Rritet numri i të arrestuarve në Gjakovë për shkak të moszabtimit të masave të Qeverisë

Gjakova 6.2.2020
Author

Raporton: Senad LOKAJ

Mars 25, 2020

Gjakovë – Ka vazhduar të rritet numri i të arrestuarve në Gjakovë, për shkak të mosrespektimit të vendimeve të nxjerra nga Qeveria e Republikës së Kosovës, që kanë për qëllim parandalimin e përhapjes së virusit Covid-19.

Vetëm gjatë ditës së djeshme, përkatësisht 24 marsit të këtij viti, janë shoqëruar në Stacionin Policor në Gjakovë gjashtë persona për hapjen e lokaleve të tyre, në lokacione të ndryshme në Komunën e Gjakovës.

Sipas njoftimit të lëshuar nga Policia e Kosovës, gjashtë persona janë shoqëruar në Stacionin Policor për shkak të mosveprimit sipas dispozitave shëndetësore gjatë epidemisë.

Në njoftim thuhet se pesë nga gjashtë rastet me vendim të prokurorit kanë shkuar në procedurë të rregullt, ndërsa njëri i arrestuar pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për mbylljen e kafiterive, bareve dhe restoranteve, mbylljen e tregjeve të kafshëve dhe të automjeteve, me qëllim të parandalimit të përhapjes koronavirusit. /BetimipërDrejtësi