Rubrika e monitorimit të rasteve të korrupsionit ( 18 – 22 janar 2021)

Pallati i Drejtesise  (15) (1)
Author

Raporton: “Betimi për Drejtësi”

Janar 23, 2021

Prishtinë – Gjatë periudhës kohore 18 – 22 janar 2021, hulumtuesit e “Betimi për Drejtësi” kanë monitoruar 21 seanca gjyqësore për raste të korrupsionit, të caktuara në të gjitha Gjykatat Themelore të Kosovës, përfshirë edhe degët e tyre.

Prej këtyre seancave të caktuara, 12 seanca janë mbajtur, përderisa 9 të tjera janë shtyrë për arsye të ndryshme.

Në këto raste të korrupsionit janë të përfshirë 57 persona të akuzuar, ku 5 persona i takojnë profilit të ulët, 38 persona i takojnë profilit të mesëm dhe 14 persona i takojnë profilit të lartë (ish-kryetari i Komunës së Klinës, Sokol Bashota, kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova, ish-kryeaministri i Republikës së Kosovës, Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari).

  • Aktgjykimi 1:

Gjykatat Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim lirues në rastin e njohur si “Veteranët”.

Në këtë rast, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar po akuzohen, ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, ish-ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, deputeti Shkumbin Demalijaj, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aktgjykimi është shpallur nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Nushe Kuka-Mekaj.

Sipas aktakuzës së përgatitur nga ish-prokurori special, Elez Blakaj, personat e përfshirë akuzohen se prej vitit 2011 deri në vitin 2017, duke vepruar si anëtarë të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, duke tejkaluar kompetencat me dashje dhe duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që të përfitojnë personat e tjerë në mënyrë të kundërligjshme, në vazhdimësi, në dëm të Buxhetit të Republikës së Kosovës.

Tutje, sipas PSRK-së, nga provat e siguruara deri më tani është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej  68.153.533.14 euro.

Ndërsa, me aktakuzën e dorëzuar në gjykatë më 7 dhjetor 2018, pretendohet se buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej  88.769.217.04 euro.

  • Aktgjykimi 2:

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me një vit e tetë muaj burgim oficerin korrektues në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë Ragip Zeneli, i cili paraprakisht e kishte pranuar fajësinë.

Zeneli për veprat penale keqpërdorim detyrë dhe shpërndarje të narkotikut është dënuar me nga një vit burgim efektiv për secilin vepër dhe 1 mijë euro gjobë, ndërsa ndaj tij gjykata ka shqiptuar dënim unik në kohëzgjatje prej 1 vit e tetë muaj.

Fajtor është shpallur edhe i akuzuari për posedim të narkotikëve Blerim Sinani, i cili pas pranimit të fajësisë është dënuar me shtatë muaj burgim dhe 500 euro gjobë.

Aktgjykimi në fjalë është shpallur nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Fatime Dermaku.

Zeneli akuzohej se në dhjetor 2020, kishte futur substancë narkotike në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë dhe ia kishte dorëzuar të akuzuarit Sinani i cili është në vuajtje të dënimit në këtë qendër. raporton “Betimi për Drejtësi”.

  •  Aktgjykimi 3:

Në Gjykatën Themelore në Prizren është shpallur aktgjykim dënues ndaj Zenel Ahmetaj dhe Ertan Simitqi, të akuzuar për korrupsion në kohën sa ishin drejtorë të Drejtorisë së Financave në Komunën e Prizrenit.

Kryetarja e trupit gjykues Ajser Skenderi, në shpallje të aktgjykimit deklaroi se dy të akuzuarit janë gjetur fajtor dhe dënohen me nga 6 muaj burgim me kusht, dënim i cili nuk do të ekzekutohet nëse të akuzuarit në afatin e verifikimit prej një viti nuk kryejnë ndonjë vepër tjetër penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe Prokuroria Themelore në Prizren, më 31 korrik 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Zenel Ahmetaj dhe Ertan Simitqi, të cilët i ngarkon me veprën penale të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar.

Sipas aktakuzës, Zenel Ahmetaj akuzohet se gjatë periudhës kohore janar-dhjetor 2015, në cilësinë e ushtruesit të detyrës së drejtorit të Financave në Komunën e Prizrenit, nuk i ka përmbushur detyrat apo autoritetin zyrtar, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për personat tjerë juridik, TV “Opinion”, TV “Besa” dhe TV “Prizreni”.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Ahmetaj, duke mos e përmbushur detyrën e përcaktuar me ligj, pa ndonjë procedurë të tenderimit në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike, si dhe Rregulloren e Thesarit, kishte lidhur kontrata për emetimin e spoteve reklamuese për nevojat e Drejtorisë së Financave të Komunës  Prizrenit.

Sipas aktakuzës, Ahmetaj gjatë periudhës kohore 25 janar 2015, e deri më 31 dhjetor 2015, kishte lidhur kontratë me TV “Opinionin”, në vlerë prej 300 euro në muaj dhe se për 12 muaj ka paguar 3600 euro, ndërsa në periudhën 20 janar 2015, deri me 31 dhjetor 2015, me TV “Besa”, kishte lidhur kontratë prej 300 euro në muaj, që për 12 muaj arrin shumën 3600 euro, si dhe për të njëjtën periudhë dhe me shumë të njëjtë, kishte lidhur kontratë edhe me TV “Prizrenin”, ku për të tre televizionet arrin shuma prej 11.800 euro në vit.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1, lidhur me paragrafin 2, nënparagrafin 2.2 të KPRK-së.

Ndërsa, sipas aktakuzës, Ertan Simitqiu, akuzohet se gjatë periudhës kohore janar-dhjetor 2016, në cilësinë e drejtorit të Financave në Komunën e Prizrenit, nuk i ka përmbushur detyrat apo autoritetin zyrtar, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për personat tjerë juridik, TV “Opinion”, TV “Besa” dhe TV “Prizreni”.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Simitqi, duke mos e përmbushur detyrën e përcaktuar me ligj, pa ndonjë procedurë të tenderimit në mënyrë të kundërligjshme kishte lidhur kontrata për emetimin e spoteve reklamuese lidhur me sensibilizimin e opinionit publik rreth pagesave të tatimit në pronë në Komunën  Prizrenit.

Në aktakuzë thuhet se Simitqi gjatë periudhës kohore 1 janar 2016 e deri me 31 dhjetor 2016 kishte lidhur kontratë me TV “Opinionin”, në vlerë prej 300 euro në muaj dhe se për 12 muaj ka paguar 3600 euro, ndërsa në periudhën e njëjtë, kishte lidhur kontratat edhe me TV “Besa” dhe TV “Prizreni”, ku për të tre televizionet arrinte shuma prej 11.800 euro në vit.

Me këto veprime, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1, lidhur me paragrafin 2, nënparagrafin 2.2 të KPRK-së.

  • Aktgjykimi 4:

Ish Kryesuesi Komunal në komunën e Kamenicës, njëherit kryetar i degës së Lëvizjes Vetëvendosje! (LVV), dega në Kamenicë, Bajram Mavriqi, i akuzuar për mos deklarim të pasurisë, është dënuar me 1,500 euro gjobë.

Një vendim të tillë e ka marrë Gjykata Themelore në Gjilan, dega në Kamenicë.

Prokuroria Themelore në Gjilan, më 19 qershor 2020, ka ngritur aktakuzë ndaj Bajram Mavriqit, me arsyetimin se ai në cilësinë e zyrtarit të lartë publik, Kryesues i Asamblesë Komunale në Kamenicë, duke qenë me ligj i detyruar të bëjë deklarimin e pasurisë për vitin 2018, ka deklaruar më 2 prill 2019, duke mos shënuar në formularin e deklarimit të pasurisë të hyrat vjetore në shumën prej 4,346.42 euro për periudhën kohore 1 – 31 dhjetor 2018, kështu që ai ka bërë deklaratë të rreme apo duke mos paraqitur të dhënat e kërkuara në deklaratë.

  • Aktgjykimi 5:

Në Gjykatën Themelore në Gjilan janë liruar nga akuza Goran Maksimoviq dhe Selatin Beqiri, të cilët akuzoheshin për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Sabedin Mushica në arsyetimin e vendimit tha se nuk është vërtetuar se të akuzuarit kanë kryer veprën penale dhe se në veprimet e të akuzuarve nuk formësohen elementet e veprës penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjilan, më 17 qershor 2019 ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve Goran Maksimoviq dhe Selatin Beqiri për shkak të veprës penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Sipas aktit akuzues, Goran Maksimoviq, në cilësinë e drejtorit në Drejtorinë për Urbanizëm, Kadastër dhe Mbrojtje të Mjedisit në Komunën e Novobërdës, tejkalon autorizimet e tij dhe shpërdoron detyrën zyrtare, ashtu që më 19 prill 2018 ka lëshuar pëlqimin në emër të Dushan Maksimoviqit për ndërtim të objektit “Fermë e Derrave”, në fshatin Zebnicë, pronë kjo e cila nuk ishte në emrin e tij, por në emër të gjyshit të tij Trajan Maksimoviq.

Me këtë, Goran Maksimoviq në kundërshtim me ligjin për ndërtim i ka mundësuar Dushan Maksimoviqit përfitim në vlerë prej 66.360 eurosh.

Tutje sipas aktit akuzues, i pandehuri Selatin Beqiri në cilësinë e shefit të Drejtorisë së Urbanizmit, Kadastër dhe Mbrojtje të Mjedisit në Komunën e Novobërdës, ka shpërdoruar pozitën e tij zyrtare ashtu që me 03 dhjetor 2018 ka lëshuar lejen ndërtimore në emër të Dushan Maksimoviqit për ndërtimin e objektit “Fermë e Derrave”, për pronën që nuk ka qenë në emër të tij, në kundërshtim me ligjin për ndërtim.

Sipas këtij veprimi, Selatin Beqiri në mënyrë të kundërligjshme ia ka mundësuar Dushan Maksimoviqit përfitimin material në vlerë prej 66.360 euro.

Sipas aktakuzës, Goran Maksimoviq dhe Selatin Beqiri, me veprimet e lartëcekura, kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

  •  Lajmi 1:

Ish-nënkryetari i Komunës së Gjakovës, Ramadan Hoti, është dënuar me 300 euro gjobë si masë ndëshkimore pasi ishte akuzuar për mosraportim të pasurisë.

Urdhrin ndëshkimor e ka aprovuar  gjykatësja Diana Sina pas propozimit që ka ardhur më 15 dhjetor 2020 nga ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, njëherësh prokurori i Departamentit të Krimeve të Rënda në këtë prokurori, Ali Uka.

Në arsyetim të aktgjykimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se  gjykata me rastin e shqyrtimit paraprak të çështjes konfrom nenit 495 të KPPK-së gjeti se janë plotësuar kushtet nga dispozitat e nenit 493 dhe pa mbajtur shqyrtimin gjyqësor vendosi  që të pranoi kërkesën e prokurorisë për dhënien e urdhërit ndëshkimor.

Tutje në aktgjykim thuhet se gjykata këtë dënim e ka shqiptuar me bindjen se do të arrihet qëllimi i dënimit.

Në aktakuzën që e ka përpiluar ish-prokurori i Departamentit të Përgjithshëm të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Bajram Kryeziu, i njëjti i ka propozuar gjykatës që të caktojë dhe të mbajë shqyrtimin gjyqësor dhe pas administirmit të provave, i akuzuari Hoti të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.

Në nenin 493 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës parashihet që prokurori i shtetit mund të kërkojë në aktakuzë që gjykata të jep urdhër ndëshkimor për veprat penale për të cilat parashihet dënim me gjobë ose burgim deri në 3 vite, në të cilin të akuzuarit do t’i shqiptojë dënim përkatës pa e mbajtur shqyrtimin gjyqësor.

“Për veprat penale për të cilat parashihet dënim me gjobë ose burgim deri në tri (3) vjet, për të cilat prokurori i shtetit është informuar në bazë të provave të besueshme nga kallëzimi penal, prokurori i shtetit mund të kërkojë në aktakuzë që gjykata të jep urdhër ndëshkimor, në të cilin të akuzuarit do t’i shqiptojë dënim përkatës pa e mbajtur shqyrtimin gjyqësor.”, thuhet në nenin 493 paragrafi 1.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Ramadan Hoti po akuzohet se në cilësi të nënkryetarit të Komunës së Gjakovës, në periudhën kohore nga 1 marsi e deri më 31 mars 2019, nuk e ka bërë deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë në afatin e rregullt ligjorë në Agjencinë Kundër Korrupsion në Prishtinë, obligim ky i paraparë për të gjithë zyrtarët e lartë publik, përkundër faktit se ka qenë i informuar paraprakisht dhe në dijeni për obligimin e deklarimit të pasurisë.

  • Lajmi 2:

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka ngritur aktakuzë për korrupsion në Gjykatën Themelore në Gjakovë ndaj shtetasit të Shqipërisë, Gerald Daja.

Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, prokuroria pretendon se i akuzuari Daja në pikën kufitare Qafë-Morinë i ka ofruar të holla policëve kufitar me qëllim që ta kalojë kufirin pasi që nuk posedonte letërnjoftim apo pasaportë me vete.

Sipas aktakuzës, Daja po akuzohet se më 6 dhjetor 2020, rreth orës 12:00, në pikën kufitare Qafë-Morinë, ka ofruar të holla si dhurata që personi zyrtar të mos veprojë në pajtim me detyrën e tij zyrtare.

Tutje sipas aktakuzës, ai këtë e ka bërë në atë mënyrë që derisa zyrtarët policor kufitar ndalojnë automjetin “Hyndah”, të cilin e drejtonte i akuzuari, me qëllim të regjistrimit dhe kontrollit doganor, i akuzuari iu ofron patentë shoferin dhe kontratën e veturës të cilën e kishte marrë me rentë (qira), kur zyrtari policor e njofton se nuk mund të kalojë për shkak se nuk posedon letërnjoftimin apo pasaportë me vete, i akuzuari kthehet në veturë e prapë vjen tek pika e kontrollit e ku zyrtarit ia dorëzon të njëjtat dokumente por brenda dokumentacionit kishte vendosur një kartëmonedhë në vlerë prej 1,000 lekë të reja, në këmbim të kalimit të kontrollit kufitar pa dokumentacion personal, e kur zyrtari e pyet se pse ndodhën këto të holla këtu, i akuzuari i përgjigjet: “shef, janë për një kafe”.

Për këtë, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “dhënie ryshfeti” nga neni 422 paragrafi 1 të KPRK-së.

MONITORIMI NË GJYKATËN E APELIT:

  •  Lajmi 1:

Gjykata e Apelit ia ka zbutur dënimin me burgim të shqiptuar ndaj ish-kryetarit të Komunës së Lipjanit, Shukri Buja.

Nga dy vite sa ishte dënuar nga shkalla e parë, Apeli i ka shqiptuar Bujës dënim me burgim në kohëzgjatje prej një viti, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Po ashtu, Bujës i është shqiptuar edhe dënim plotësues “ndalim të ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik, në kohëzgjatje prej 2 (dy) viteve”.

Kurse, për pikat tjera të aktakuzës për të cilat ishin dënuar Buja dhe të akuzuarit Halit Gashi dhe Bajram Rizani, Apeli ka nxjerr aktgjykim refuzues për shkak të parashkrimit të ndjekjes penale.

Po ashtu, aktgjykim refuzues është marr edhe për të akuzuarën Magbule Sadiku e cila ishte liraur nga akuzat nga shkalla e parë.

Ndërsa për të akuzuarit, Hasim Vishesella dhe Edmond Rexhepi, Apelit e ka prishur aktgjykimin e shkallës së parë e cila të njëjtit i kishte dënuar për korrupsion dhe lëndën ndaj tyre e ka kthyer në rigjykim. Për pjesët tjera të aktgjykimit, Apeli e ka lënë në fuqi aktgjykimin e shkallës së parë. /BetimipërDrejtësi