Rubrika e monitorimit të rasteve të korrupsionit (30 shtator – 4 tetor 2019)

Pallati 1
Author

Raporton: “Betimi për Drejtësi”

Tetor 10, 2019

Prishtinë – Gjatë periudhës kohore 30 shtator – 4 tetor 2019, hulumtuesit e “Betimi për Drejtësi” kanë monitoruar 31 seanca gjyqësore për raste të korrupsionit, të caktuara në të gjitha Gjykatat Themelore të Kosovës, përfshirë edhe degët e tyre.

Prej këtyre seancave të caktuara, 23 seanca janë mbajtur, përderisa 8 të tjera janë shtyrë për arsye të ndryshme.

Në këto raste të korrupsionit janë të përfshirë 53 persona të akuzuar, ku 24 persona i takojnë profilit të ulët, 28 persona i takojnë profilit të mesëm dhe 1 person i takon profilit të lartë (ish- kryetari i Komunës së Drenasit, Nexhat Demaku).


  • Aktgjykimi 1: 

MelizaMeliza Haradinaj-Stublla, këshilltare politike e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, është dënuar me tetë muaj burgim me kusht, pasi është shpallur fajtore për mos deklarim të pasurisë.

Por, dënimi me burg ndaj saj, nuk do të ekzekutohet nëse ajo nuk kryen vepër tjetër penale brenda një viti.

Gjithashtu, ajo është dënuar edhe me njëmijë euro gjobë, të cilën sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi Alban Ajvazi, e njëjta detyrohet ta paguajë brenda 15 ditësh, pasi që aktgjykimi të merr formën e prerë, kurse në rast të mos pagesës, dënimi me gjobë do t’i shndërrohet me burgim, ku do të llogaritet 20 euro, për një ditë burgim.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 26 mars 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Meliza Haradinaj-Stublla, me arsyetimin se me rastin e marrjes së detyrës si këshilltare politike e kryeministrit Ramush Haradinaj, më 11 shtator 2017, nuk e ka deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsion pronësinë e saj mbi biznesin “IN MIDDLE LTD”, të regjistruar në Londër, edhe pse ka qenë e obliguar.


  • Aktgjykimi 2: 

20191004_091230Gjykata Themelore në Prishtinë, e ka shpallur të pafajshme drejtoreshën e Organizatës Jo-Qeveritare “Nëna dhe fëmijë të lumtur”, Edita Dula, që akuzohej për përvetësim të parave të bamirësisë dhe keqpërdorim të besimit.

Kryetarja e trupit gjykues, Naime Krasniqi – Jashanica, me rastin e shpalljes së aktgjykimit ka thënë se aktgjykimi lirues është marrë unanimisht mbi faktin se kanë parë që nuk ka prova të mjaftueshme për ta argumentuar aktin akuzues.

Sipas aktakuzës së ngritur nga prokuroria më 5 dhjetor 2017, Edita Dula, gjatë viteve 2016 – 2017, gjatë kohës sa ka qenë drejtoreshë e OJQ – së “Nëna dhe fëmijë të lumtur”, me qëllim të fitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, në vazhdimësi ka përvetësuar paratë që i janë besuar, konkretisht, dyshohet se ka përvetësuar 1.488.90 euro të kësaj organizate.

Sipas prokurorisë, nga shuma e përgjithshme, Dula, 1.088.90 i ka përvetësuar, duke i tërhequr nga llogaria bankare e OJQ – së, ndërsa shumën prej 400 eurosh, i ka përvetësuar nga shuma që kanë dhënë njerëzit e vullnetit të mirë, që i kishin dhënë për personat në nevojë, në emër të festës së “Fitër Bajramit”.

Përveç veprës penale të përvetësimit në detyrë, ajo akuzohet edhe për veprën penale të “keqpërdorimit të besimit”, pasi siç pretendon Prokuroria, Dula, gjatë viteve 2016 – 2017, gjatë kohës sa ka qenë drejtoreshë e OJQ – së “Nëna dhe fëmijë të lumtur”, ka vepruar në kundërshtim me statutin e datës 7 korrik 2017, në atë mënyrë që gjësendet që janë dhuruar për njerëzit në nevojë, të njëjtat i ka përvetësuar për vete.


  • Aktgjykimi 3: 

Ali Shabanaj foto (2)Gjykata Themelore në Gjakovë e ka shpallur fajtor laborantin e Spitalit Rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë, Ali Shabanaj, i akuzuar për keqpërdorim detyre, pasi i njëjti e kishte pranuar fajësinë.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Shaqir Zika, i akuzuari Shabanaj fillimisht është dënuar me gjashtë muaj burgim efektiv, mirëpo, më pas, me pëlqimin e të akuzuarit, dënimi më burgim i është zëvendësuar me gjobë në shumën prej 2500 euro.

Sipas gjykatësit Zika, në shqiptimin e dënimit është llogaritur edhe koha e kaluar në arrest shtëpiak nga 24 prill deri më 24 qershor të këtij viti.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, e ngritur më 18 qershor 2019, Ali Shabanaj, në intervalin kohor nga fillimi i vitit 2019, e deri më 24 prill 2019, në cilësinë e personit zyrtar- laborant në Laboratorin e Spitalit Rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë, ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare.

Siç përshkruhet në aktakuzë, i akuzuari gjatë orarit të rregullt të punës ne Spitalin “Isa Grezda” në Gjakovë, nuk u shërben pacientëve të cilët kërkojnë shërbime në laborator sipas udhëzimeve të mjekëve nga institucionet e nivelit parësor të kujdesit shëndetësor, por të njëjtit i dërgon në laboratorin e tij privat “Xiri-Lab”, që gjendet në rrugën ”Dëshmorët e Lirisë” në Gjakovë, me pagesë.


MONITORIMI NË GJYKATËN E APELIT:

  • Lajmi 1: 

Apeli_2-585x275Gjykata e Apelit i ka liruar përfundimisht nga akuzat për korrupsion, ish-drejtorin e Agjencisë Kosovare të Akreditimit (AKA), Basri Mujën, ish-kryetaren e Këshillit Shtetëror e Cilësisë (KSHC) të AKA-së, Ferdije Zhushi-Etemin si dhe Armend Mujën.

Kështu, me vendimin e marr më 26 gusht të këtij viti, Apeli e ka refuzuar ankesën e ushtruar nga ana e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), e cila kishte kërkuar nga Apeli që të anulojë aktgjykimin e Themelores dhe lëndën ta kthejë në rigjykim.

Më 29 janar 2019, Gjykata Themelore në Prishtinë, i kishte liruar nga disa pika të akuzës, Basri dhe Armend Mujën si dhe Ferdije Zhushi-Etemi, kurse për disa pika të tjera kishte marr aktgjykim refuzues.

 “Gjykata e Apelit e Kosovës vlerëson se aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë nuk është i përfshirë me vërtetim te gabuar dhe jo te plote të gjendjes faktike  të pretenduara nga Prokuroria  por edhe ato për te cilat kjo gjykatë është e obliguar sipas detyrës zyrtare ti shqyrtojë. Gjykata e shkallës së parë ka dhënë arsyet për faktet vendimtare duke arsyetuar secilën provë veç e veç dhe duke i ndërlidhur me njëra tjetrën, duke vlerësuar saktësinë e provave kundërthënëse, arsyet e mosmiratimit të propozimeve konkrete të palëve duke dhënë arsye të mjaftueshme në të cilat është bazuar me rastin e zgjidhjes së kësaj çështjeje juridike e posaçërisht me rastin e mos vërtetimit të veprës penale ashtu siç e ka vendosur gjykata e shkallës së parë”, thuhet në vendimin e Apelit./Betimipërdrejtësi