SAMET IMISHTI DËNOHET PËR TERRORIZËM ME 7 MUAJ BURGIM DHE 800 EURO GJOBË

Raporton: Verona KADRIU

Ferizaj – I akuzuari Samet Imishti pas pranimit të fajësisë për veprat penale “bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore, në organizimet grupore apo individualisht jashtë territorit të Republikës së Kosovës” dhe “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, u dënua me dënim unik prej shtatë muajve burgim efektiv dhe dënim me gjobë në shumë prej 800 euro. Aktgjykimi ndaj Imishtit u bë të martën në Gjykatën Themelore në Ferizaj, nga trupi gjykues i kryesuar nga Agim Maliqi. Ndërsa me aktgjykim të veçantë, u vendos që ndaj tani të dënuarit t’i ndërpritet masa e paraburgimit, ku ai ishte duke qëndruar që nga 5 dhjetori i vitit të kaluar.

Procedura penale ndaj Samet Imishtit zhvillohet në bazë të aktakuzës PP.S 70/15 më  23 shkurt 2016 të ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës, ku sipas pikës 1 të akuzës i pandehuri Samet Imishti akuzohet se në mënyrë publike me anë të shkrimeve, xhirimeve duke përfshirë dhe mos u kufizuar në rrjetin social, thërret ose nxitë të tjerët për kryerjen e veprave penale, kështu që i njejti nga tetori i vitit 2013 deri në nëntor 2015 në vazhdimësi në Facebook përmes profilit të tij personal ,ka bërë komente dhe publikime të hapura, propagandë, ka nxitur urrejtje ndaj koalicionit ndërkombëtar që luftojnë kundër ISIS dhe publikisht përkrah ideologjitë ekstreme dhe veprimet e kësaj organizate (ISIS) dhe shtetin islamik në Siri dhe Irakme qëllim që personat e ndryshëm ose grupe të personave t’u bashkohen formacioneve të armatosura të ISIS-it.

Ndërsa pika 2 e akuzës e ngarkon të pandehurin me veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ku sipas kësaj pike i pandehuri prej kohës së pavërtetuar deri më 1 dhjetor 2015, ka mbajtur në pronësi armë në shkelje të ligjit të zbatueshëm lidhur me armë të tilla, kështu që gjatë kontrollimit të shtëpisë së tij në fshatin Rezhancë, policia ka gjetur dhe ka marrë pushkë të gjatë karabinë duke mbajtur atë armë pa lejen valide, si dhe një optik snajper dhe një fishek të kalibrit 7.92×57 mm.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë