Rihapet gjykimi ndaj të akuzuarve për terrorizëm, gjykatësi kërkon identifikimin e grupit terrorist

IMG_20181205_144134_514
Author

Raporton: Gzime HASHANI

Dhjetor 5, 2018

Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë, ka rihapur gjykimin kundër të akuzuarve për vepra penale që lidhen me terrorizëm, Adrian Mehmheti, Nuredin Sylejmanit, Genc Selimit, Valon Shalës dhe Musli Hysenit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Të mërkurën ishte paraparë të shpallej aktgjykimi në këtë rast, por Gjykata kërkoi nga  Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), që të identifikojë grupin terrorist, veprimet e të akuzuarve lidhur me përgatitjen e veprave terroriste dhe materiet eksplozive që dyshohet të jenë improvizuar nga të akuzuarit.

Sipas njoftimit të kryetarit të trupit gjykues, gjykatësit Naser Foniqi, pas këshillimit dhe votimit, kishin vendosur të rihapin shqyrtimin gjyqësor, në fazën e administrimit të provave, dhe fjalës përfundimtare sa i përket disa pikave të aktakuzës.

Gjykatësi Foniqi, kërkoi nga prokurori i rastit, Afrim Shefkiu, që të sqarojë pikën 1 të aktakuzës, sa i përket organizimit të veprave terroriste ndaj cilave objekte të sigurisë, me cilin plan të organizuar mirë dhe cilat materie eksplozive janë improvizuar.

Sipas gjykatësit, prokurori duhet të identifikojë grupin terrorist, pasi që sipas tij, në kohën kur dyshohet të jetë kryer kjo vepër penale, ka ekzistuar një listë e organizatave terroriste.

Prokurori, sipas gjykatësit, duhet të identifikojë dhe të precizojë, veprimet e ndërmarra, të identifikuara dhe të paidentifikuara, po ashtu të identifikojë veprimet e të akuzuarit Musli Hyseni, lidhur me atë se si ka qenë i informuar, në cilat takime ka marr pjesë dhe cilët nga të pandehurit e tjerë kanë qenë në dijeni, për identitetin e kryerësve të këtyre veprave penale.

Sipas njoftimit të gjykatësit Foniqi, seanca e radhës pritet të mbahet më 14 janar 2019, nga ora 9:30.

Në seancën e kaluar, palët kishin dhënë fjalën përfundimtare, në të cilën prokurori  special Afrim Shefkiu, kishte kërkuar dënimin e të akuzuarve, pasi që sipas tij, gjatë të gjitha fazave të shqyrtimit gjyqësor, ishte vërtetuar se të njëjtit, kishin kryer vepra të ndryshme penale të cilat lidhen me terrorizëm.

Lidhur me këtë prokurori Shefkiu, kishte elaboruar një e nga një, veprat penale me të cilat të i ngarkon prokuroria, i njëjti kishte bërë edhe precizimin dhe plotësimin e aktakuzës.

Ndryshe, nga prokurori Shefkiu, i akuzuari Mehmeti kishte deklaruar në fjalën e tij përfundimtare, se konsideronte se aktakuza ishte bazuar mbi supozime e thashetheme.

Sipas tij,  përpos veprës penale që lidhet me shitblerjen e armëve, për të cilën e kishin pranuar fajësinë, dhe qëllimi kishte qenë përfitimi pasuror, ata nuk kishin kryer ndonjë vepër tjetër penale që lidhet me terrorizëm.

Sipas tij, i tërë rasti ishte inskenuar dhe ishte zvarritur nga një prokuror në tjetrin, e nga një gjykatës në tjetrin.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, kishte ngritur aktakuzë më 23 janar 2015, ndaj Ardian Mehmetit, Nuredin Sylejmanit, Genc Selimit, Valon Shalës dhe Musli Hysenit, të cilët akuzohen se gjatë vitit 2013, janë përfshirë në vepra të ndryshme që lidhen me terrorizmin.

Sipas prokurorisë të akuzuarit këto vepra penale i kanë kryer në Kosovë dhe Siri.

Ardian Mehmeti, akuzohet se ka kryer veprat penale “organizimi dhe pjesëmarrje në grup terrorist”, “vrasje e rendë”, “marrja e pengjeve”,  “rrëmbimi”, “kryerja e veprës terroriste”,  “zjarre vënia”, “importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”, “shkaktimi  rrezikut të përgjithshëm”,  “armëmbajtje pa leje”.

Nuredin Sylejmani, akuzohet se ka kryer veprat penale “lehtësimi në kryerjen e terrorizmit”, “armëmbajtje pa leje”, dhe “sulm”.

Kurse, Musli Hyseni, ngarkohet nga prokuroria me veprat penale “armëmbajtje pa leje”, “moslajmërim të përgatitjes së veprave penale” dhe “moslajmërim të veprave penale apo kryerësve të tyre”.

Ndërsa, Genc Selimi, akuzohet se ka kryer veprën penale “nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnike”, kurse Valon Shala, akuzohet për veprën penale “armëmbajtja pa leje”.