Rubrika e monitorimit të rasteve të korrupsionit (5 – 9 gusht 2019)

Raporti për web- rasti Ragip Xhemajli, 31 maj 2019
Author

Raporton: “Betimi për Drejtësi”

Gusht 13, 2019

Prishtinë – Gjatë periudhës kohore 5 – 9 gusht 2019, hulumtuesit e “Betimi për Drejtësi” kanë monitoruar pesë seanca gjyqësore për raste të korrupsionit, të caktuara në të gjitha Gjykatat Themelore të Kosovës, përfshirë edhe degët e tyre.

Prej këtyre seancave të caktuara, katër seanca janë mbajtur, përderisa një seancë është shtyrë për shkak të mungesës së avokatit.

Në këto raste të korrupsionit janë të përfshirë pesë persona të akuzuar, të cilët i takojnë profilit të mesëm.


  • Aktgjykimi 1:

PejëGjykata Themelore në Pejë e ka dënuar me një vit burgim me kusht dhe 300 euro gjobë, të akuzuarin për dhënie të ryshfetit, Reshad Zoronjiq.
Sipas aktgjykimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, dënimi me burg ndaj të akuzuarit nuk do të ekzekutohet, nëse i njëjti nuk kryen vepër tjetër penale brenda afatit prej 2 viteve.
Kurse, dënimin me gjobë ai është i obliguar që ta paguajë brenda afatit prej 15 ditësh, pasi aktgjykimi të bëhet i formës së prerë.

Gjithashtu, është bërë edhe konfiskimi i kartëmonedhës në shumën prej 20 euro.

Aktgjykimi ndaj Zoronjiq është shpallur pasi ai, përmes mbrojtësit të tij, avokatit Binak Cena, ka hyrë në marrëveshje për pranimin e fajësisë me Prokurorinë Themelore në Pejë, e cila marrëveshje më pas është aprovuar nga gjykatësi Sami Sharraxhiu.

Sipas aktakuzës të ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, më 8 gusht 2019, Reshad Zoronjiq akuzohet se më 7 gusht 2019, rreth orës 15:30, në fshatin Vitomericë të Komunës së Pejës, në mënyrë të drejtpërdrejtë i ka dhënë përfitim pasuror zyrtarit policor dhe atë kartëmonedhën prej 20 euro, me qëllim që t’i shmanget dënimit për të cilin ishte njoftuar se do t’i shqiptohet, pasi së bashku me djalin e tij ishin ndaluar derisa po qarkullonin me kamionin e llojit “Mercedes”, për faktin se tahografi nuk ishte në gjendje të rregullt ngase nuk ishte regjistruar në kohën e saktë.


  • Lajmi 1:

54257304_10161482522015510_7127475743558205440_nGjatë kësaj periudhe raportuese, Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër ish-drejtorit të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, në Komunën e Prizrenit, Nijazi Kryeziu për veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Kryeziu akuzohet se në periudhën kohore janar – dhjetor të vitit 2015në cilësinë e drejtorit të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, në Komunën e  Prizrenit, pa ndonjë procedurë të tenderimit dhe në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, Ligjin mbi Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësive si dhe Rregulloren e Thesarit, lidh kontratë për emitimin e spoteve reklamuese në sensibilizimin e opinionit publik për legalizimin e objekteve të ndërtuara pa leje, për nevojat e Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, ashtu që me TV Opinion vlera totale e kontratës arrin shumën 7,200 euro./Betimipërdrejtësi