Rigjykimi për transportim të drogës, njëri i akuzuar thotë se armën që e mbajti ishte e babait të tij të ndjerë

Raporton: Albina KRASNIQI

Prishtinë – I akuzuari Arif Bekteshi ka deklaruar se armën të cilën e ka mbajtur, ka qenë babait të tij të ndjerë dhe se e njëjta ka qenë jofunksionale, në rastin ku i njëjti së bashku me Tair Semsijin, Sulltan Rashitin, Fidan Rashitin dhe Ali Rrustemin akuzohen për transportim të drogës nga Maqedonia e Veriut në Kosovë dhe anasjelltas.

Pesë të akuzuarit ngarkohen se duke vepruar në grup të udhëhequr nga i akuzuari Semsiji, kishin ndërmjetësuar dhe transportuar narkotikë të llojit marihuanë nga Republika e Maqedonisë së Veriut në Republikën e Kosovës dhe anasjelltas, për ta dërguar tutje në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian (BE). Ndërsa, Bekteshi po akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Paraprakisht, në seancën e së premtes, pas administrimti të provave materiale, mbrojtësi i të akuzuarit Semsiji, avokati Salih Mekaj ndër të tjera ka deklaruar se prokurori është dashur që të ndryshojë cilësimin juridik pasi që kishte hequr dorë në fjalën përfundimtare në gjykimin e kaluar nga ndjekja penale për krim të organizuar,

“Aktakuza që po trajtohet ëshët deshtë që në fillim të seancës të rregullohet sepse për secilin të akuzuar kanë mbetur veprimet që kanë qenë se është fjala për krim të organizuar, ka ndryshuar në fjalën përfudnimtare vetëm cilësimin juridik, ndërsa përshkrimin e ka mbajt të njëjtë. Sot që përfunduam me provat ishte dashur që prokurori ta ndryshojë aktakuzën në përputhje me provat, me faktet që janë vërtetuar gjatë shqyrtimit gjyqësor dhe sugjerimet që janë dhënë nga Gjykata e Apelit me aktvendim”, ka thënë ai.

Në lidhje me këtë, prokurorja Hebibe Salihi ka deklaruar se tani për tani qëndron pranë deklarimit dhënë në shqyrtimin e kaluar.

“Deklarojmë se tani për tani mbesim pranë asaj se çfarë kemi deklaruar në shqyrtimin e kaluar”, ka thënë e njëjta.

Më pas, gjatë dhënies së mbrojtjes së tij, duke u përgjigjur në pyetjen e mbrojtësit të tij, avokatit Mentor Neziri, në lidhje me veprën penale “Armëmbajtje pa leje”, për të cilën nuk e kishte pranuar fajësinë, i akuzuari Bekteshi ka deklaruar se arma ka qenë e babait të tij të ndjerë.

“Ajo armë ka qenë e babës tem, baba ka pasë merak në to, armën baba e ka pasë me leje edhe baba më ka vdekë, po sa ka qenë gjallë arma ka qenë e prishtë, edhe pastaj më ka thënë rregulloma, e kam dorëzu lejen e armëmbajtjes me kopje origjinale, e njëjta ka mbet në qendrën e paraburgimit në Gjilan, ndërsa të fotokopjuara besoj janë në shkresat e lëndës”, ka deklaruar i njëjti.

I akuzuari Bekteshi ka shtuar se armën e ka mbajtur në kujtim të të atit dhe nuk ka qenë funksionale, e për këtë arsye edhe ka pranuar fajësinë në gjykimin e kaluar, mirëpo me të kuptuar dënimin, ai është deklaruar i pafajshëm në rigjykim për të njëjtën vepër.

“E kom mbajt në kujtim të prindit dhe ka qenë e bllokume, s’ka qenë funksionale dhe e kam mbajt vjerrun në mur edhe për qata e kom pranu atëherë se ajo s’ka qenë e rrezikshme për kërkon, mirpëo kur e kam pa dënimin unë nuk e kam pranu, por unë prap mbesë pranë asaj nëse ju e vlerësoni se e njëjta ka qenë e parrezikshme, e bllokuar, jofunksionale, unë prap e pranoj”, tha Bekteshi.

Në pyetjen e avokatit Neziri, se a do të thotë që për arsye se arma ka qenë e papërdorshme ka menduar që mbajtja e saj nuk është vepër penale, i akuzuari e pohoi një gjë të tillë, duke shtuar se e njëjta ka qenë armë e gjuetisë.

Tutje, i njëjti ka thënë se deklaratat e togerit A.S dhe dy zyrtarëve policorë F.B dhe K.H në cilësi të dëshmitarve gjatë seancës së kaluar të mbajtur më 8 shtator të këtij viti, nuk kanë qenë të vërteta.

“Jo, ata të tre i dhanë fjalët njëjtë, prej deklarimeve të tyre nuk ka qenë e vërtetë që unë jom kanë te Sulltani atë natë, unë s’jam kanë te Sulltani se ai kerr u kanë i resë së vëllait, e vertetë ka qenë që e kam përcjellur te shtëpia se kam punu taksi. Atë kerr s’e kam përdor kurrë edhe është e vërtetë që unë kam hyrë në shtëpi dhe e kam lënë kerrin në oborr, e kam marrë djalin e vogël dhe kam shku në shtallë ku e kam pasur bagëtinë”, dekalroi i njëjti.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores Salihi, i akuzuari Bekteshi tha se i ati i tij ishte dënuar për armë një herë.

“Një herë është dënu për armë, është e vërtetë se është dënu 7 vite burgim para luftës, pasi që i janë gjetë në oborrin e shtëpisë tonë – pleme një sasi e armatimit të ushtrisë që na kanë lënë aty”, tha njëjti.

Ndërsa në pyetjen e mbrojtësit të të akuzuarit Ali Rrustemi, avokatit Ramiz Krasniqi, ai ka deklaruar se të akuzuarin Rrustemi nuk e ka njohur më parë.

“Ali Rrustemi është se nuk e kam njoftë kurrë, e këta i kam familje”, ka thënë i akuzuari Bekteshi.

Tutje, tha se nuk e di sa kohë pas vdekjes së atit të tij, e kanë gjetur policia armën në shtëpi.

“Nuk mundem me majt në mend, 2-3 vite”, ka thënë ai.

Në fund të deklarimit të tij, i akuzuari tha se kërkon nga trupi gjykes drejtësi.

“Me këqyr drejtësinë, me zgjedh drejtësinë, m’u ka shkatërru familja, ato 20 vjet që kam punu kam ble bletë, lopë, bagerin ma ka ble vëllai, ma keni shkatërru jetën, 3 fëmija e kanë lanë shkollën, s’kanë pare me pagu shkollën, as transportin, 120 euro i marr si viktimë civile e luftës, i plagosur 40% jam…”, tha i akuzuari duke folur për problemet shëndetësore, ndërsa theksoi se e ka dorëzuar dokumentin që është i plagosur.

Të akuzuarit të tjerë Tair Semsiji, Sulltan Rashiti, Fidan Rashiti dhe Ali Rrustemi, kanë shfrytëzuar të drejtën për tu mbrojtur në heshtje.

Seanca e radhës për këtë çështje penalo-juridike është caktuar të mbahet më 4 tetor të këtij viti ku pritet të jepet fjala përfundimtare.

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special më 30 nëntor 2021 i kishte dënuar me 24 vite e 6 muaj burgim dhe 12 mijë euro gjobë të akuzuarit Tair Semsiji, Arif Bekteshi, Sulltan Rashiti, Fidan Rashiti, dhe Ali Rrustemi, por që më 8 prill 2022 Gjykata e Apelit këtë aktgjykim e ka anuluar dhe çështja është kthyer në rigjykim.

Ndryshe, të akuzuarit ngarkoheshin edhe me veprën penale “Krim i organizuar”, mirëpo ndaj të njëjtëve, prokurorja Habibe Salihu, në fjalën përfundimtare ishte tërhequr nga ndjekja për këtë vepër penale.

Sipas aktakuzës së ngritur më 7 maj 2021, Tahir Semsiji, Arif Bekteshi, Sulltan Rashiti, Fidan Rashiti dhe Ali Rrustemi po akuzohen për krim të organizuar në lidhshmëri edhe me veprën penale “Blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike”.

Por, pas rikualifikimit nga ana e prokurorisë, të njëjtit po ngarkohen vetëm me veprën penale “Blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike”.

Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit gjatë vitit 2020, duke vepruar si grup i strukturuar i udhëhequr nga i akuzuari Tair Semsiji, kanë ndërmjetësuar dhe transportuar narkotikë të llojit marihuanë nga Republika e Maqedonisë së Veriut në Republikën e Kosovës (RKS) dhe anasjelltas, për ta dërguar tutje në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian (BE).

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit Sulltan dhe Fidan Rashiti kishin për detyrë të sjellin narkotikët në Kosovë dhe ta dorëzonin te i akuzuari Ali Rrustemi i cili kishte për t’u furnizuar me sasi të narkotikëve dhe për ta dërguar në vendet e BE-së.

Prokuroria pretendon se gjatë vitit 2020, të akuzuarit Rashiti ishin takuar me të akuzuarin Tair dhe një person tjetër të panjohur, në Shkup dhe i akuzuari Semsiji, ia kishte dhënë të akuzuarit Fidan çelësat e një veture të mbushur me substancë narkotike në sasi prej 47796.03,025 gram, me qëllim që përmes personit të paidentifikuar të dërgohet në shtëpinë e të akuzuarit Sulltan Rashiti që ta mbante deri të nesërmen ku pastaj i akuzuari Tair Semsiji kishte për t’ia dorëzuar të akuzuarit Ali Rrustemi me qëllim të transportimit në BE.

Tutje, në aktin akuzues thuhet se të nesërmen më 12 dhjetor 2020, në oborrin e SHSKUK-së në Prishtinë, derisa të akuzuarit Fidan Rashiti dhe Tair Semsiji ishin duke e bartur narkotikun nga vetura që e ngiste i akuzuari Fidan tek vetura e të akuzuarit Ali, janë kapur në flagrancë dhe arrestuar nga Policia e Kosovës, ndërsa i akuzuari Sulltan kishte qenë duke vëzhguar situatën nga distanca dhe me të vërejtur policinë ka arritur të largohet nga vendi i ngjarjes.

Ndërsa, sipas prokurorisë, i akuzuari Arif Bekteshi kishte rolin që duke bashkëvepruar me të akuzuarin Tair ti siguroj personat që do ta transportonin narkotikun, të negocionte me ta dhe t’u jepte sugjerime si dhe ta vëzhgonin terrenin nga kishte me u bart sasia e caktuar e narkotikëve.

Prokuroria, Bekteshin po e ngarkon edhe me veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 par.1 të KPRK-së, ashtu që sipas prokurorisë më 12 dhjetor 2020, në shtëpinë e tij në fshatin Lubishtë, Komuna e Vitisë, i ishte gjetur dhe konfiskuar nga Policia e Kosovës një armë gjahu, dy tytëshe dhe 32 copë fishekë të kalibrave të ndryshëm. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë