Salih Mustafa mbetet në paraburgim, trupi gjykues thotë se ekziston rreziku i pengimit të procedurave

Raporton: Medina KADRIU

Trupi gjykues, i  kryesuar nga Mappie Veldt- Foglia, ka marrë vendim, me anë të së cilit, i është vazhduar masa e paraburgimit Salih Mustafës, gjykimi i së cilit për krime lufte ka përfunduar me 15 shtator dhe i njëjti është në pritje të vendimit të trupit gjykues.

Sipas vendimit, trupi gjykues ka gjetur se nuk ekziston rreziku i arratisjes te Mustafa, mirëpo ka konkluduar se ekziston rreziku që i akuzuari të pengojë progresin e procedurave përmes interferimit me viktima, dëshmitarë ose me familjarë të tyre.

Ndërkaq, në pjesën kur flitet për rrezikun  e kryerjes së krimeve tjera, thuhet se pasi paneli ka konstatuar se ekziston një mundësi mjaft reale që i Akuzuari të pengojë përparimin e procedurave të DhSK-së, duke përfshirë ndërhyrjen me viktimat dhe dëshmitarët, dhe/ose familjet e tyre Paneli konstaton se nuk ka nevojë të adresojë rrezikun sipas nenit 41(6). )(b)(iii) të Ligjit.

Po ashtu, trupi gjykues, thotë se nuk ka gjetur se i akuzuari është në paraburgim për periudhë të paarsyeshme.

Ndryshe, aktakuza ndaj Mustafës ishte konfirmuar më 12 qershor 2020.

“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”, ka njoftuar Gjykata Speciale përmes një komunikate.

Salih Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë