Roja i sigurimit në QKUK kërkon kompensim dëmi, pretendon se u rrah nga të paditurit

unnamed
Author

Raporton: Mirjeta PLAKIQI

Nëntor 8, 2019

 


Drenas – Me pretendimet se kishte pësuar lëndime trupore, pasi ishte sulmuar nga tre persona, roja i sigurimit në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK), Mëgzon Veliqi, ka ushtruar padi ndaj Shemsi Hasanit, Bujar Salihut dhe Lavdim Hasanit.

Në padi, thuhet se rasti kishte ndodhur në dhjetor të vitit 2014, derisa tani paditësi, ishte në vendin e punës, si punëtor i kompanisë së sigurimit “Roje Nderi”, i caktuar me detyrë në objektin e Klinikes Intensive–Koronare në QKUK.

Sipas padisë, tani të paditurit, e kishin sulmuar atë dhe për lëndimet që pretendon se i janë shkaktuar, ai kërkon të kompensohet në shumë prej katërmijë euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me këtë rast, Gjykata Themeloren në Prishtinë, dega në Drenas, ka caktuar dy ekspertiza mjekësore.

Në seancën përgatitore të mbajtur të premten, përfaqësuesi palës paditëse, avokati Gëzim Plakaj, i ka propozuar gjykatës që të nxirren ekspertizat nga fusha e mjekësore e ortopedisë –traumatologjisë si dhe ajo e psikiatrisë.

Këtë propozim e ka aprovuar gjykatësi i çështjes, Jeton Krasniqi, dhe ka caktuar  Sami Deliu, si ekspert të ortopedisë-traumatologjisë  dhe Valbona  Blakaj, si eksperte të psikiatrisë.

Ndryshe, në fillim të seancës, i autorizuarit i palës paditëse, avokati Plakaj, ka thënë se mbetet pranë padisë dhe kërkesëpadisë dhe pasi që është siguruar baza e kërkesëpadisë.

“Si palë paditëse, ofrojmë ofertën në shumë prej 1500 euro, për të gjitha format e dëmit material dhe jo material, në mënyrë që të mbyllet ky proces pa shpenzime procedurale”, ka thënë avokati Plakaj.

Me këtë ofertë, nuk janë pajtuar palët e paditura, Shemsi Hasani, Bujar Salihu dhe Lavdim Hasani, pasi sipas tyre, lidhur me këtë rast, ata ishin dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, me gjobë në shumë prej 200 euro dhe se nuk pajtohen me lartësinë e kërkesëpadisë.

Të paditurit kanë deklaruar se janë të gatshëm të mbyllin këtë çështje me marrëveshje, duke ofruar shumën prej 400 euro, të gjithë së bashku.

Në të kundërtën gjykatës i kanë propozuar që kjo seancë të shtyhet për një datë tjetër, për mundësinë e shqyrtimit të arritjes së një marrëveshjes me të paditurin.

Paditësi Megëzon Veliqi si dhe i autorizuarit i tij, nuk janë pajtuar me këtë ofertë.

Gjykatësi Krasniqi, ka refuzuar këtë propozim për shtyrjen e seancës, pasi të njëjtit kanë mundësi të bëjë marrëveshje edhe jashtë seancës gjyqësore.

Seanca e radhës është caktuar  më 3 dhjetor 2019, nga ora 13:00.

Ndryshe, më 6 prill 2017, paditësi Megëzon Veqili, ka ushtruar padi kundër të paditurve Shemsi Hasani, Bujar Salihu dhe Lavdim Hasani, për kompensim të dëmit material dhe jo material në vlerë prej katërmijë euro.

Sipas padisë, paditësi ishte punëtor i kompanisë së sigurimit “Roje Nderi”, i caktuar me detyrë në objektin e Klinikes Intensive–Koronare të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Siç thuhet në padi, derisa ai ishte në detyrë, më 9 dhjetor 2014, rreth orës 19:20, të paditurit e kanë sulmuar paditësin në vendin e punës, pasi paditësi, nuk i ka lejuar ata të hynin në dhomën e intensives për të vizituar një familjar të tyre, me ç’rast e kanë sulmuar paditësin, duke e goditur me grushte dhe shqelma në kokë dhe hundë.

Me anë të padisë, ai ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Drenas, që ta aprovojë kërkesëpadinë e tij si të bazuar në tërësi, si dhe të detyrohen të paditurit që ne emër të kompensimit të dëmit material dhe jo material të paguajnë kompensimin e dëmit të shkaktuar. Po ashtu, sipas padisë, të obligohen të paditurit të paguajnë shpenzimet e procedurës. /BetimipërDrejtësi