Rubrika e monitorimit të rasteve të korrupsionit (2 – 6 shtator 2019)

gjykata 2 copy
Author

Raporton: “Betimi për Drejtësi”

Shtator 11, 2019

Prishtinë – Gjatë periudhës kohore 2 – 6 shtator 2019, hulumtuesit e “Betimi për Drejtësi” kanë monitoruar 17 seanca gjyqësore për raste të korrupsionit, të caktuara në të gjitha Gjykatat Themelore të Kosovës, përfshirë edhe degët e tyre.

Prej këtyre seancave të caktuara, dhjetë seanca janë mbajtur, përderisa shtatë të tjera janë shtyrë për arsye të ndryshme.


Në këto raste të korrupsionit janë të përfshirë 42 persona të akuzuar, ku 24 persona i takojnë profilit të ulët, 17 persona i takojnë profilit të mesëm dhe 1 person i takon profilit të lartë (ish-deputeti Azem Syla).


  • Aktgjykimi 1: 

unnamed Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 500 euro gjobë të akuzuarin për dhënie ryshfeti, Safet Zajmi.

Aktgjykimi është shpallur nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Hamdi Ibrahimi, pas aprovimit të marrëveshjes për pranim të fajësisë që i akuzuari kishte lidhur me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, më 8 korrik 2019.

Sipas gjykatësit Ibrahimi, nëse i akuzuari nuk e paguan dënimin me gjobë prej 500 euro, ky dënim do t’i zëvendësohet në dënim me burgim, duke iu llogaritur nga 20 euro për një ditë.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 23 korrik 2019, i akuzuari Zajmi, si vozitës i autobusit, më 5 janar 2019, në pikën kufitare në Merdare, gjatë kontrollimit nga polici kufitar, brenda librezës së qarkullimit kishte futur kartëmonedhën prej 10 euro, si dhuratë apo përfitim tjetër.


  • Aktgjykimi 2: 

received_525299211561581Zyrtarët doganorë, Alban Krasniqi e Besnik Polloshka, janë dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me nga gjashtë muaj burgim me kusht dhe me nga 4,000 euro gjobë, pasi janë shpallur fajtorë për marrje ryshfeti.

Kurse, pas ricilësimit të veprës penale nga keqpërdorim i pozitës zyrtare, në dhënie ryshfeti, Liridon Borovci është dënuar me 4000 euro gjobë.

Me 4000 euro gjobë, është dënuar edhe i akuzuari tjetër për dhënie ryshfeti, Habib Luta.

Ndërkaq, nga një akuzë e tillë është liruar i akuzuari Isak Luta.

Kryetarja e trupit gjykues, Nushe Kuka- Mekaj, deklaroi se dënimi me burg ndaj të akuzuarve Polloshka e Krasniqi, nuk do të ekzekutohet nëse ata brenda një viti nuk kryejnë vepër tjetër.

Sa i përket dënimit me gjobë, gjykatësja Kuka-Mekaj, ka thënë se pagesa duhet të kryhet 15 ditë nga plotfuqishmëria e aktgjykimit dhe nëse kjo nuk mund të bëhet, atëherë e njëjta zëvendësohet me dënim me burgim, ku një ditë në burg llogaritet në vlerë prej 20 euro.

Gjykatësja Kuka- Mekaj, gjithashtu, ka informuar palët se gjykata sipas detyrës zyrtare ka ndërhyrë në dispozitiv, sa i përket të akuzuarve Polloshka dhe Krasniqi, duke i ruajtur elementet e veprës penale, por në bazë të gjendjes faktike i ka ndërruar e specifikuar veprimet.

Dy doganierëve tanimë të dënuar, u është ndaluar edhe ushtrimi i profesionit për një vit pas ekzekutimit të vendimit të shqiptuar.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 18 korrik 2018, zyrtarët doganorë Alban Krasniqi dhe Besnik Polloshka, më 9 nëntor 2015, me rastin e zhdoganimit të mallit, në Drejtorinë Rajonale të Doganës në Kosovë, kishin kërkuar nga Isak Luta dhe Habib Luta, si vozitës i kamionit, shumën prej 450 euro.

Ndërsa, siç pretendon prokuroria, i akuzuari tjetër, Liridon Borovci, si zyrtar i kompanisë “Euro Joni Kosova”, vazhdimisht ka biseduar me të akuzuarin Besnik Polloshka dhe atëherë të akuzuarin Habib Luta, duke i bindur që të japin ryshfet shumën prej 450 euro, me qëllim të zhdoganimit të mallit.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Isak Luta, në mënyrë të drejtpërdrejtë i kishte ofruar të holla në shumën prej 450 euro,  zyrtarëve doganorë, Besnik Polloshka dhe Alban Krasniqi.

Sipas prokurorisë, këto veprime i kanë bërë me qëllim që mallin e sjell nga Habib Luta, ta zhdoganojnë, duke mos e lajmëruar si mall të ri, por si të vjetër sipas parametrave që i parasheh Dogana e Kosovës.


  • Lajmi 1:

prokuroria Prokuroria Themelore në Prizren, të martën, ka ngritur aktakuzë kundër ofiqarit në Komunën e Mamushës M.Sh., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “falsifikimi i dokumentit zyrtar”. Së bashku me të po akuzohet edhe A.M., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “legalizimi i përmbajtjes së rreme”.

Në njoftimin e prokurorisë thuhet se, M.Sh. akuzohet se si ofiqar në zyrën e Komunës në Mamushë, në dokumentin zyrtar nuk i shënon të dhënat e duhura, në atë mënyrë që me 2 shkurt 2016, e përpilon “Aktvdekjen” për të ndjerin R.M, duke paraqitur si trashëgimtarë bashkëshorten e ndjerë H.M, bijtë e tij I.M., S.M., I.M., dhe Gj.M., pa e përfshirë si trashëgimtar edhe birin tjetër të tij, të dëmtuarin Z.Sh., i cili dokument në ndërkohë është përdorur si provë për trashëgimi te noteri.

Kurse A.M. akuzohet se ka vënë në lajthim organin kompetent që në një dokument publik, të vërtetojë një çështje të pavërtetë, në atë mënyrë që pas 2 shkurtit 2016, shkon në zyrën e noteres në Mamushë, e dorëzon “Aktvdekjen” me të dhënat e përshkruara si më lartë në bazë të së cilës, noteria sjell “Aktvendim Trashëgimor” pa qenë i përfshirë në trashëgimi i dëmtuari Z.Sh./Betimipërdrejtësi