Rigjykimi për vrasjen me pagesë, dëshmitari thotë se cak i vrasjes ishte ai, por u vra vëllai i tij pas përleshjes me njërin të akuzuar

Raporton: Arlinda MUQA

Pejë- Në fjalën përfundimtare, në rigjykimin për vrasjen me pagesë ndaj të akuzuarve Bekim Raja, Murat Sinanaj, Avni Sinanaj dhe Gjon Pnishit, i dëmtuari Pashk Gjini deklaroi se pas përleshjes me të akuzuarin Raja, kishte pasur tentim vrasje ndaj tij dhe më pas ishte vrarë vëllai i tij Ferdinand Gjini. Ndërsa, të akuzuarit e tjerë kërkuan lirimin e tyre nga akuza.

Këtë deklarim, i dëmtuari Gjini e bëri në seancën e rigjykimit të mbajtur të martën në Gjykatën Themelore në Pejë, ku për vrasjen e rëndë të ndjerit Ferdinand Gjini, po ngarkohen Bekim Raja, Avni Sinanaj, Murat Sinanaj dhe Gjon Pnishi, raporton “Betmi për Drejtësi”.

Në fjalën e tij përfundimtare, i dëmtuari Gjini deklaroi se kjo vrasje e vëllait të tij kishte ardhur nga një motiv, pasi që kishin pasur një përleshje me të akuzuarin Raja në restorantin “Shkukëz”, në Gjakovë, ku në të ishin të përfshirë i dëmtuari Pashk  dhe vëllai i tij i ndjerë, Mark Kqiraj, kundër të akuzuarit Raja.

Sipas të dëmtuarit Gjini, pas asaj përleshje ata kishin pasur kërcënime telefonike, ku ka dëshmitë e Martin Berishës dhe Drita Kqirajt, e që sipas tij 4 muaj nga ai rast ishte vrarë Mark Kqiraj, pas 9 muajve kishte pasur tentim vrasje ndaj tij, e më pas i ishte vrarë edhe vëllai i tij.

“Që do të thotë se kjo punë dihet haptas se Bekimi i ka bërë këto pagesa dhe udhëzime dhe dëshmitë se kush i ka kryer veprat i kanë treguar dëshmitarët e tjerë dhe unë kërcënohem prapë dhe kam frikë për vrasje, kërkoj dënim maksimal për ta”, tha i dëmtuari Gjini.

Në fjalën përfundimtare, prokurorja Valbona Dishaj-Haxhosaj, deklaroi se pasi që e kishte dhënë fjalën përfundimtare në shqyrtimin e kaluar nuk ka se çfarë të shtojë pos asaj se çka kishte konstatuar në fjalën e mëparshme.

Ndërsa, pasi kishte bërë precizimin e dispozitave të aktakuzës ashtu siç i kishte përshkuar në përmirësimin e saj, dhe meqë gjendja faktike për secilin të akuzuar veç e veç dhe gjatë rishqyrtimit sipas saj është vërtetuar përtej dyshimit të bazuar mirë, deklaroi se mbetet pranë përshkrimit faktik të veprave penale, për të cilat ngarkohen të akuzuarit.

Prokurorja i propozoi gjykatës që të njëjtit t’i shpallë fajtorë, t’i dënojë sipas ligjit, si dhe t’i obligojë për pagesat e shpenzimeve të procedurës penale.

Ndërsa, sa i përket marrjes së vendimit mbi dënimin ndaj të akuzuarve, pasi që nuk ka asnjë rrethanë lehtësuese përveç rënduese, kërkoi t’i shpallë fajtorë dhe t’iu shqiptojë dënim të merituar në suaza të veprimeve të inkriminuara në këtë rast.

Kurse, sa i përket të akuzuarit Gjon Pnishi, prokurorja Disha-Haxhoaj i propozoi gjykatës që të njëjtit ashtu si edhe më herët t’i shqiptojë dënimin nën minimumin e paraparë me ligj për veprën penale me të cilin akuzohet sepse ka dëshminë e tij të dhënë në mbrojtjen e tij se dhe pa të në këtë rast nuk do ishin akuzuar edhe 3 personat e tjerë.

Gjithashtu shtoi se nuk është e vërtetë që prokuroria ka ngritë aktakuzë ndaj të akuzuarve vetëm në bazë të të akuzuarit Gjon, pasi që mbrojtja e të akuzuarit Gjon është provuar me dëshminë e dëshmitarit bashkëpunues D1, me raportet e masave të fshehta, me deklaratat e dëshmitarëve.

Më pas, i autorizuari i të dëmtuarit, avokati Korab Bokshi, deklaroi se e mbështesin në tërësi fjalën përfundimtare të prokurores, duke shtuar se gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor konsideron se janë eliminuar vërejtjet dhe sugjerimet të dhëna nga Gjykata Supreme, të cilat vërejtje nuk kanë qenë dhe nuk kanë kontestuar gjendjen faktike, por vetëm sa i përket formës së kryerjes së veprës penale.

Ai tutje shtoi se me përmirësimin e aktakuzës konsideron se të njëjtat janë eliminuar, e në lidhje me pretendimet tjera deklaron se i ka elaboruar të gjitha me shkrim dhe mbetet pranë tyre.

Tutje, mbrojtësi i të akuzuarit Bekim Raja, avokati Sylë Lokaj, deklaroi se dëshiron t’ia përkujtojë gjykatës parregullsitë e aktakuzës, pasi që prokurorja deklaroi se e ka ndryshuar diapozitivin e aktakuzës në fillim të rishqyrtimit gjyqësor, por edhe tani në fjalën përfundimtare.

Sipas tij, nga aktakuza e parë e deri te kjo e fundit ishte ndryshuar përshkrimi i figurës së veprës penale si dhe pretendon se prokuroria pas ngritjes së aktakuzës ka dështuar që të përmbush obligimin e saj ligjor që me vëmendje dhe përkushtim maksimal të vlerësojë faktet kundër të pandehurit dhe ato në favor të tij.

Ai gjithashtu thotë se të gjitha përmbajtjet e aktakuzës në raport me të mbrojturin e tij Raja, janë mbështetur në pretendimet e pabaza dhe të paargumentuara.

Sipas tij, prokuroria duke vepruar në mënyrë të një anshme aktakuzën e mbështet në deklaratat dhe deponimet e dëshmitarit bashkëpunues D1 dhe të bashkakuzuarit Gjon Pnishi.

Ai shtoi se deklarata e D1 është marrë në kundërshtim me dispoziatat e procedurës penale dhe si e tillë kjo nuk mund të fitojë cilësinë e provës së besueshme, sipas tij ajo është provë e papranueshme dhe i propozon gjykatës që provat e tilla të mos merreshin si deklarata kredibile për vendosjen në këtë çështje penale.

Avokati Lokaj, kërkou nga gjykata që ndaj të mbrojturit të tij Bekim Raja, gjykata të shpall aktgjykim lirues.

Ndërsa, i akuzuari Raja deklaroi se pajtohet plotësisht me fjalën e mbrojtësit të tij dhe se nuk ka lidhje me këtë rast e nuk ka asgjë të bëjë me veprën penale për të cilën akuzohet dhe shton se disa herë e kishte thënë të njëjtën gjë.

Tutje, mbrojtësi i të akuzuarit Gjon Pnishi, avokati Ndrec Dodaj, deklaroi se gjatë këtij rishqyrtimi gjyqësor gjendja faktike sa i përket Gjon Pnishit nuk ka ndryshuar fare dhe mbetet pranë fjalës përfundimtare të shqyrtimit kaluar të 18 nëntorit 2019.

Më pas, mbrojtësja e të akuzuarit Avni Sinanaj, avokatja Kosovare Kelmendi deklaroi se mbetet pranë fjalës përfundimtare të shqyrtimit të kaluar, ku kishte elaboruar detajisht secilën provë dhe deklaratë të dëshmitarëve dhe akuzës në tërësi.

Ajo shtoi se gjatë këtij rigjykimi nuk është vepruar në tërësi sipas veprimeve dhe sugjerimeve të Gjykatës Supreme të prezantuara në aktgjykimin e 22 dhjetorit 2020 dhe se mendon që është marrë parasysh vetëm pjesërisht sugjerimi i Supremes.

Sipas saj, përmirësimi i aktakuzës nuk është përmirësim por është ekskluzivisht ndryshim i diapozitivit të aktakuzës, duke e shtuar një rrethanë të re për të cilën mbrojtja thotë se nuk e ka të qartë se prej nga buroi ajo.

Avokatja Kelmendi theksoi se atë, prokuroria e ka bërë me qëllim për t’ia mvesh një element që ia vërteton “kushtimisht”, ndihmën para kryerjes së veprës penale.

Sipas saj, nga përshkrimi i veprimeve të Avni Sinanajt, që nga aktakuza e parë vazhdimisht prokuroria ka përshkruar se ai ka ndërmarrë veprime të ndihmës pas kryerjes së veprës penale.

Rastine treguar në prokurori nga ana e të pandehurit Gjon Pnishi, ku implikohet edhe i akuzuari Avni Sinanaj, ajo e cilësoi si trillim, për të cilën deklaratë, sipas Kelmendit, prokuroria ishte vënë në lajthim, duke i besuar verbërisht vetëm deklarimeve të të pandehurit Pnishi.

Kelmendi shtoi se deklarimet e të pandehurit Pnishi për të cilat prokuroria është duke besuar se janë të vërteta, nuk mund të shërbejnë si provë e vetme fajësuese apo vendimtare për dënim dhe se aktgjykimi nuk mund të mbështetet vetëm mbi bazën e një deklarate nëse nuk ka mbështetje në prova tjera.

Avokatja Kelmendi tha se për të mbrojturin e saj Avni Sinanaj, pas administrimit të gjitha provave nuk kishte asnjë provë për implikimin e tij në vrasje, përveç deklarimit të të akuzuarit Pnishi, i cili sipas saj, në kohën kur ishte akuzuar për vrasjen e Gjinit, ishte në cilësinë e dëshmitarit.

Sipas saj, në bazë të analizave të dëshmitarëve, përsëri arrin tek D1, ku thotë se ky dëshmitar ka fituar status të privilegjuar, sipas saj këtë status e ka fituar duke e bindur prokurorinë se po e tregon të vërtetën dhe shton se deklarimi i tij në raport me Avni dhe Murat Sinanaj që nuk janë të implikuar në këtë vrasje qenka e vërtetë.

Në fund, kërkoi nga trupi gjykues drejtësi dhe që ndaj Avni Sinanajt të marrë aktgjykim lirues dhe atë në mungesë të provave.

Tutje, mbrojtësi i të akuzuarit Murat Sinanaj, avokati Gëzim Kollçaku, deklaroi se prokuroria me aktakuzë pretendon që në bazë të dëshmive të dëshmitarit D1 dhe provave tjera materiale është vërtetuar se i mbrojturi i tij është kryerës i veprës për të cilën akuzohet.

Ai thotë se sa i përket dëshmitarëve, ka potencuar se nga 16 dëshmitarët që janë dëgjuar në shqyrtim gjyqësor asnjëri nga ta nuk e ka përmendur të mbrojturin e tij Sinanaj.

Sa i përket dëshmitarit D1, ai thotë se fillimisht ka qenë i dyshuar për sa i përket fillimit të hetimeve për veprën penale si anëtarë i grupit kriminal për atë vepër, por pasi që i njëjti i ka dhënë dy dëshmi, sipas avokatit, kanë vërtetuar se D1 i ka thënë të gjitha të vërtetat lidhur me të mbrojturin e tij, e me të cilin është pranuar si dëshmitar bashkëpunues.

Avokati Kollçaku tutje deklaroi se pasi që prokuroria propozoi që duhet besimin e dëshmitarit D1, atëherë nëse edhe trupi gjykues ia falë në tërësi besimin dëshmitarit D1, atëherë ai deklaron se 100% i mbrojturi i tij duhet të lirohet nga përgjegjësia penale për shkak se në asnjë moment asnjëherë ai nuk thotë se është i përfshirë i akuzuari Murat.

Sipas tij, e gjithë aktakuza është e formuar nga ai dëshmitar dhe nga i akuzuari Gjon Pnishi, dhe se gjykata ose duhet t’i besojë dëshmitarit D1, i cili ka marrë privilegje dhe nuk është këtu ose duhet ai të jetë këtu dhe të marrë kahje tjetër procedura.

Në fund, ai theksoi se në asnjë provë i mbrojturi i tij nuk është vërtetuar se me asnjë veprim ai nuk ka kryer vepër penale dhe kërkon që trupi gjykues të marrë aktgjykim lirues në mungesë të provave materiale.

Më pas, i akuzuari Murat deklaroi se mbetet në tërësi pranë deklarimeve të të mbrojturit të tij dhe se shtoi se është në paraburgim që 5 vite pa faj dhe pa prova është mbajtur në burg vetëm për inate të të tjerëve dhe me fjalë të tjerëve.

Pas kësaj, kryetari i trupit gjykues Sami Sharraxhiu, konstaton që rishqyrtimi gjyqësor shpallet i mbyllur ndërsa shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 20 maj 2022.

Në seancën të mbajtur më 15 prill 2021, prokurorja Valbona Dishaj-Haxhsaj ka bërë rikualifikimin e veprës penale, nga vepra penale e bashkimit kriminal, në forma të tjera të bashkëpunimit.

Në këtë rast penal, Gjykata Supreme e ka anuluar aktgjykimin dënues të Themelores ndaj Bekim Rajës, Murat Sinanajt, Avni Sinanajt dhe Gjon Pnishit, të cilët ishin dënuar me 49 vite burgim, vendim ky i vërtetuar nga Apeli.

Gjykata Supreme ka arsyetuar se dispozitivi i aktgjykimit i gjykatës së shkallës së parë është i paqartë dhe në kundërshtim me cilësimin juridik të veprës penale të bashkimit kriminal.

Sipas Supremes, tek bashkimi kriminal, anëtarët e grupit përgjigjen penalisht për veprat penale që rezultojnë nga plani kriminal edhe nëse nuk kanë marrë pjesë drejtpërsëdrejti në kryerjen e veprës konkrete nga plani i kriminal i grupit.

Kurse, për rastin e të pandehurve, Supremja ka konstatuar se veprimet e tyre nuk bëjnë pjesë në kuadër të bashkimit kriminal, por për forma tjera të bashkëpunimit mes të dënuarve për kryerjen e vrasjes.

Supremja në fund ka theksuar se dispozitivi i aktgjykimit duhet të jetë i strukturuar ndryshe nga i tanishmi, duke u përshkruar ndaras veprimet e secilit të akuzuar në përputhje me rolin e secilit të pandehur.

“Gjithashtu cilësimi juridik është në kundërshtim me përshkrimin faktik, për faktin se të gjithë janë akuzuar si kryerës të vrasjes, të kryer në kuadër të bashkimit kriminal, ndërsa në përshkrimin e veprës penale, thuhet se i akuzuari B.R. si shtytës ka shtyrë të akuzuarin, Xh.P., në atë mënyrë që të akuzuarit Xh. dhe A., në rolin e ndihmësit e kanë ndihmuar të akuzuarin M. si kryerës për ta vrarë të ndjerin, i cili e ka vrarë të ndjerin e në rrethana të tilla cilësimi juridik i veprës penale, përpos që është në kundërshtim me përshkrimin faktik, ai është edhe i paqartë, ngase nga përshkrimi i veprës penale del se përpos për kryes të vrasjes, kemi të bëjmë me shtytës të vrasjes, ndihmës të vrasjes, mirëpo asnjë nuk është shpallë fajtorë, as për shtytje as për ndihmë në vrasje, por si vrasës”, thuhet në arsyetimin e Supremes.

Supremja aktgjykimin e Gjykatës së Apelit e ka konsideruar të kundërligjshëm, për faktin se nuk kishte dhënë arsye për pretendimet ankimore, por ishte mjaftuar me konstatime “se pretendimet nga ankesa janë të pabazuara” pa një arsyetim të detajuar, se pse pretendimet e tilla ankimore qenkan të pabazuara.

Ndryshe, në korrik të vitit 2020, Gjykata e Apelit e kishte konsideruar të ligjshëm dhe të drejtë vendimin e Gjykatës Themelore në Pejë, me të cilin të pandehurit Bekim Raja, Murat Sinanaj, Avni Sinanaj dhe Gjon Pnishi ishin dënuar me 49 vite burgim, për vrasjen e tani të ndjerit Ferdinand Gjini.

Ashtu siç kishte vendosur Gjykata e Pejës, edhe Gjykata e Apeli kishte vërtetuar se vrasja e tani të ndjerit Gjini ishte bërë nga hakmarrja e paskrupullt e të akuzuarit Bekim Raja, i cili në cilësinë e shtytësit, përmes të pandehurit Gjon Pnishi, kishte premtuar shumën prej 100 mijë euro, ndërsa të pandehurit Murat dhe Avni Sinanaj ishin pajtuar ta realizojnë porosinë e Rajës.

Sipas vendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Apeli kishte theksuar se ishte vërtetuar se të pandehurit Gjon Pnishi dhe Bekim Raja ishin takuar në garazhin e dëshmitarit bashkëpunues D1 në Zvicër, ku i pandehuri Raja kishte kërkuar nga Pnishi ta vras tani të ndjerin Gjini, apo të gjejë ndonjë person për ta vrarë të njëjtin.

Sipas Apelit, ishte vërtetuar drejt gjendja faktike kur i akuzuari Pnishi, pas kthimit në Kosovë, kishte kontaktuar të akuzuarit Sinanaj për kërkesën e të pandehurit Raja, për vrasjen e tani të ndjerit Gjini.

Sipas Apelit, i akuzuari Avni Sinanaj ishte pajtuar që së bashku me të akuzuarin Murat Sinanaj ta realizojnë porosinë e Rajës, ashtu që të akuzuarit Pnishi dhe Avni Sinanaj, në cilësinë e ndihmësit, e kanë ndihmuar të akuzuarin Murat Sinanaj si kryerës të vrasjes në realizimin e porosisë së të pandehurit Raja, në cilësinë e shtytësit, i cili ka premtuar shpërblim në shumën prej 100 mijë franga zvicerane.

“Pas kësaj kishin filluar veprimet përgatitore, ashtu që Gjoni kishte filluar të komunikoj shpesh me Ferdinandin derisa i akuzuari Avni duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë ekonomike të Gjonit kishte filluar që këtij të fundit t’i sigurojë substanca narkotike me qëllim të joshjes, të cilat substanca më pas Ferdinandi i ka shitur. Kjo situatë ka vazhduar deri në ditën kritike, përkatësisht deri më 23 qershor 2016, kur në fshatin Prapaqan-Komuna e Deçanit, Ferdinand Gjini është vrarë nga i akuzuari Murat Sinanaj”, thuhej në aktgjykimin e Apelit.

Apeli kishte arsyetuar se gjendja faktike ishte provuar me provat e administruara, e sidomos nga dëshmia e vëllait të ndjerit Ferdinand, Pashk Gjini, i cili kishte thënë se para vrasjes së të ndjerit, të njëjtit kishin pasur konflikt fizik me të akuzuarin Bekim Raja, përkatësisht përleshje fizike në mes Mark Kqirës, Pashk Gjinit dhe Ferdinand Gjinit kundër Bekim Rajës dhe si rrjedhojë, sipas Apelit, ka ardhur deri tek porosia e vrasjes nga ana e të akuzuarit Raja.

Apeli kishte konstatuar se gjendja faktike ishte vërtetuar edhe nga deklarata e të pandehurit Gjon Pnishi, i cili kishte vërtetuar motivimin e hakmarrjes së Bekim Rajës, motivin për përfitim të dobisë pasurore, ndarjen e roleve për kryerjen e vrasjes dhe takimin me Bekim Rajën.

“Se të akuzuarit e lartcekur e kanë kryer veprën penale për të cilën janë akuzuar është vërtetuar edhe nga raportet e përgjimit të datës 27.02.20217, lidhur me komunikimet telefonike në mes të akuzuarve Avni Sinanaj dhe Gjon Pnishi të cilët kanë biseduar kryesisht rreth vrasjes; monitorimet telefonike të datës 26.02.2017, të bisedave në mes të akuzuarve Gjon Pnishi dhe Murat Sinanaj me ë’rast i akuzuari Gjon i ka dërguar Muratit mesazh me përmbajtjen “Murat Gjoni jam e kam thirr Avnin as nuk po ma qel, e për ty a fort i keq kesh që i mora 18 vjet e nuk ja përmenda emrin kurrkujt, as me thirr ndonjëherë, me 30 mars e kam shans se nuk më bini mbas me q.. atë nanë se nuk kallxoj krejt për ty të parin se e ki vra, për Bekim Rajën se e ka pagu, për veti se e kam qikën ka më des, ju po bëni hajgare a për veti për dy ditë i keni marrë 50 mijë franga, kush dojnë të mvrajn tanve naj ka pas kana paret, as të Haxhi muti nuk je kan najherë po ju them thirrni ata e të mbijnë mbas””, thuhej në arsyetimin e Apelit.

Tutje, Apeli e kishte arsyetuar vendimin e tij me faktin se nga mbrojtja e të akuzuarit Pnishi ishte vërtetuar takimi me të pandehurin Raja, drekat dhe darkat e bëra në prezencë të dëshmitarit bashkëpunues “D1”, porosia e Rajës drejtuar të akuzuarit Avni Sinanaj për ta kryer vrasjen, si kishte ndikuar avokati Haxhi Ëeku tek Pnishi për të mos treguar të vërtetën rreth personave të përfshirë në veprën penale, si dhe premtimi që iu kishte dhënë Gjon Pnishit se deri në ditën e gjykimit do të lirohet

Apeli kishte konstatuar se gjendja faktike ishte vërtetuar edhe nga dëshmia e dëshmitarit “D1”, i cili ka vërtetuar takimin e Gjon Pnishit me Bekim Rajën, motivin e hakmarrjes që e kishte pasur Raja ndaj të ndjerit, përfitimit pasurore për të pandehurin Pnishi, se të hollat për këtë të fundit i kishte marrë motra dhe djali i motrës në Zvicër dhe se këto para ishin marrë tek dëshmitari bashkëpunues “D1”.

Nga deklarimi i dëshmitarit bashkëpunues, Apeli kishte vërtetuar edhe ndikimin e të pandehurit Raja në dëshmitarin bashkëpunues, i cili pa leje të gjykatës e kishte telefonuar dëshmitarin i cili të nesërmen kishte për të dëshmuar para gjykatës, ku Raja i kishte thënë atij “ki kujdes ëka po folë, mos e ndëgjo babën tënd e as babën tim se ata nuk dinë asgjë, mos e merr në qafë veten, këta nuk kanë kurgjo dhe këtë punë e kena kryer”.

Po ashtu sipas Apelit, i akuzuari Raja i kishte premtuar dëshmitarit bashkëpunues “D1”, me fjalët: “se ta mbaj familjen dhe unë do të rri mbas e kryej këtë punë”, duke ia cekur se deri në një milion i rri mbas.

Pretendimet e mbrojtësve të të pandehurve, avokatëve Kosovare Kelmendi, Gëzim Kollëaku, Arianit Koci dhe Granit Vokshi, se aktgjykimi i shkallës së parë përmban shkelje esenciale të procedurës penale, me arsyetimin se aktgjykimi është i bazuar vetëm në deklaratën e dëshmitarit bashkëpunues dhe të pandehurit Gjon Pnishi, Apeli i kishte konsideruar si të pabazuara.

Mbrojtja e të akuzuarve kishte pretenduar se gjykata e shkallës së parë ka vërtetuar gabimisht gjendjen faktike, duke ia falur besimin dëshmisë së të pandehurit Gjon Pnishi dhe dëshmitarit “D1”. Sipas mbrojtjes deklaratat e tyre ishin trillime dhe nuk gjejnë mbështetje në prova tjera të administruara në shkallën e parë.

“Dispozitivi i aktgjykimit të ankimuar është i qartë, i kuptueshëm dhe konkret. Në arsyetimin e aktgjykimit janë dhënë arsye të duhura mbi të gjitha faktet vendimtare të kësaj ëështje juridiko penale. Gjykata e shkallës së parë ka bërë vlerësimin e provave në pajtim me nenin 370 par.6 dhe 7 të KPPRK-së. Në mënyrë të plotë ka paraqitur vlerësimet e veta se cilat fakte dhe për ëfarë arsyesh i merr si të provuara apo të paprovuara dhe bërë vlerësim të provave kontradiktore. Ka bërë analizën e të gjitha provave të procedura gjatë shqyrtimit gjyqësor dhe lidhur me ato ka paraqitur konkludimet e veta, të cilat sit ë drejta, objektive dhe të ligjshme i aprovon edhe Gjykata e Apelit e Kosovës”, thuhej në vendimin e Apelit.

Në fund, Apeli kishte refuzuar ankesën e Prokurorisë së Pejës dhe përfaqësuesit të palës së dëmtuar, të cilët kanë kërkuar dënim më të lartë ndaj të akuzuarve, për arsye se Gjykata e Pejës me rastin e dënimit ka marrë parasysh të gjitha rrethanat rëndese dhe lehtësuese të cilat ndikojnë në llojin dhe lartësinë e dënimit.

Sipas Apelit, dënimet e shqiptuara nga Gjykata e Pejës ishin të drejta dhe në harmoni me shkallën e përgjegjësisë penale të akuzuarve, rrezikshmërisë shoqërore të veprës penale dhe pasojës së shkaktuar.

“Si rrethanë veëanërisht lehtësuese për të akuzuarin Gjon Pnishi është marrë fakti se i njëjti ka bashkëpunuar me organet e drejtësisë për zbardhjen e kësaj ëështje juridiko penale, kurse për të akuzuarit tjerë rrethana lehtësuese nuk ka gjetur. Si rrethanë rënduese gjykata e shkallës së parë për të akuzuarit ka marrë për bazë faktin se të njëjtit kanë vepruar në bashkim kriminal”, thuhej në vendimin e Apelit.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Pejë, më 21 nëntor 2019, i kishte shpallur fajtorë të akuzuarit për vrasje me pagesë në Deëan, Bekim Raja, Avni Sinanaj, Murat Sinanaj dhe Gjon Pnishi.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Sami Sharraxhiu, i akuzuari Murat Sinanaj ishte dënuar me 19 vite burgim, i akuzuari Bekim Raja me 15 vite burgim, i akuzuari Avni Sinanaj me 9 vite burgim, kurse i akuzuari Gjon Pnishi me 6 vite burgim.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 26 korrik 2018, nga Prokuroria Themelore në Pejë dhe të përmirësuar me 15 prill 2021, Prokuroria e akuzon të pandehurin Bekim Raja se në muajin maj 2012, në Zvicër, me dashje dhe me qëllim të hakmarrjes së paskrupullt e ka shtyrë të pandehurin Gjon Pnishi, që ky i fundit së bashku me të pandehurit Avni dhe Murat Sinanaj, ta kryejnë vrasjen e viktimës Ferdinand Gjini.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Bekim Raja u kishte premtuar se nëse vrasjen do të kryejnë sa më shpejtë, do të shpërblehen me shumën prej 150 mijë CHF, kurse nëse vrasja do të ketë vonesë, do të shpërblehen 100 mijë CHF.

Sipas aktakuzës, deri te vrasja e të ndjerit kishte ardhur pasi Ferdinand Gjini, së bashku me Mark Kqirajn, e kishin rrahur të pandehurin Bekim Raja. Prokuroria përshkruan se Raja përmes dëshmitarit bashkëpunues”D1″, është takuar me të pandehurin Gjon në Zvicër të cilët kishin lidhur marrëveshje, i pandehuri Gjon e bartë porosinë tek të pandehurit Avni dhe Murat për vrasjen e viktimës Ferdinad Gjini, e cila vrasje është kryer më 23 qershor 2014, në fshatin Prapaqan të Deëanit, nga i pandehuri Murat. i cili për këtë sipas aktakuzës është shpërblyer më shumën 100 mijë CHF.

Me ëka, akuzohet se ka kryer veprën penale “shtytje në kryerjen e vrasjes së rëndë” nga neni 179, paragrafi 1, pika 1.8 e lidhur me nenin 32, paragrafin 1 të KPK-së.

Të pandehurit Gjon Pnishi dhe Avni Sinanaj akuzohen se pas marrëveshjes mes tyre për të kryer vrasjen sipas porosisë së të pandehurit Raja, fillojnë përgatitjet për këtë veprim që nga viti 2012.

Sipas akuzës, të pandehurit Avni dhe Gjon shfrytëzojnë gjendjen jo të mirë financiare të viktimës Ferdinad, duke e joshur me substanca narkotike, ashtu që një natë para vrasjes takohen të pandehurit me viktimën në Gjakovë dhe merren vesh që në ditën kritike viktima, së bashku me Pnishin, të shkojnë te i pandehuri Avni në Isniq të Deëanit për të marrë një sasi të narkotikëve.

Sipas akuzës, në ditën kritike viktima niset për në drejtim të Deëanit, i përcjellë nga i pandehuri Gjon Pnishi dhe me të arritur te ura që lidh fshatrat Llukë e Prapaqan, i pandehuri Murat i cili kishte dalë në pritë, me të vërejtur viktimën duke kaluar mbi urë pas veturës së të pandehurit Gjon, me armë automatike shtënë në drejtim të veturës duke e privuar nga jeta.

Sipas akuzës, pas vrasjes i pandehuri Bekim të pandehurve Gjon, Avni dhe Murat përmes “D1” dhe familjarëve të pandehurit Gjon, Avni dhe Murat, si shpërblim ua jep shumën prej 100 mijë CHF.

Me ëka duke vepruar si bashkëkryerës, akuzohen se kanë kryer veprën penale të ndihmës në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë, nga neni 179, paragrafi 1 pika 1.6 e lidhur me nenin 31 dhe nenin 33, paragrafi 1 të KPK-së.

I akuzuari Murat Sinanaj akuzohet se me 23 qershor 2014, rreth orës 8:40, në fshatin Prapaqan të Deëanit, sipas porosisë të pandehurit Bekim dhe përmes ndihmës nga të pandehurve Gjon dhe Avni, në planifikim e vrasjes, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, në mënyrë dinake e privon nga jeta të ndjerin Ferdinad Gjini, duke shtënë në veturën e të ndjerit me armë automatike

Me ëka, akuzohet se ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë nga neni 179, paragrafi 1 pika 1.4 dhe 1.6 të KPK-së. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë