Sadri Mazreku dëshmon në rastin e dallavereve me prona

Raporton : Fjolla GAXHA

Gjakovë – Sadri Mazreku ka dëshmuar të hënën në seancën kundër Nuhi Shala, Sefedin Krasniqi, Hysen Thaqi dhe Mal Krasniqi të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Gjatë dhënies së dëshmisë së tij, dëshmitari Mazreku shpjegon se nuk po mund të marrin në vërtetim se një pjesë e tokës e evidentuar me numër 893/2 dhe e cila kufizohet me rrugën Malishevë-Prishtinë, është  e tyre. “Këtë pjesë nuk e shfrytëzojmë ne dhe kjo është hequr nga pronësia e jonë dhe është vendosur në pronësi të organizatës “Mirusha”, pra pas luftës është trashëgimtare e “Orvinit”, tha ai. Dëshmitari shton se për këtë konstatim nuk ka marr asnjëherë ndonjë vendim. “Malë Krasniqi më ka thënë se kjo pjesë është e organizatës “Mirusha” e jo e juaja, e ka thënë gojarisht e për këtë unë nuk kam parë asnjëherë vendim”.
Mazreku thekson se për të njëjtën ngastër kadastrale tani ekzistojnë dy aktgjykime.

Prokurori Agron Matjani propozoi që nga Drejtoria Komunale për Kadastër dhe Gjeodezi të kërkohet në formë të shkruar një historiat lidhur me lëvizshmërinë dhe të gjitha veprimet që janë ndërmarr për ngastrat kadastrale për të cilat është ngritur kjo aktakuzë. Propozimi u aprovua nga ana e trupit gjykues. Shqyrtimi gjyqësor shtyhet më 21 tetor 2016 ne ora 09:00.

Ky gjykim zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, ku Nuhi Shala, Sefedin Krasniqi, Hysen Thaqi dhe Mal Krasniqi akuzohen se kanë tejkaluar kompetencat e tyre, duke u shkaktuar dëm Zenel dhe Miftar Mazrekut. Sipas prokurorisë, këtë e kanë bërë kur me aktvendim të ish-Gjykatës Komunale në Rahovec nuk e kanë bërë bartjen e paligjshmërisë, por kanë marrë aktvendim mbi ndërrimin e ngastrave me ndërmarrjen OBP Mirusha.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë