Seanca ndaj grupit të Nuhi Ukës fillon me tri orë vonesë, nuk jepet asnjë shpjegim nga trupi gjykues

Raporton: Valdet HAJDINI

Prizren – Me tre orë vonesë ka filluar seanca gjyqësore kundër ish-Kryetarit të Gjykatës Komunale në Prizren, Nuhi Uka dhe grupit të tij, për dallaveret me prona në Komunën e Prishtinës.

Seanca e së mërkurës, ka qenë e caktuar të filloi në ora 10.00 në Gjykatën Themelore në Prizrenit, por pa asnjë arsye dhe shpjegim ka filluar me tri orë vonesë. Kjo zvarritje nuk i ka mjaftuar kryetarit të trupit gjykues të EULEX-it, gjykatësit Arcadius Szedek, që t’i njoftoi të pranishmit për arsyet e ndryshimit të orarit të seancës.

Në këtë seancë, sipas radhës kishte për të dhënë fjalën përfundimtare mbrojtësi i të akuzuarës Ibadete Hashani-Cakaj, avokati Selman Bogiqi.

Avokati Bogiqi deklaroi se e mbrojtura e tij nuk ka kryer asnjë nga veprimet e përshkruara në aktakuzë, e të cilat bien në kundërshtim me ligjin.

“Me provat e shqyrtuara gjatë seancave gjyqësore, nuk është vërtetuar se e mbrojtura ime Ibadete Hashani-Cakaj me veprimet e saj ka kryer vepër të rëndë penale”, tha avokati Bogiqi. Tutje, avokati i kërkoi trupit gjykues që gjatë marrjes së vendimit, të akuzuarën Ibadete Hashani-Cakaj ta liroi nga akuzat dhe të njëjtën ta shpallë të pafajshme.

Seanca e radhës për këtë rast gjyqësor u caktua për 22 shtator 2016, me fillim në ora 10.00, ku do të vazhdoj fjala përfundimtare e avokatëve dhe të akuzuarve tjerë.

Ndryshe, ky gjykim po zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës. Sipas pretendimit të prokurorisë më 22 shkurt 2006 dhe 26 korrik 2006, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore Nuhi Uka ia ka caktuar lëndën relevante duke shkelur të gjitha parimet ligjore Sanije Muçollit, për t’ia dhënë pronën në mënyrë të kundërligjshme Ajkuna Hashanit, njëkohësisht duke e dëmtuar Komunën e Prishtinës. Për këto veprime, Nuhi Uka, ish-kryetari i Gjykatës Komunale të Prishtinës akuzohet me veprat penale ‘keqpërdorim i detyrës zyrtare’, ‘mashtrim’ dhe ‘krim të organizuar’. Sanije Muçolli, avokate dhe në të kaluarën gjykatëse në ish-Gjykatën Komunale në Prishtinë ngarkohet për veprat penale ‘keqpërdorim i detyrës zyrtare ose autoritetit’, ‘nxjerrje e kundërligjshme e vendimeve gjyqësore’ dhe veprën penale të ‘mashtrimit’.

Për të njëjtat akuza si Uka ngarkohet edhe Fehmi Havolli, ekspert i gjeodezisë në Drejtorinë e Kadastrit në Komunën e Prishtinës.

Bashkë me këta të tre, të pandehur në këtë rast gjyqësor janë edhe Mirafete Hashani-Bislimi, Kadrie Hashani-Muharremi, Kimete Hashani-Uka, Hilmije Miftarin dhe Ibadete Hashani-Cakaj, të gjitha akuzohen për veprën penale ‘legalizim i përmbajtjes së rreme’.

Prokuroria pretendon se të gjithë të pandehurit kanë formuar një grup të organizuar kriminal, secili me rolet e veta specifike, ndërsa udhëheqës i këtij grupi ka qenë Nuhi Uka.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë