Rubrika e monitorimit të rasteve të korrupsionit ( 24 – 28 maj 2021)

Raporton: “Betimi për Drejtësi”

Prishtinë – Gjatë periudhës kohore 24 – 28 maj 2021, hulumtuesit e “Betimi për Drejtësi” kanë monitoruar 26 seanca gjyqësore për raste të korrupsionit, të caktuara në të gjitha Gjykatat Themelore të Kosovës, përfshirë edhe degët e tyre.

Prej këtyre seancave të caktuara, 22 seanca janë mbajtur dhe 4 seanca janë shtyrë.

Në këto raste të korrupsionit janë të përfshirë 75 persona të akuzuar, ku 15 persona i takojnë profilit të ulët, 58 persona i takojnë profilit të mesëm dhe 2 persona i takojnë profilit të lartë.

  • Aktgjykimi 1:

Gjykata Themelore në Pejë ka shpallur aktgjykim lirues ndaj dy zyrtarëve të KEDS-it, Gëzim Gashi dhe Bekim Thaqi, të akuzuar nga Prokuroria e Pejës për marrje të ryshfetit.

Kurse, avokati i akuzuar për frikësim gjatë procedurës penale, Murat Krasniqi, u shpall fajtor dhe u dënua me 1 vit burgim efektiv e 200 euro gjobë. Ndaj tij u shqiptua edhe dënimi plotësues, ndalimi i ushtrimit të profesionit të avokatit në kohëzgjatje prej 1 viti.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetari i trupit gjykues, Sami Sharraxhiu, nuk është provuar se të pandehurit Gashi e Thaqi janë fajtorë, pasi Prokuroria e Pejës në kundërshtim me ligjin kishte zbatuar masat e fshehta ndaj tyre.

  • Aktgjykimi 2:

Është shpallur i pafajshëm nënkryetari i Komunës së Kamenicës, Faton Jakupi, i akuzuar për veprën penale “mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.

Aktgjykimi lirues u shpall nga kryetari i trupit gjykues Ramiz Azizi, i cili deklaroi se nuk është vërtetuar se i akuzuari Jakupi e ka kryer veprën penale që i vihet në barrë.

  • Aktgjykimi 3:

Gjykata Themelore në Ferizaj, edhe pas rigjykimit, e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me një vit burgim inspektorin e ndërtimit në Shtime, Taulant Salihaj, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetari i trupit gjykues, Ibrahim Idrizi, në kuadër të dënimit me burg të akuzuarit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Salihaj gjithashtu obligohet që t’ia kthejë të dëmtuarit shumën prej 1,080 euro.

  • Aktgjykimi 4:

Reshat Mehmeti, Fidan Shala dhe Arben Rexhepi janë shpallur të pafajshëm nga akuza se kishin shpërfillur kriteret ligjore kur kishin ndarë 92 banesa për kategoritë e dala nga lufta dhe kategoritë tjera sociale në Prizren.

Për ndërtimin e këtyre banesave kishte marrë vendim Komuna e Prizrenit, e cila edhe i kishte caktuar Mehmetin, Shalën dhe Rexhepin si anëtarët të Komisionit për vlerësimin e aplikantëve.

Sipas aktgjykimit lirues të shpallur në Gjykatën Themelore në Prizren nga kryetarja e trupit gjykues Ajser Skenderi, nuk është provuar se të akuzuarit kanë kryer veprën penale për të cilën janë akuzuar.

  • Aktgjykimi 5:

Gjykata Themelore në Mitrovicë e ka shpallur fajtor për keqpërdorim të pozitës zyrtare, ish-zyrtarin e gjendjes civile në Komunën e Leposaviqit, Nezir Aliu.

Aliu u dënua me një vit burgim, por ky dënim nuk do të ekzekutohet në rast se ai nuk do të kryen vepër tjetër penale brenda periudhës së verifikimit prej dy viteve, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Shpallja e aktgjykimit ndaj tij u bë pasi që paraprakisht, Aliu e ka pranuar fajësinë për veprën penale me të cilën ngarkohet.

  • Aktgjykimi 6:

Gjykata Themelore e ka dënuar Berat Hasanin me gjashtë muaj burgim me kusht, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse ai nuk kryen vepër tjetër penale brenda periudhës njëvjeçare.

Dënimi ndaj ish-zyrtarit të institucionit financiar “Lesna” në Mitrovicë, Berat Hasani, ka ardhur pesë vite pas ngritjes së aktakuzës me të cilën ai ngarkohej se ka keqpërdor detyrën zyrtare duke mundësuar lidhjen e tri kontratave në emër të kredimarrësve për kredi bujqësore dhe blegtorale ne vlerë prej 8 mijë e 700 euro.

  • Lajmi 1:

Gjykata Supreme ka aprovuar pjesërisht kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të paraqitur nga mbrojtja e ish-togerit Menderes Sinani, duke e ndryshuar aktgjykimin e shkallës së parë dhe asaj të dytë vetëm sa i përket konfiskimit të mjeteve monetare që janë produkt i veprës penale.

Sipas vendimit të kësaj gjykate, mjetet e konfiskuara i kthehen të dënuarit. Kurse, pjesën tjetër të kërkesës Supremja e ka refuzuar si të pabazuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykata Themelore në Ferizaj, më 23 dhjetor 2019, pas kthimit të rastit në rigjykim, ish-togerin Menderes Sinani e kishte dënuar me katër vjet e tre muaj burgim për veprat penale “marrja e ryshfetit në bashkëkryerje”, “dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale” dhe “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. /BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë