Seanca mbahet pa avokat, deklarohet i pafajshëm i akuzuari për vjedhje të rëndë

Foto 09.01.2019
Author

Raporton: Hajrije KRASNIQI

Janar 9, 2019

Malishevë – I akuzuari për vjedhje të rëndë, Arianit Bytyqi është deklaruar i pafajshëm në seancën fillestare të së mërkurës në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Bajram Kryeziu, i akuzuari ka thënë se nuk e ndien veten fajtor për akuzën me të cilën ngarkohet.

Gjykatësi i çështjes Njazi Morina, njoftoi të akuzuarin se në afat prej 30 ditësh ka të drejtë të bëjë kundërshtimin e provave dhe kërkesën për hudhjen e aktakuzës.

Ndryshe, shqyrtimi fillestar është mbajtur pa praninë e mbrojtësit të të akuzuarit Arianit Bytyqi, avokatit Agron Kryeziu, dhe përfaqësueses së të dëmtuarit Demush Bytyqi, avokates Bahrije Xhyliqi.

Sipas gjyqtarit Morina, të njëjtit kanë njoftuar gjykatën se janë në bojkot të seancave gjyqësore, në bazë të vendimit të Odes së Avokatëve të Kosovës.

Seanca e shqyrtimit të dytë është caktuar më 15 shkurt 2019, në ora 9:30.

Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë, të ngritur më 21 janar 2016, thuhet se më 12 tetor 2015, gjatë ditës, i akuzuari Arianit Bytyqi, së bashku me të miturin R.B, në fshatin Kravasari, Komuna e Malishevës, në shtëpinë e të dëmtuarit Demush Bytyqi, ka kryer veprën penale “vjedhje e rëndë”, nga neni 327, lidhur me nenin 31, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Bytyqi, ka shfrytëzuar momentin e mos prezencës së të dëmtuarit, duke hyrë në shtëpinë e tij përmes derës së ballkonit, të katit të parë të shtëpisë së të dëmtuarit, prej nga ka hapur me forcë një dhomë të shtëpisë, duke marrë çokollata, bonbone, brisk të rrojës, dhe një aparat të navigacionit.

Gjithnjë sipas aktakuzës, aparatin e navigacionit e lënë të varur në oborrin e të dëmtuarit, dhe më pas ik në drejtim të panjohur dhe të dëmtuarit Demush Bytyqi, i ka shkaktuar dëmin e përgjithshëm në vlerë prej 300 euro.