejtorit të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota”, Shefqet Gjocaj dhe ish-zyrtarit e këtij Ansambli, tani të pensionuarit Nazmi Demaj.

Gjocaj dhe Demaj ngarkohen se pa hapur konkurs publik dhe në mënyrë të kundërligjshme kishin lidhur kontrata pune për Ismet Bogujevcin, Xhemajli Berishën dhe Luljeta Shala–Lushtakun, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Bislimi, i cili dëshminë e tij e kishte nisur në janar të vitit 2021, e ka përfunduar sot me marrje në pyetje nga trupi gjykues dhe palët tjera në procedurë.

Ai gjatë kësaj seance ka deklaruar se angazhimet në projekte të caktuara nuk mund të konsiderohen themelim i marrëdhënies së punës.

Bislimi tha se këto janë shërbime me përmbajtje artistike, mirëpo angazhimi i tyre për shkak të problemeve strukturore dhe financimi është bërë nga një linjë buxhetore e keqklasifikuar.

“Kush e ka bërë këtë klasifikim?” ishte pyetja e gjykatëses Shpresa Hasaj – Hyseni, ku dëshmitari tha se është nga viti 2002 dhe është bërë nga Ministria dhe se tanimë është rregulluar.

Në pyetjen prokurorit Bashkim Zeqa se për shpenzim të buxhetit të shtetit a duhet të respektohen dispozitat ligjore, dëshmitari tha se absolutisht që duhet të respektohen.

Ndërsa, i pyetur nga prokurori se a duhet të respektohen dispozitat ligjore për themelim të marrëdhënies së punës, dëshmitari e pohoi një gjë të tillë.

Më pas, gjykatësi Alban Ajvazi e pyeti se a janë zbatuar dispozitat ligjore në rastin konkret, e për këtë dëshmitari u përgjigj se nuk e di saktë se nuk i ka parë shkresat, por se mendimi i tij është se të akuzuarit vetëm e kanë zbatuar buxhetin edhe pse ka qenë i keqklasifikuar nga viti 2002.

“Këta e kanë marrë buxhetin e aprovuar nga Ministria dhe organet drejtuese të Ansamblit dhe i kanë marrë vendimet përkatëse për zbatim të atij buxheti”, tha dëshmitari Bislimi.

Dëshmitari shtoi se buxheti në fjalë ka qenë për implementimin e projektit ku në kuadër të projektit ka furnizime, shërbime, mallra, e të tjera.

Ndërsa, lidhur me pyetjen se a është dashur të hapet konkurs apo vetëm t’i jepet një personi të caktuar, dëshmitari tha se meqenëse buxheti ka qenë i keqklasifikuar, pasi që për mallra dhe shërbime i kanë dhënë subvencionet MKRS, atëherë në kuptim të rregullës financiare 01/2013, subvencionet nuk shpenzohen me prokurim dhe nuk ka procedura të shkruara.

“Në kuadër të projektit, këta kanë qenë të obliguar për ta zbatuar buxhetin sepse i ka ardhë si i tillë”, tha dëshmitari duke shtuar se nuk kanë pasur të drejtë të themelojnë mardhënie pune në kohë të pacaktuar nga ky lloj buxheti.

Kurse, i pyetur se përse atëherë këta persona janë paguar nga ministria, ai deklaroi se ministria nuk ka paguar kontrata të tilla, pasi që të akuzuarit nuk kanë nënshkruar kontrata në kohë të pacaktuar nga linja e subvencioneve, por kanë nënshkruar kontrata për shërbime në kuadër të një projekti.

“E a kanë pas të drejtë t’i nënshkruajnë këto kontrata”, ishte pyetja e gjykatëses.

Lidhur me këtë, dëshmitari Bislimi tha se gabimi është vetëm tek keqklasifikimi që ka ndodhur në faza shumë më të hershme.

Sipas tij, organi drejtues i ansamblit thjesht e ka zbatuar një strukturë të financimit që është e përcaktuar nga MKRS.

Ndërsa, sa i përket kontratës së lidhur, dëshmitari tha se kjo kontratë është e lidhur shumë kohë më parë, para se i akuzuari Shefqet Gjocaj të jetë në pozitë.

“Ismet Bogujevci ka qenë i punësuar shumë kohë më parë, para se i akuzuari të jetë drejtor i ansamblit, kjo kontratë që ju i referoheni nuk është punësim në këtë rast, por është ndryshim i formateve të kontratave, pasi që Ismet Bogujevci ka kontrata të tjera të punës” tha dëshmitari.

Tutje, dëshmitari tha se kjo kontratë punë ka qenë shumë ma herët dhe se mendon se është hartuar gabimisht dhe fakti që kjo është vazhdim i kontratës dëshmohet me dosjen e Bogujevcit në Ministri.

Sipas dëshmitarit, përgjegjës për hartimin e kontratave për punësim është Divizioni për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore, i cili po ashtu e menaxhon linjën për paga dhe mëditje dhe janë përgjegjës për zhvillim të proceduarve.

Sa i përket lidhjes së kontratës specifike në pyetjen e gjykatësit Ajvazi, dëshmitari tha se meqenëse ka qenë linja e subvencioneve, nuk ka procedura të shkruara për të hapur konkurs, sipas tij është një akt normativ i cili obligon zhvillim të procedurave për lidhjen e kësaj kontrate.

“Unë kam qenë vet ushtrues i detyrës së drejtorit të Muzeut të Kosovës dhe jam përballë me problemet që na i ka sjellë klasifikimi i gabuar në shumë raste unë vet kamë bërë procedura të hapura, por asnjë akt mua nuk më ka obliguar t’i bëj ato por i kam bërë për transparencë. Në këtë kuptim nuk mendoj se këta kanë qenë të obliguar për procedura në gjendjen që kanë qenë”, tha ai.

Gjykatësi Avni Syla e pyeti dëshmitarin se a do të thotë që edhe nëse është ndarë në këtë mënyrë ky buxhet dhe nëse nuk ka qenë në harmoni me dispozitat ligjore a kanë qenë të akuzuarit të obliguar ta zbatojnë.

Për këtë, Bislimi tha për një kohë të gjatë është vepruar në këtë mënyrë.

“Ti nuk mundesh me ndalë një proces që dikush tjetër e ka bërë gabim”, tha ai duke shtuar se problemi është administrativ në procedurat e buxhetit.

Sa i përket kontratës me personin Xhemajli Berisha, dëshmitari tha se kjo kontratë është hartuar gabim, pasi që ky person nuk ka punuar në kohë të pacaktuar, por për shërbime të caktuara.

Në pyetjen e gjykatëses Shpresa Hasaj– Hyseni se a i është shkaktuar dëm buxhetit të Republikës së Kosovës, dëshmitari u përgjigj se pa ekspertizë nuk mund të deklarojë nëse është shkaktuar dëm apo jo.

Në fund të seancës, prokurori Zeqaj propozoi që në cilësi të dëshmitarit të ftohet udhëheqësi i zyrës ligjore në MKRS, Feim Hoxha,  propozim ky i cili u aprovua nga gjykata.

Seanca e radhës u caktua për 25 shkurt 2022, ku pritet të dëgjohet dëshmitari dhe të administrohen provat materiale.

Ndryshe, gjykimi në këtë rast filloi rishtazi dhe palët u pajtuan që të gjitha veprimet të konsiderohen të lexuara.

Të akuzuarit në seancën e mbajtur më 24 dhjetor 2019, ishin deklaruar të pafajshëm për keqpërdorim detyre.

Prokuroria Themelore në Prishtinë më 27 nëntor 2019 ka ngritur aktakuzë ndaj drejtorit të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota”, Shefqet Gjocaj dhe ish-zyrtarit Nazmi Demaj.

Sipas prokurorisë, dy të akuzuarit në periudhën 2015–2018, duke keqpërdorur pozitën zyrtare, me qëllim të mundësimit të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për Ismet Bogujevcin, Xhemail Berishen dhe Luljeta Shala-Lushtakun, nuk kishin hapur konkurs publik, duke lidhur kontrata në mënyrë të kundërligjshme me ta si punëmarrës.

Në aktakuzë thuhet se Gjocaj, në cilësinë e drejtorit, në mënyrë të kundërligjshme kishte lidhur kontratë me punëmarrësit, Ismet Bogujevci, Xhemail Berisha dhe Luljeta Shala- Lushtaku, ndërsa Demaj po akuzohet se në mënyrë të kundërligjshme kishte lidhur kontratë për kohë të pacaktuar për kryerjen e punëve specifike me punëmarrësin, Xhemail Berisha.

Për këto veprime, dy të akuzuarit po ngarkohen me veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë