Rrahim Hashimi i drejtohet Faton Dalladakut: “Mos ma përmend babën se po të çohna e po të”

unnamed (4)
Author

Raporton: Egzon HALILI

Janar 10, 2020

Prishtinë – Në gjykimin ndaj të akuzuarve për mashtrim, Kadri Rexhepi dhe Rrahim Hashimi, ky i fundit i është drejtuar të dëmtuarit Faton Dalladaku, duke i thënë “mos ma përmend babën se po të çohna, e po të”, por i cili më pas është ndalur.

Një gjë e tillë, ka ndodhur në seancën e së premtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku ka vazhduar dëshmia e të dëmtuarit Dalladaku, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjatë kësaj dëshmie, i dëmtuari Dalladaku, ka përmendur shumat e parave, që sipas tij, ua ka dhënë të akuzuarve Hashimi dhe Rexhepi.

Dalladaku, ka thënë se para për operacion i kishte dhënë edhe babait të Rrahim Hashimit, e cila deklaratë më pas ka nxitur reagimin e të akuzuarit.

Ndërkohë, gjatë dhënies së dëshmisë së tij, i dëmtuari Dalldaku, deklaroi se të akuzuarit Rexhepi, Hashimi dhe Lika, i kishin thënë se pronar faktik i Qendrës Kardiake të Kosovës, ishte ish–kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, duke shtuar se ai kishte kërkuar që të kontaktonte direkt me të.

Më pas, deklaroi se të gjitha shumat e parave, të cilat ishin marrë nga të akuzuarit Hashimi, Rexhepi dhe Lika, më së shpeshti ishin marr në emër të Kadri Veselit dhe Xhavit Halitit.

Duke u përgjigjur në pyetjen e mbrojtësit të të akuzuarit Rexhepi, avokatit Admir Salihu, se si ishte bindur të jepte shumën prej 100.000 euro, si para të gatshme të akuzuarit Hashimi, Dalladaku u është përgjigjur se kishte raporte të mira me të akuzuarin Rexhepi në atë kohë.

“Në këtë rast kam bërë lëshim në raportin që deri atëherë e kisha me Kadri Rexhepin, gjithashtu Kadri Rexhepi betohej në kokë të djalit që çdo gjë ishte në rregull dhe se disa fish më shumë do t’i kthej mjetet nëse ka nevojë”, tha Dalladaku.

Ai shtoi se ka dëshmi që i akuzuari Rrahim Hashimi, kishte deklaruar se në emër të tij ka paguar borxhe.

“Kam dëshmi që Rrahim Hashimi ka deklaru se për mu i ka paguar 300.000 euro borxhe të mija, kinse në formë të shantazhit unë kam kërkuar që të vras njerëz”, tha Dalladaku.

Më pas gjykatësja e rastit, Medie Bytyqi, ka marr aktvendim për ndërprerjen e seancës, pasi ishte fundi i orarit të punës.

Seanca e radhës është caktuar më 16 janar 2020, në ora 10:00.

Ndryshe, kjo lëndë fillimisht kishte filluar të gjykohej nga Gjykata Themelore në Ferizaj, por e njëjta me vendimin e nxjerrë më 6 gusht 2018, ishte shpallur jo kompetente në pikëpamje territoriale, ashtu që kjo lëndë i ishte transferuar Gjykatën Themelore në Prishtinë për vendosje.

Ndërsa, Gjykata Themelore në Prishtinë, kishte mbajtur shqyrtimin fillestar në këtë çështje penale më 26 qershor 2019, me ç’rast dy të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm për këtë vepër penale.

Ndërsa, më 14 gusht 2019, gjykatësja Medie Bytyçi ka refuzuar kërkesat e ushtruara nga mbrojtësit për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

Po ashtu më 28 tetor të këtij viti ndaj të akuzuarve Hashimi dhe Rexhepi, Gjykata Themelore në Prishtinë, ua ka vazhduar edhe për dy muaj të tjerë masën e paraburgimit.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, më 21 mars 2018, ka ngritur aktakuzë ndaj Rrahim Hashimit dhe Kadri Rexhepit për shkak të veprës penale “Mashtrimi”, në bashkëkryerje, nga neni 335 par.5 lidhur me par.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Sipas prokurorisë, në periudhën kohore prej 30 dhjetor 2011, deri më 24 korrik 2012, në Prishtinë, në zyrën e të dëmtuarit Faton Dalladaku, e cila gjendet në rrugën “Perandori Justinian”, në lagjen “Pejton”, të pandehurit Rrahim Hashimi dhe Kadri Rexhepi, së bashku me të pandehurin tjetër Ekrem Lika, i cili për momentin gjendet në arrati, me anë të paraqitjes së rreme të fakteve dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete ose për tjetrin si dhe për t’i shkaktuar dëm personit tjetër, e kanë vënë në lajthim të dëmtuarin Faton Dalladaku.

Gjithnjë sipas prokurorisë, ata përmes të akuzuarit Kadri Rexhepi, prezantohen rrejshëm para të dëmtuarit dhe atë i akuzuari Rrahim Hashimi, si i afërm i Kadri Veselit dhe Xhavit Halitit, ndërsa i akuzuari Ekrem Lika si dhëndër i Kadri Veselit, ashtu që të tre së bashku kinse me qëllim të ndërmjetësimit për blerjen e Qendrës Kardiake të Kosovës SH.P.K në Prishtinë.

Prokuroria pretendon se ky ndërmjetësim pretendohej të realizohej kinse mes personit të quajtur Ekrem Lluka si shitës dhe Faton Dalladaku si blerës, ashtu që e nxisin të njëjtin të veprojë në dëm të pasurisë së tij, duke i prezantuar draft-kontrata sipas të cilave arrijnë ta bindin se i akuzuari Rrahim Hashimi, është pronar i Qendrës Kardiake të Kosovës, me 20 për qind të aksioneve, ndërsa Ekrem Lluka me 80 për qind, me ç’rast arrijnë të marrin nga i dëmtuari Dalladaku shumën e përgjithshme të të hollave prej 290 mijë e 810 euro, për të cilën shumë edhe i shkaktojnë dëm material.

Me këto veprime, prokuroria i ngarkon të akuzuarit Rrahim Hashimi dhe Kadri Rexhepi se kanë kryer veprën penale “Mashtrimi” në bashkëkryerje, nga neni 335 par.5 lidhur me par.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së. /Betimipërdrejtësi