Rigjykimi për vrasjen në “Shega”, eksperti i balistikës thotë se s’dihet se kush ka shtënë në njërin prej viktimave

SHEGA 2
Author

Raporton: Gzime HASHANI

Nëntor 14, 2019

 

Prishtinë – Pas kthimit në rigjykim, sërish janë dëgjuar dy ekspertë të balistikës, në rastin ku Besim dhe Besart Istrefi akuzohen se në vitin 2014, në restorantin “Shega” në bashkëkryerje kishin privuar nga jeta Lutfi Saraqin dhe Nazim Gëvallën.

Në këtë rast, për vrasje të rëndë në tentativë, armëmbajtje pa leje dhe falsifikim të dokumenteve, akuzohet edhe Jeton Saraqi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjatë seancës së mbajtur të enjten janë dëgjuar ekspertët e balistikës, Qendrim Topalli dhe Lutfi Raci.

Eksperti Topalli, ka thënë se ekspertiza në të cilën ai ishte bashkë-përpilues, ishte nxjerr sipas kërkesave të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Duke u përgjigjur në pyetjen e gjykatëses Nushe Kuka- Mekaj, eksperti Topalli deklaroi se nga predha e gjetur në trupin e tani të ndjerit Gërvalla, nuk dihet se nga cila armë është gjuajtur.

Në pyetjen e gjykatëses nëse mund të vërtetohet tani një gjë e tillë, ai tha e do të mund të vërtetohej me nxjerrjen e grimcave të barotit tek pjesa hyrëse e plumbit, nga rrobat e tani të ndjerit.

Por, lidhur me këtë motra e tani të ndjerit, e cila ishte prezente në gjykatë, përmes përfaqësuesit të familjes Gërvalla, avokatit Asdren Hoxha, deklaroi se rrobat i kanë larë.

Ndërsa, lidhur me pyetjen e gjykatëses se çfarë kishin pasur në ekspertim, sa i përket të ndjerit Gërvalla, eksperti deklaroi se në ekzaminim nuk kishin pasur asgjë.

Gjykatësja kërkoi nga eksperti të dijë nëse hetuesia kishte kërkuar të bëhet një radiologji në mënyrë që të përcaktohen hyrjet-daljet e predhave, por që lidhur me këtë, eksperti deklaroi se nuk ka informata.

Eksperti Topalli, gjatë dëshmisë së tij, deklaroi se ekspertiza ishte nxjerr sipas kërkesave të Prokurorisë, dhe se me këtë rast ata kishin ekzaminuar katër armë, prej të cilave njëra kishte qenë jofunksionale, si dhe predha, gëzhoja dhe një pjesë të armës.

Ndërsa, prej tyre ishte kërkuar që të vërtetohet se nga cila armë është gjuajtur, e që konstatimi sa i përket armëve me të cilat është gjuajtur, sipas ekspertit ishte bërë duke identifikuar të gjitha llojet e predhave dhe gëzhojave përmes gjuajtjeve testuese.

Ndërkaq, në pyetjen e anëtares së trupit gjykues, Nushe Kuka- Mekaj, se a ishin nxjerr vijat e gjurmëve papilare në armët dhe gëzhojat, apo grimcat e barotit nga duart e të akuzuarve, apo të ndjerëve, eksperti deklaroi se ekspertimi balistik është ekspertimi i fundit që u bëhet dëshmive.

E lidhur me këtë gjykatësja Kuka-Mekaj, kërkoi nga eksperti që të përgjigjet në pyetjen e saj saktësisht se çfarë ajo ishte duke kërkuar nga eksperti.

Atëherë, ai deklaroi se ato lloj ekspertimesh nuk bëhen fare nga ekspertët e balistikës.

Tutje, gjykatësja kërkoi të dijë, nëse eksperti në rast të pranimit të urdhrit për ekspertim sheh se është i mangët, a mund të kërkojë plotësimin me prova.

Eksperti deklaroi se ata nuk kanë mundësi të ndërhyjnë në urdhrin e prokurorisë apo të gjykatës dhe sa i përket grimcave të barotit ai tha se gjenden në dhomën e dëshmive, pasi që Agjencinë për Forenzike e Kosovës, kishte bërë ekzaminimin edhe të grimcave të barotit.

Gjykatësja Kuka-Mekaj, kërkoi nga eksperti të dijë, se a janë tërhequr trajektoret edhe nga personat apo vetëm nga vendet statike, pasi që sipas saj, me këtë mund të dihet se kush ka gjuajtur i pari, i dyti e me radhë.

E në pyetjen e gjykatëses, eksperti Topalli u përgjigj se nuk janë tërhequr trajektoret nga trupat dhe në lëvizje.

“Ekspert edhe një here këtu i kemi dy te ndjere dhe dy te plagosur, ju keni raportin e autopsisë dhe ekspertizat mjekoligjore dhe për lëndimet e te tjerëve, në këto raporte janë përcaktuar hyrjet dhe daljet e predhave andaj me bazë të këtyre plagëve a keni provuar të tërhiqet trajektorja për ta përcaktuar pozicionin e qitësit ne baze te plagëve”, ishte pyetja pasuese e gjykatëses Kuka-Mekaj.

Lidhur me këtë, eksperti deklaroi se trajektore ne trup nuk janë tërhequr me arsyetimin se ata nuk janë pjesë e autopsisë.

E që për këtë, reagoi gjykatësja duke thënë se tërheqja e trajektoreve bëhet nga ekspertët e balistikës dhe jo në autopsi.

Në pyetjen e avokatit Hoxha, lidhur me pozitën e të ndjerit Gërvalla, eksperti deklaroi se nuk i kujtohet saktë pozita e tij.

Ndërsa, sa i përket predhës së gjetur në trupin e tij, ai tha se i takon armës  e cila dyshohet të këtë qenë e të akuzuarit Besim Istrefi, por që lidhur me këtë eksperti tha se nuk mund të jap një konstatim të tillë se kujt i përkiste arma.

Ndërkaq, vet i akuzuari Besim Istrefi, kërkoi nga eksperti të deklarohet lidhur me numrin e predhave dhe gëzhojave, të cilat janë gjetur në vendin e ngjarjes, duke aluduar se aty kishte qenë edhe një armë tjetër.

E që një mundësi të tillë e la të hapur edhe vet eksperti, i cili tha se ka mundësia të kenë qenë më shumë.

Ndërkaq, sa i përket pjesës së armës së gjetur, e cila i takon tipit “Cervena Zastava”, apo llojit të njëjtë të njërës nga armët, e cila dyshohet të jetë përdorur në këtë rast, u propozua nga mbrojtësi i të akuzuarit Besart Istrefi, avokati Haxhi Millaku, të merren fotoalbumet nga Agjencia e Forenzikës e Kosovës.

Më pas. në seancë u ftua edhe eksperti tjetër, Lutfi Raci, për të cilin nuk patën pyetje as trupi gjykues dhe as avokatet prezent.

I njëjti tha se mbetet pranë deklarimeve të mëparshme, rikonstruimit të vendit të ngjarjes dhe ekspertizës.

Në këtë seancë, ishte paraparë të dëgjohet eksperti Flammur Blakaj, por ai për shkak të angazhimeve të tjera nuk kishte pasur mundësi të jetë prezent, për këtë arsyeje, kjo seancë është shtyrë për 12 dhjetor 2019, nga ora 13:00.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 4 tetor të vitit 2018, i kishte shpallur fajtorë të akuzuarit Besim dhe Besart Istrefi, për vrasje dhe armëmbajtje pa leje.

I akuzuari Besim Istrefi, ishte dënuar me shtatë vjet burgim, pasi ishte shpallur fajtor për vrasje, kurse djali i tij, Besart Istrefi, ishte dënuar me dënim unik prej pesë vjet e katër muaj burgim, pasi ishte shpallur fajtor për vrasje dhe armëmbajtjes pa leje.

Kurse, i akuzuari i tretë, Jeton Saraçi, ishte liruar nga akuzat për tentim vrasje dhe për armëmbajtje pa leje.

Të pakënaqur me aktgjykimin e shkallës së parë, ankesë në Gjykatën e Apelit kishin ushtruar Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe mbrojtësit e të akuzuarve Besim dhe Besart Istrefi.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, kishte ushtruar ankesë me pretendimin se gjykata e shkallës së parë kishte bërë shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, shkeljes së ligjit penale dhe mbi lartësisë së dënimit.

Ankesë kishte ushtruar edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, të ndjerit Nazim Gërvalla, lidhur me lartësinë e dënimit.

Ndërsa, lirimin nga akuza të të akuzuarit Besart Istrefi, e kishte kërkuar nga Gjykata e Apelit, mbrojtësi i tij, avokati Haxhi Millaku, me pretendimin se aktgjykimi i shkallës së parë ishte përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, shkeljes së ligjit penale dhe sa i përket lartësisë së dënimit.

Për të njëjtat shkaqe, kishte kërkuar lirimin e të mbrojturit të tij Besim Istrefi edhe avokati Ali Beka.

Lidhur me pretendimet e palëve, Gjykata e Apelit, më 11 prill 2019, kishte marr aktvendim me të cilin çështjen e kishte kthyer në rigjykim.

Pasi që gjykata kishte vlerësuar se aktgjykimi i atakuar me ankesë është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, të cilat gjykata  e shkallës së dytë ka vlerësuar se ndikojnë në vërtetimin e gjendjes faktike .

“Aktgjykimi i shkallës së parë është i paqartë dhe i pakuptueshëm dhe se gjykata e shkallës së parë nuk ka dhënë arsyeje për faktet vendimtare, ndërsa ato që i ka dhënë janë të pamjaftueshme për të vërtetuar drejtë dhe në mënyrë të plotë këtë çështje penalo juridike”, thuhet ndër të tjera në aktvendimin e gjykatës së shkallës së dytë.

Gjykata e Apelit ka konstatuar se dispozitivët e aktgjykimit janë në kundërshtim me arsyetimet, sidomos tek pjesa liruese, sa i përket të akuzuarit Jeton Saraqi.

“Nëse lexohet me kujdes ky dispozitiv shihet se i akuzuari  Jeton, me provat e administruara është iniciuesi i komplet rastit, ndërsa gjykata e shkalles së parë thekson se i njëjti ka nxjerr një revole të ngjyrës së zezë të tipit të panjohur dhe e ka drejtuar atë në drejtim të të akuzuarit Besart duke  e sharë dhe duke e kërcënuar, ndërsa në anën tjetër e liron nga akuza me arsyetimin se nuk është provuar se i njëjti ka pasur armë”, thuhet në aktvendimin e Apelit.

Gjykata e Apelit, ndër të tjera ka kërkuar që të bëhet administrimi i provave veç e veç, ku do  të vërtetohet  se Besim dhe Besart Istrefi, a kanë vepruar në mbrojtje të nevojshme, gjegjësisht se a ka qenë sulmi i kundërligjshëm, a është dashur të zmbrapsët nga të abuzuarit, a ka qenë sulmi real dhe i atëçastshëm si dhe proporcioni me shkallën e rrezikut që ka paraqitur sulmi.

Ndryshe, sipas aktakuzës, në restorant “Shega” në Milloshevë të Obiliqit, pas një mosmarrëveshjeje të çastit, në mes Jeton Saraqit, Nazim Gërvallës e Lutfi Saraçi, në njërën anë si dhe Besim Istrefit dhe djalit të tij, Besart Istrefi, në anën tjetër.

Nga ky rast, të dy palët kishin nxjerrë armët dhe pas të shtënave kishin mbetur të vrarë Naim Gervalla dhe Lutfi Saraqi, ndërsa ishin plagosur rëndë, Besart e Besim Istrefi.

Ndaj Saraçit, gjithashtu është marr aktgjykim refuzues për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve, për shkak të parashkrimit të veprës penale.

Aktgjykimi ndaj tyre është shpallur të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, nga gjykatësi Vesel Ismajli.

Në këtë aktgjykim, Ismajli ka thënë se të akuzuarin Jeton Saraçi i konfiskohet pasaporta, kurse Besim dhe Besart Istrefit u konfiskohet arma.

Gjithashtu, të tre të akuzuarit janë obliguar që në emër të kompensimit të viktimave të krimit, secili të paguaj shumën prej 100 eurosh.

Të akuzuarve do t’u llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe në arrest shtëpiak pas plotëfusqishmërisë së aktgjykimit.

“Ky vendim është nga deklaratat e të dëmtuarve, dëshmitarëve, provave materiale të propozuara si nga prokuroria ashtu edhe nga mbrojtja. Ekspertiza mjekoligjore dhe ajo e institutit të forenzikës. Raporti i Institutit të Forenzikës. Besim dhe Besart Istrefi padyshim është vërtetuar se kanë shtënë në drejtim të Lutfi Saraçit. E njëjta është edhe për vrasjën e Nazim Gërvallës është vërtetuar se kanë shtënë Blerim dhe Besart Istrefi”, ka thënë gjykatësi Ismajli, gjatë arsyetimit të aktgjykimit.

Trupi gjykues ka vendosur që ta rikualifikojë veprën penale për dy të akuzuarit Istresi, nga vrasje e rëndë në vrasje.

“Gjykata e ka ricilësuar vrasjen nga vrasje e rëndë në vrasje të rëndomtë pra vetëm për Gërvallën e jo për Lutfi Saraçin pasi atë vepër e ka kry në mbrojtje në nevojshme.  Por, nuk ka pasur mbrojtje të nevojshme për vrasjen e Gërvallës”, ka thënë gjykatësi Ismajli.

Ai ka thënë se nuk është arritur të vërtetohen pretendimet e të akuzuarit Besart Istresi, se i akuzuari Jeton Saraçi ka pasur një armë tjetër në vendin e ngjarjes.

Sipas aktakuzës, në restorant “Shega” në Milloshevë të Obiliqit, më 2 maj 2014, pas një mosmarrëveshjeje të çastit ishin vrarë Nazim Gërvalla e Lutfi Saraçi, ndërsa kishin mbetur të plagosur rëndë pronari Besim Istrefi dhe djali i tij, Besart Istrefi, të akuzuar në këtë rast.

Në aktakuzë thuhet se e gjithq ngjarja kishte filluar kur kamerierët kishin filluar përgatitjen për mbylljen e lokalit, në të cilin i pandehuri Jeton Saraçi, kishte qenë në tavolinë së bashku me Adem Dautaj dhe tani të ndjerët Lutfi Saraçi dhe Nazim Gërvalla.

Për këtë gjë, sipas aktakuzës, Saraçi kishte reaguar dhe kishte filluar fjalosjen mes tij me Besart Istrefin, ku më pas kishin nxjerrë revolet dhe ia kishin drejtuar njëri-tjetrit.

Gjithnjë sipas aktakuzës, pas telefonatës nga i biri, kishte ardhur ne restorant edhe Besim Istrefi, i cili ua kishte drejtuar revolen, ku më pas e kishte shtënë nëntë herë në drejtim të tani të ndjerëve Lutfi Saraçi dhe Nazim Gërvalla.

Në ato çaste, siç tuhet në aktakuzë, kishte filluar një shkëmbim i të shtënave me armë nga të dyja palët, ku si pasojë e këtij shkëmbimi, plagë vdekjeprurëse kishin marrë tani i ndjeri Lutfi Saraçi dhe Nazim Gërvalla, ndërsa Besim dhe Besart Istrefi ishin lënduar rendë.

Ne këtë proces, i akuzuar për vrasje të rëndë në tentativë, armëmbajtje pa leje dhe falsifikim të dokumenteve është edhe Jeton Saraçi. /BetimipërDrejtësi