Rigjykimi për vrasjen e shokut shkaku i borxhit, e dëmtuara refuzon të përgjigjet në shumicën prej pyetjeve të mbrojtjes
Raporton: Arlinda MUQA
(Përditësuar, ora 22:20)- Në seancën e së premtes ndaj të akuzuarit Kreshnik Haliti, i cili ngarkohet se e kishte privuar nga jeta shokun e tij viktimën M.Z, për borxh, bashkëshortja e tij- e dëmtuara Mirjeta Zekaj refuzoi të përgjigjet në shumicën e pyetjeve të mbrojtjes së të akuzuarit, për shkak se e njëjta tha se iu ishte përgjigjur disa herë atyre pyetjeve.
E dëmtuara Zekaj, shumicës së pyetjeve të mbrojtësit të të akuzuarit Haliti, avokatit Besnik Berisha, nuk iu përgjigj me pretendimin se nuk e di dhe në të shumtën e rasteve tha që iu ishte përgjigjur pyetjeve të tilla më herët, raporton “Betimi për Drejtësi”.
E dëmtuara Zekaj u dëgjua në seancën e së premtes, para se gjendja e të akuzuarit të përkeqësohej.
Fillimisht, kryetari i trupit gjykues Murat Hulaj iu propozoi palëve që të dëgjohej dëshmitari Driton Zekaj, vëllai i të ndjerit, i cili kishte ardhur nga jashtë Kosovës.
Një propozim të tillë e kundërshtoi prokurorja Lumturije Vuqetaj, e cila tha se nuk kishte parë ndonjëherë të veprohet kështu, që të ndërpritet dëgjimi i njërit për të vazhduar me tjetrin.
Andaj, prokurorja propozoi që të vazhdohet me dëgjimin e të dëmtuarës Zekaj.
E pyetur nga avokati Berisha, lidhur me pagesën e borxhit, kur është marrë, vlera e tij, pse ishte marrë një kredi e tillë, e pyetje të ngjashme, e dëmtuara u përgjigj duke thënë se nuk i kujtohet dhe nuk e di dhe se për të shumtat tha se ishte përgjigjur seancat e kaluara dhe nuk e sheh të nevojshme të përgjigjet prapë.
Në pyetjet tjera, lidhur me shtëpinë e blerë, ku avokati ia përmendi edhe deklarimin në prokurori, ajo tha se është e vërtetë se shtëpinë e kishin blerë në vitin 2016, por që të njëjtës nuk i kujtohen datat e sakta, por vetëm muaji dhjetor.
Zekaj gjithashtu tha se shtëpia ishte blerë së bashku me kunetërit e saj, por tjetër është se ajo jeton vetëm me vjehrrin e saj në atë shtëpi.
E pyetur se borxhi i kërkuar, të cilin kishte thënë më herët dhe që thotë se ende paguan kredi për të, a ishte marrë para se ta kishin blerë shtëpinë apo pas saj, ajo u përgjigj se ishte pyetje shumë e paqartë dhe nuk përgjigjet.
Ndërsa, kur u pyet për deklaratat që për dhënien e atij borxhit ishte krijuar një kontratë, të akuzuarit Haliti iu përkeqësua gjendja shëndetësore, të cilin u detyruan ta dërgojnë në spital për trajtim të menjëhershëm.
E që më pas, seanca më nuk vazhdoi pasi që u bë e ditur se të akuzuarit Haliti, i ishte rekomanduar që të trajtohet në qendrën mjekësore për shkak të shtypjes së lartë të pulsit dhe tensionit.
Në këto rrethana, trupi gjykues mori vendim që seancat e radhës të caktohen për 31 maj, 17 dhe 20 qershor.
Rigjykimi për vrasjen shkaku i borxhit, të akuzuarit i përkeqësohet gjendja gjatë seancës dhe merr trajtim nga ndihma e shpejtë në gjykatë
Pejë- Në Gjykatën Themelore në Pejë, të premten ka vazhduar rigjykimi ndaj të akuzuarit për vrasje të rëndë Kreshnik Haliti, të cilit i është përkeqësuar gjendja gjatë seancës, andaj është detyruar të marrë trajtim nga ndihma e shpejtë në gjykatë.
Haliti ngarkohet për vrasjen e shokut të tij Mentor Zekaj për një borxh, afro 77 mijë euro, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Në seancën e së premtes po dëgjohej e dëmtuara në cilësi të dëshmitares, Mirjeta Zekaj, por në një moment, i akuzuari Haliti tha se nuk po ndjehet mirë dhe ndihma e shpejtë arriti në gjykatë për t’i dhënë trajtimin e nevojshëm.
Në këto rrethana, gjykata mori vendim që seanca të shtyhet për një orë, derisa i akuzuari ta marrë trajtimin e duhur mjekësor, për të parë gjendjen e tij e më pas për të parë nëse mund të vazhdohet me seancë.
Ndryshe, pasi ish-kryetarja e trupit gjykues, Lumturije Muhaxheri ka ndërruar jetë, gjykimi po vazhdon me trupin e ri gjykues, tani këtë lëndë e gjykon trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Murat Hulaj, me anëtarët Sami Sharraxhiu dhe Musë Povataj.
Gjykata Themelore në Pejë, më 4 korrik të vitit 2018, e kishte gjetur fajtor të akuzuarin Kreshnik Haliti, ndaj të cilit kishte shqiptuar dënim unik prej 22 vite e gjashtë muaj burgim, nën akuzat për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje.
Kreshnik Haliti akuzohet se më 6 mars 2017, në rrugën “Myrvete Maksutaj”, në Pejë, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore e ka privuar nga jeta viktimën, tani të ndjerin Mentor Zekaj.
Sipas aktakuzës, këto veprime kanë ardhur për shkak të një mosmarrëveshje që kanë pasur ndërmjet vete tani i ndjeri Zekaj me të pandehurin Kreshnik Haliti, lidhur me një borxh prej afro 77 mijë euro.
Gjithnjë sipas aktakuzës, i pandehuri në ditën kritike i përgatitur për vrasjen, e thërret viktimën për të shkuar në qendër të Pejës, me ç’rast me makinën e tij viktima ka shkuar e ka marrë të pandehurin, ku në veturë kanë biseduar për borxhin, ashtu që sapo kanë arritur në vendin kritik, i pandehuri e godet dy herë me një revole të modelit “Pietro Beretta M-70”, e kalibrit 7.65x17mm.
Për këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”, sipas nenit 179, paragrafi 1 të Kodit Penal, parashihet dënimi me jo më pak se dhjetë vjet burgim ose me burgim të përjetshëm. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.