Rubrika e monitorimit të rasteve të korrupsionit (29 korrik – 2 gusht 2019)

Pallati i Drejtesise  (6)
Author

Raporton: “Betimi për Drejtësi”

Gusht 9, 2019

Prishtinë – Gjatë periudhës kohore 29 korrik – 2 gusht 2019, hulumtuesit e “Betimi për Drejtësi” kanë monitoruar 14 seanca gjyqësore për raste të korrupsionit, të caktuara në të gjitha Gjykatat Themelore të Kosovës, përfshirë edhe degët e tyre.

Prej këtyre seancave të caktuara, nëntë seanca janë mbajtur, përderisa pesë të tjera janë shtyrë për arsye të ndryshme.

Në këto raste të korrupsionit janë të përfshirë 20 persona të akuzuar, prej të cilëve 6 persona i takojnë profilit të ulët, 13 persona i takojnë profilit të mesëm dhe 1 person i takon profilit të lartë, e që në këtë rast është ish-kryetari i Komunës së Drenasit, Nexhat Demaku.


  • Aktgjykimi 1:

foto per web 29.07.2019Gjykata Themelore në Prizren e ka dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht, ish-analistin e kredive në institucionin mikro-financiar “Qelim Kosovë”, Dritan Syla, i akuzuar për  keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetari trupit gjykues, Xheladin Osmani, dënimi me burg ndaj të akuzuarit Syla nuk do të ekzekutohet nëse ai nuk kryen vepër tjetër penale brenda një viti.

Aktakuza për këtë rast është ngritur më 20 dhjetor 2018, nga Prokuroria Themelore në Prizren.

Dritan Syla akuzohet se gjatë majit 2016, si analist i kredive në institucionin mikro-financiar “Qelim Kosovë” në Gjakovë, gjatë përgatitjes së dokumentacionit për marrje të kredisë në shumën prej 1,500 euro, për klientin Dan Sefa, e vendos në dokumentacion të dëmtuarin Bashkim Sefa, si garantues të kredisë, megjithëse ai nuk ka qenë fare prezent, për të shprehur vullnetin e tij për një gjë të tillë.

Sipas aktakuzës, të dëmtuarit i shkakton dëm të konsiderueshëm, pasi që më vonë, të njëjtit i është mohuar të marrë kredi për arsye se në regjistrin e Bankës Qendrore të Kosovës, ai figuron si debitor i keq.


  • Aktgjykimi 2:

2Pas pranimit të fajësisë, Gjykata Themelore në Mitrovicë e ka dënuar me 400 euro gjobë, të akuzuarin për mos deklarim të pasurisë, Nexhat Dedia.

Ai fillimisht u dënua me 3 muaj burgim dhe 200 euro gjobë, mirëpo me pëlqimin e tij dënimi me burg u shndërrua në atë me gjobë, në shumën prej 200 euro.

Kështu, sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi Gëzim Ademi, të akuzuarit iu shqiptua dënimi total në shumën prej 400 euro.

Aktakuza për këtë rast është ngritur nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë, me 1 nëntor 2017, sipas të cilës Nexhat Dedia akuzohet se ka kryer veprën penale “mos raportimi ose raportim i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.

Sipas aktakuzës, i njëjti, si anëtar i Bordit të Drejtorëve në Ndërmarrjen Publike “Infrakos”, për periudhën kohore 1 janar 2015 deri më 31 dhjetor 2015, nuk e ka deklaruar biznesin e regjistruar në emër të tij, N.N.T “Makas”, që gjendet në Mitrovicë.


  • Ngritja e aktakuzave për korrupsion:

prokuroriaGjatë kësaj periudhe raportuese, Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur dy aktakuza për korrupsion.

Sipas aktakuzës së parë, E.S, në cilësinë e drejtorit në Drejtorinë për Ekonomi dhe Financa në Komunën e Prizrenit dhe Z.A., në cilësinë e ushtruesit të detyrës në fjalë, akuzohen se gjatë viteve 2015-2016 kanë kryer veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Për të njejtën vepër penale dhe gjatë të njëjtës periudhe kohore, kjo prokurori akuzon edhe ish-drejtorin e Shërbimeve Publike në Komunën e Prizrenit, H.H.

Të dy aktakuzat kanë të bëjnë me lidhjet e kontratave nga të pandehurit, për emitimin e spoteve reklamuese për nevojat e drejtorive përkatëse.  /Betimipërdrejtësi