Rojet e KEK-ut thonë të mos kenë vërejtur asgjë të dyshimtë në natën kur ishte vjedhur ngjitësi për shiritat e thëngjillit

KEK
Author
Dhjetor 6, 2019

Prishtinë – Rojet e KEK-ut, Kadri Hasani, Mentor Mjekiqi dhe Rexhep Murati, kanë thënë se më 17 maj 2012, në natën kur ishte vjedhur ngjitësi për shiritat e thëngjillit, nuk kishin parë ndonjë parregullsi apo diçka të dyshimtë.

Këto deklarata, dëshmitarët i kanë dhënë në seancën e së premtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin për përvetësim në detyrë ndaj tre zyrtarëve të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Vehbi Dragusha, Ejup Grajqevci si dhe Fahri Fejzullahu.

Dragusha dhe Grajqevci, si depoist, në depon e servisimit në divizionin e thëngjillit në KEK, kurse i akuzuari Fahri Fejzullahu, në cilësi të dhënësit të materialit në depo të thëngjillit, po akuzohen se kishin përvetësuar rreth 245 kilogramë ngjitës për shiritat të thëngjillit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dëshmitari Kadri Hasani, i propozuar nga i akuzuari Fahri Fejzullahu, ka thënë se për këtë rast kishte dhënë edhe njëherë deklaratë në gjykatë.

Sipas tij, më 17 maj 2012, ai kishte filluar punën në ndërrimin e tretë, prej orës 23:00 e deri në ora 07:00, në hyrjen zyrtare 05, ku prej kabinës së rojës së depos, e deri te dera e depos, tha se distanca ishte 10-20 metra, ndërsa prej kabinës ku ai kishte bërë roje, ka thënë se distanca kishte qenë 500 metra.

“Prej kabinës time kur kam qenë unë roje atë natë nuk shihet as kabina tjetër, e as dera e depos për arsye se është një distancë prej 500 metra”, ka thënë dëshmitari Hasani.

Në natën kur kishte ndodhur vjedhja e ngjitësit, ai tha se kishte parë vetëm inxhinierin e ndërrimit, por tha se kishin bërë kontrollimin e tij dhe të veturës.

“Atë natë nuk është vërejt asgjë e jashtëzakonshme, as nuk ka pasur polic, veç vetura e inxhinierit ka lëvizur, në hyrje kam qenë vetëm unë roje, ndërsa ndërrimin e kam dorëzuar në 06:45, dhe nuk kam vërejtur që ka ardhur dikush në momentin kur unë e kam dorëzuar ndërrimin”, ka thënë dëshmitari.

Ai tha se veturat mund të hyjnë edhe në pjesët e tjera të objektit për të shkuar deri tek depoja, mirëpo sipas tij, veturat kontrollohen nga rojet rreth objekteve.

Dëshmitari Hasani, tha se kur e kishte dorëzuar ndërrimin gjithçka kishte qenë në rregull dhe nuk kishte parë diçka të jashtëzakonshme.

Ai tha se kur punëtorët e KEK-ut dalin me automjet nga depoja, rojet mbajnë evidencë për mjetet e punës që ata i marrin me vete, ndërsa për ditën kritike tha se gjatë kontrollimit nuk kishin vërejtur që ndonjëri nga punëtorët kishte marrë mjete nga depoja.

Ai në fund tha se pa nënshkrim të inxhinierit nuk kishte hyrje dhe dalje të materialit, pasi sipas tij, inxhinieri në evidencë mban shënime për mallin që del nga depoja dhe ditën e nesërme e sjell edhe fletëdaljen.

Në seancën e së premtes është dëgjuar edhe dëshmitari Mentor Mjekiqi, i cili ka thënë se kur kishte ndodhur rasti ai kishte qenë në pikë të Mirashit–Seperacioni Mirash.

Ai tha se natën kritike nuk kishte vërejtur lëvizje të personave apo të veturave, pasi sipas tij, ata e kishin pasur për obligimin që nëse vërenin diçka të dyshimtë të lajmërojnë kolegun e përcaktuar në atë pikë.

Sipas tij, depoja kishte qenë e pajisur me kamera dhe me alarm, pasi ka thënë se kamerat e vendosura në depo vërehen, ndërsa për alarmin ka thënë se gjatë testimit e kishte parë që e kishin aktivizuar.

“Nuk kanë mundësi me hy apo me dalë asnjëri prej punëtorëve nga ndonjë hyrje tjetër pa u vërejtur nga rojet, po ashtu nuk kanë të drejtë me hy me vetura private para hyrjes kryesore, nuk ka mundësi mjetet zyrtare me i shtri brenda apo jashtë pa fletëdalje”, ka thënë dëshmitari Mjekiqi.

Edhe dëshmitari Rexhep Murati, ka thënë se në natën kritike derisa kishte qenë roje në ndërrimin e tretë në shiritat e Seperacionit Mirash, nuk kishte vërejtur ndonjë parregullsi.

Ai tha se roja afër depos kishte qenë Bashkim Ismajli, i cili sipas dëshmitarit, nuk kishte paraqitur ndonjë ankesë për parregullsi apo që kishte vërejtur diçka.

“Punëtorët dhe depoistat nuk kanë të drejtë të hyjnë në hyrjen kryesore me vetura private, ndërsa me veturat e punës hyjnë dhe dalin por gjithherë bëhet kontrollimi i tyre”, ka thënë dëshmitari Murati.

Seanca e radhës pritet të mbahet me 13 janar 2020, në ora 13:10, në të cilën do të dëgjohet dëshmitari Bashkim Ismajli.

Ndryshe, në këtë rast, janë ndërruar tre kryetarë të trupit gjykues, ku fillimisht kishte qenë Faik Hoxha, pastaj rasti kishte kaluar te ish-gjykatësi Vehbi Kashtanjeva, i cili pas daljes në pension, rasti i kishte kaluar kryetares së trupit gjykues, gjykatëses Violeta Namani.

Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte ngritur aktakuzë më 19 dhjetor 2013, ndaj Vehbi Dragushës, Ejup Grajqevcit dhe Fahri Fejzullahut, me pretendimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale “përvetësimi në detyrë”, nga neni 425 paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit Dragusha dhe Grajqevci, më 17 maj 2012, sa ishin në kryerje të detyrës zyrtare në vendin e punës si depoist në depo të servisimit në divizionin e thëngjillit në KEK, kurse i akuzuari Fejzullahu në cilësi të dhënësit të materialit në depo të thëngjillit akuzohen se kishin kryer veprën penale të cekur më lartë.

Të njëjtit thuhet se në bashkëkryerje e me qëllim të përfitimit kishin përvetësuar duke marrë 245 kilogram ngjitës për shirita të thëngjillit pronë e të dëmtuarës KEK.

Me këtë rast, ata pretendohet se i kanë shkaktuar dëm në vlerë prej 5,115.6 euro, Korporatës Energjetike të Kosovës, përkatësisht divizionit të thëngjillit. /Betimipërdrejtësi