Rigjykimi për shtytje në vrasje të rëndë, dëshmitari që dyshohet të ketë qenë caku i vrasjes qëndron pranë deklaratave të dhëna në shqyrtimet e kaluara

Raporton: Doruntina MEHMETI

Mitrovicë- Dëshmitari, Sabit Lushtaku, në pyetjet e përfaqësuesit të autorizuar të palës së dëmtuar Bajram Lushtaku, avokatit Faruk Korenica, si dhe mbrojtësit të të akuzuarit për shtytje në vrasje të rëndë Driton Latifi, avokatit Mahmut Halimi, ka potencuar se përgjigjet relevante të pyetjeve në fjalë i ka dhënë në shqyrtimet e kaluara gjyqësore.

Këto deklarime u dhanë nga dëshmitari të mërkurën në Gjykatën Themelore në Mitrovicë në rigjykimin e çështjes penale ku Driton Latifi po akuzohet se në gjysmën e parë të vitit 2010 ka paguar Lutfi Qosën për të vrarë Sabit Lushtakun, por gabimisht i vrarë kishte mbetur viktima N.L, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dëshmitari Sabit Lushtaku konstatoi se mbetet në tërësi pranë deklaratave të dhëna në gjykatë në këtë çështje penale, në seancat e datës 19 qershor, 10 korrik dhe 24 shtator 2020.

Tutje, kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Radosllav Markoviq kërkoi nga palët që të mos përsëriten pyetjet e parashtruara në seancat e kaluara ndaj dëshmitarit Lushtaku, me qëllim të efikasitetit të procedurës.

Ndryshe, duke u përgjigjur në pyetjet e përfaqësuesit të autorizuar të palës së dëmtuar Bajram Lushtaku, avokatit Faruk Korenica, nëse dëshmitari Lushtaku kishte pasur ndonjë problem me të ndjerin N.L, se çfarë raporte kishte pasur me të dhe se çfarë personaliteti kishte pasur tashmë i ndjeri, dëshmitari Lushtaku tha se në këto pyetje është përgjigjur në detaje në seancat paraprake.

“Unë sot jam këtu për të dëshmuar në çështjen kundër Driton Latifit, i akuzuar për shtytje në vrasje të rëndë, nuk jam këtu për të treguar për jetën private të tashmë të ndjerit N.L, familjar i imi, dhe pyetjet e avokatit Korenica janë krejtësisht jashtë asaj për çfarë jam ftuar”, konstatoi dëshmitari Sabit Lushtaku.

Tutje, duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të të akuzuarit Latifi, avokatit Mahmut Halimi, nëse kishte kontakutar me ekipin e hetimeve të policisë, të cilët kanë kryer vend shiqimin, gjatë kohës sa ka qëndruar dëshmitari në vendin e ngjarjes, i njëjti deklaroi se në seancat paraprake në detaje iu është përgjigjur këtyre pyetjeve.

“Unë me kujdes i kam lexuar procesverbalet e seancave ku dëshmitari ka dhënë dëshminë e tij, dhe me përgjegjësi them se nuk e kam parë askund këtë pjesë të përgjigjes nga dëshmitari”, konstatoi avokati Halimi.

Pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit Lushtaku, shqyrtimi gjyqësor u ndërpre ndërsa seanca e radhës pritet të mbahet më 8 nëntor 2022.

Gjykata Themelore në Mitrovicë me aktgjykimin e datës 1 shtator 2021 e kishte shpallur fajtor të akuzuarin Driton Latifi për veprën penale “Shtytja për kryerjen e veprës penale Vrasja e rëndë” dhe të njëjtit i kishte shqiptuar dënim me burgim me kohëzgjatje prej 20 viteve, në të cilin dënim do të llogaritej edhe koha e kaluar në paraburgim që nga 13 janari i vitit 2016.

Në afatin ligjor kundër këtij aktgjykimi kishin parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit mbrojtësit e të akuzuarit Latifi, avokatët Mahmut Halimi dhe Florent Latifaj, si dhe përfaqësuesi i autorizuar i palës së dëmtuar Bajram Lushtaku, avokati Faruk Korenica.

Mbrojtësit e të akuzuarit Latifi, avokatët Mahmut Halimi dhe Florent Latifaj përmes ankesës kishin kërkuar nga Apeli që për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, shkeljes së ligjit penal dhe vendimit lidhur me dënimin të aprovohet ankesa dhe aktgjykimi të ndryshohet ashtu që i akuzuari të lirohet ose aktgjykimi të prishet dhe të kthehet në rivendosje.

Kështu, Gjykata e Apelit me vendimin e datës 28 mars 2022 kishte aprovuar ankesën e mbrojtësve të të akuzuarit dhe kishte anuluar aktgjykimin e Themelores duke ia kthyer të njëjtës gjykatë në rigjykim dhe rivendosje.

Ndryshe, ankesën e përfaqësuesit të autorizuar të palës së dëmtuar Bajram Lushtaku, avokatit Faruk Korenica për ndryshimin e vendimit lidhur me lartësinë e dënimit si dhe të merret vendimi lidhur me shpenzimet e të dëmtuarit dhe angazhimit të tij si mbrojtës, Apeli e kishte vlerësuar si jolëndore.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, të ngritur më 22 nëntor 2018, Driton Latifi po akuzohet se në gjysmën e parë të vitit 2010 ka shtyrë të pandehurin Lutfi Qosen, që të kryej veprën penale të vrasjes ndaj viktimës Sabit Lushtaku.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Driton Latifi i kishte premtuar se për këtë veprim do t’ia paguaj shumën prej 30.000 euro, ashtu që, me ç`rast i pandehuri Lutfi Qosa merr veprimin e vrasjes ndaj viktimës.

Në aktakuzë thuhet se Qosa, më 3 gusht 2010, shkon në fshatin Prekaz, në lagjen e Lushtakëve, që t’a vras Sabit Lushtakun, dhe më të parë se në oborr hynë një veturë e kuqe “Audi 80”, me një vozitës mashkull e ku vozitës ishte viktima, tani i ndjeri N.L, e që Lutfi Qosa ka shtënë në drejtim të tij katër herë, duke e goditur të njëjtin për vdekje dhe menjëherë ikën nga vendi i ngjarjes.

Me këtë, Driton Latifi nga organi i akuzës ngarkohet me veprën penale “Shtytja për kryerjen e veprës penale Vrasja e rëndë” nga neni 147 pika 7 lidhur me nenin 24 të Kodit Penal të Përkohshëm të Kosovës. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë